Pushteti i Kryeministrit Rama: anatomia e një sistemi që nuk rrëzohet lehtë

Neritan Sejamini 28 Qershor 2026, 15:34

Pushteti i Kryeministrit Rama: anatomia e një sistemi që nuk

Që të përballesh me “armikun”, duhet të njohësh armikun. Njohja e strukturës mbi të cilën ngrihet pushteti i një individi, grupi apo partie është hapi i parë në përpjekjen për ta rrëzuar nga pushteti.

Fatkeqësisht, kundërshtia e tanishme kundër Kryeministrit Rama mbështetet mbi një kuptim sipërfaqësor dhe të mangët të pushtetit të tij.

Zoti Rama përshkruhet zakonisht si një individ që lufton i vetëm me pak zyrtarë të korruptuar në krah të tij—pra, si një autokrat i vetmuar dhe i izoluar.

Ky lexim sipërfaqësor ka krijuar besimin se Kryeministri mund ta japë lehtë dorëheqjen—mjaftojnë disa kritika, sulme apo protesta kundër tij dhe ai do ndjehet i dobët e do të largohet.

E vërteta është ndryshe: Kryeministri Rama është vetëm një element kyç në një strukturë të fuqishme që kontrollon pushtetin politik dhe ekonomik të vendit.

Ai është administratori politik i një sistemi të gjerë interesash ekonomike, kriminale dhe institucionale, mbijetesa e të cilit është e lidhur me mbijetesën e vetë kryeministrit.

Thënë thjeshtë, sot Shqipëria nuk qeveriset vetëm nga Kryeministri Rama, por nga një koalicion aktorësh të ndërlidhur dhe të ndërvarur nga njëri-tjetri, interesat e të cilëve kërkojnë ruajtjen e strukturës së tanishme të pushtetit me Kryeministrin Rama në krye të tij.

***

Pushteti i kryeministrit Rama mbështetet në katër faktorë apo shtylla kryesore:

  1. Pushtetin politik
  2. Pushtetin ekonomik
  3. Pushtetin e medias dhe kontrollin e hapësirës së informacionit
  4. Pushtetin e krimit

 

Shtylla e parë e pushtetit të Ramës është pushteti politik. Rama kontrollon plotësisht Partinë Socialiste, qeverinë, Kuvendin dhe pushtetin lokal.

Ai kontrollon ose ushtron ndikim mbi Presidentin, Shërbimin Informativ, Bankën e Shqipërisë, institucionet rregullatore, një pjesë të madhe të sistemit të drejtësisë dhe thuajse të gjitha institucionet e tjera kushtetuese.

Të gjitha këto degë të pushtetit dhe institucione i binden vullnetit personal të Kryeministrit dhe i garantojnë atij zbatimin e çdo vendimi, projekti apo plani që ai dëshiron.

Shtylla e dytë është pushteti ekonomik. Me pak përjashtime, bizneset kryesore në vend varen plotësisht nga marrëdhënia me qeverinë —nga favoret apo privilegjet që marrin prej saj.

Në fakt, tanimë, e gjithë ekonomia shqiptare është strukturuar në atë formë që është ose e varur krejtësisht nga shteti ose e dobët përballë arbitraritetit të shtetit.

Në mënyrë të veçantë, elita e biznesit, përfshi grupin e njohur si “oligarkët”, është transformuar në një elitë grabitqare e cila jeton përmes rentës dhe favoreve politike — monopoleve, koncesioneve, ligjeve me porosi, tjetërsimit të pronave publike dhe privilegjeve të tjera të ngjashme.

Në shkëmbim, biznesi përbën burimin kryesor të financimit, shpesh të paligjshëm, të aktivitetit politik të pushtetit. Ai gjithashtu siguron direkt vota dhe mbështetje indirekte elektorale për pushtetin.

Një rol pak i diskutuar i oligarkisë së biznesit është roli që ajo luan në ndikimin e mediave dhe kontrollin e opinionit publik përmes reklamës dhe financimit të mediave.

Së fundmi, një rol tjetër që luan biznesi është ndikimi apo kontrolli indirekt i partive dhe organizatave politike që i bëjnë opozitë pushtetit.

Shtylla e tretë është pushteti mediatik. Mediat kryesore në vend janë ose në pronësi ose i shërbejnë bizneseve dhe interesave ekonomike që varen nga qeveria. Nga ana tjetër, një rrjet portalesh online, podkastesh dhe personash me ndikim në publik mbështeten apo financohen nga pushteti.

Për këto arsye, një pjesë e madhe e medias është shndërruar njëkohësisht në instrument propagande për pushtetin dhe në armë sulmi ndaj kritikëve të tij.

Vitet e fundit, mediat po luajnë një rol të rëndësishëm edhe për largimin e debatit publik nga çështjet me interes publik, duke promovuar kulturën e konsumizmit, vulgaritetit dhe anti-intelektualizmit.

Shtylla e katërt është pushteti i krimit. Qeveria ka lejuar grupe dhe individë kriminalë të veprojnë lirshëm në territorin shqiptar dhe, mbi të gjitha, të riciklojnë dhe pastrojnë paratë e krimit në ekonominë shqiptare.

Tashmë, krimi është karburanti kryesor ekonomik i vendit dhe financon në masë industrinë e ndërtimit dhe turizmit, por edhe segmente të sektorit të energjisë, industrisë nxjerrëse, shëndetësisë, farmaceutikës, trajtimit të mbetjeve etj.

Ky injektim i parasë së shpejtë po mbulon përkohësisht problemet e thella strukturore të ekonomisë sonë të krijuara nga keqqeverisja dhe korrupsioni.

Krimi është gjithashtu një burim i rëndësishëm i financimit partiak dhe aleat i fuqishëm elektoral i pushtetit—përmes blerjes, kërcënimit dhe dhunës, krimi siguron vota për Partinë Socialiste në pushtet.

Krimi është gjithashtu financues i rëndësishëm për lobimin dhe imazhin ndërkombëtar të pushtetit, përmes financimit të arkitektëve, urbanistëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët paguhen me tarifa të pazakonta për projektim dhe konsulenca në investimet që realizon krimi i organizuar.

Sistemi i mësipërm funksionon mbi një marrëdhënie transaksionale: Kryeministri jep privilegje ekonomike, institucionale dhe status; në këmbim ai merr financim, vota dhe besnikëri politike.

Të gjithë faktorët e përmendur më sipër janë të interesuar dhe punojnë për mbajtjen e Ramës në pushtet. Ata janë të aftë të mobilizojnë para, njerëz dhe burime të tjera në mbështetje të pushtetit.

***

Faktorë nuk janë të vetmit në mbështetje të pushtetit të kryeministrit.

Nën ta apo të lidhur me ta, është një mori qindra mijëra qytetarësh që e kanë të lidhur punësimin, suksesin ekonomik apo mirëqenien me strukturën e pushtetit politik dhe ekonomik të përshkruar më sipër.

Në radhë të parë janë të punësuarit publikë. Janë rreth 200 mijë persona të punësuar në sektorin publik, përfshi kompanitë shtetërore. Shumica e tyre mbështesin dhe punojnë për pushtetin e Ramës, sepse kjo është në interesin vetjak të tyre.

Po ashtu qindra mijëra punonjës në kompanitë private të përshkruara më sipër, të cilët, veçanërisht ata në nivele menaxheriale e drejtuese, janë gjithashtu të interesuar dhe punojnë për të ruajtur të patrazuar pushtetin e tyre ekonomik dhe për rrjedhojë pushtetin e kryeministrit Rama.

Nga ana tjetër, përreth elitës politike, ekonomike, mediatike dhe kriminale është krijuar një ekosistem i tërë ekonomik që ushqehet direkt apo indirekt nga paraja e paligjshme apo informale dhe nga elitat e mësipërme.

Kjo ekonomi shërbimesh, konsumi dhe ndërmjetësimi përfshin individë dhe firma të pasurive të patundshme, bareve dhe restoranteve, mallrave të luksit, argëtimit, kujdesit personal, etj.

Po në këtë ekosistem, është integruar edhe një pjesë e profesionistëve — ekspertë komunikimi, juristë, arkitektë, financierë dhe këshilltarë të tjerë — që kanë klientë kryesorë elitat e mësipërme.

Së fundmi, duhen përmendur një mori ekspertësh, konsulentësh, dhe ish-politikanësh të huaj—që përfitojnë kontrata publike nga qeveria Rama apo biznesmenë të kontrolluar prej saj—të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në imazhin dhe mbështetjen ndërkombëtare për kryeministrin Rama.

***

Struktura e mësipërme e pushtetit garanton qindra mijëra vota, burime financiare të pakufizuara dhe mbështetje të madhe politike për Kryeministrin Rama.

Kjo strukturë gjithashtu shërben për të kontrolluar dhe manipuluar opinionin publik; për të korruptuar, kooptuar dhe kontrolluar njerëzit dhe organizatat kritike; për të trembur dhe goditur kundërshtarët politikë; dhe për të shmangur krizën ekonomike në afatshkurtër.

Përballë këtij realiteti, gabimi më i madh që bëjnë sot kundërshtarët e qeverisë është të besojnë se beteja e tyre është kundër një njeriu, Kryeministrit Rama dhe disa zyrtarëve të afërt me të.

Në realitet, beteja e tyre është kundër një sistemi gjigand dhe të fuqishëm interesash që ka monopolin e kontrollit mbi ekonominë, politikën, median dhe institucionet shtetërore.

Kryeministri Rama do të fillojë të rrëzohet nga pushteti kur struktura e pushtetit që mbështet atë të kriset dhe çahet ose kur Zoti Rama të mos jetë më garantuesi i interesave të elitës që përfiton nga ky sistem.

Revolucioni i Flamingove ka bërë një hap për tronditjen e shtyllës politike të pushtetit; SPAK po i jep goditje të rëndë mbështetjes kriminale dhe oligarkike.

Por kaq nuk mjafton: duhet që objektivi i protestave dhe i përpjekjes së shoqërisë të bëhet zemra e pushtetit: aleanca qeveri-oligarki-krim.

Rama rrëzohet vetëm kur goditet sistemi që e mban atë në pushtet.