Pse ikin shqiptarët nga njëri prej vendeve më të pasura të Evropës?

Adri Nurellari 29 Qershor 2026, 11:14

Pse ikin shqiptarët nga njëri prej vendeve më të pasura

"Dhe udhët zgjaten e zgjaten në veri,
një popull muhaxhir ecim nëpër shi."

Vargjet e Bilal Xhaferri u shkruan për një kohë tjetër, 82 vjet më parë, kur shqiptarët e Çamërisë largoheshin dhunshëm nga trojet e tyre nga gjenocidi grek.

Fatkeqësia është se edhe sot duket se shqiptarët kanë mbetur "në popull muhaxhir" edhe pse nuk është lufta apo spastrimi etnik që po i largon masivisht nga vendi i tyre.

Sot, rrugët nuk përshkohen në këmbë nën shi. Ato kalojnë nga aeroportet, portet dhe autostradat drejt Evropës.

Mjetet kanë ndryshuar, shkaqet kanë ndryshuar, por largimi vazhdon si rrallë kund tjetër në botë.

Ndërtesat, resortet dhe marinat luksoze po ngrihen me ritme marramendëse, por gjithnjë e më shumë qytetarë nuk e ndiejnë se kanë vend në këtë model zhvillimi, ndaj zgjedhin emigrimin. Investimet luksoze përreth nuk u japin shpresë, por ua thellojnë ndjenjën e përjashtimit.

Mbi 66 mijë shqiptarë morën lejen e parë të qëndrimit në një vend të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2024, sipas Eurostatit. Këtu nuk përfshihen ata që kanë emigruar ilegalisht, që bëjnë punë sezonale apo kanë kërkuar azil.

Në fund të vitit 2024, mbi 839 mijë shtetas shqiptarë kishin leje qëndrimi në vendet e BE-së. Mbi 632 mijë shqiptarë morën nënshtetësinë e një vendi të BE-së, gjatë periudhës 2000-2024 – 48 mijë vetëm gjatë vitit 2024.

Ky nuk është thjesht një tregues integrimi, por një tregues i vendosjes përfundimtare.

Këto janë statistikat vetëm për vendet e BE-së. Situata e emigrimit është edhe më dramatike po të kemi parasysh se mijëra shqiptarë kanë emigruar drejt SHBA-së, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Norvegjisë, Zvicrës, etj.

Shqipëria është sot vendi i parë në botë për sa i përket përqindjes së banorëve të larguar.

Këto të dhëna ngrenë një pyetje ekzistenciale për shoqërinë tonë dhe vetë Shqipërinë.

Tre dekada nga rënia e regjimit totalitar më të egër në Evropë, kthimit të lirisë, pronës private dhe hapjes totale ndaj botës, Shqipëria, në prag të hyrjes në BE, duhej të ishte një vend ku ktheheshin investimet dhe njerëzit.

Ndërkohë shqiptarët vazhdojnë të ikin masivisht nga një vend që për nga burimet dhe potenciali ka gjithçka për të qenë i zhvilluar, i begatë dhe i përparuar.

Me rreth 500 kilometra vijë bregdetare në Adriatik dhe Jon, Shqipëria ka një nga pasuritë më të vlefshme ekonomike të Mesdheut. Pak vende në Evropë kanë mundësinë të kombinojnë turizmin bregdetar, malor, kulturor dhe natyror brenda një territori kaq të vogël.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria renditet ndër vendet me rezervat më të mëdha të ujit të ëmbël për frymë në kontinent, çka i jep një avantazh strategjik në një shekull kur uji po shndërrohet në një nga burimet më të çmuara.

Ky potencial përkthehet edhe në energji, pasi vendi ka një nga kapacitetet më të larta hidroenergjetike në Evropë në raport me madhësinë e tij, ndërsa mbi 300 ditë me diell në vit krijojnë kushte ideale për zhvillimin e energjisë diellore.

Këtyre u shtohet edhe një pozicion gjeografik që pak vende e gëzojnë: në hyrje të Ballkanit Perëndimor, përballë Italisë, komshi me një treg prej mbi 450 milionë konsumatorësh të BE-së.

Nëntoka shqiptare është gjithashtu e pasur. Për një territor të vogël, Shqipëria ka një larmi të jashtëzakonshme pasurish minerare dhe energjetike.

Ajo ka një nga rezervat më të rëndësishme të kromit në Evropë dhe për dekada ka qenë ndër prodhuesit kryesorë në botë të këtij minerali strategjik, për industrinë e automobilëve, mjeteve ajrore dhe teknologjive të avancuara.

Nëntoka përmban rezerva të konsiderueshme bakri, hekuri, hekur-nikeli dhe nikeli, minerale me rëndësi për metalurgjinë, industrinë e ndërtimit, prodhimin e baterive dhe tranzicionin global drejt ekonomisë së gjelbër.

Po aq i rëndësishëm është edhe potenciali hidrokarbur. Fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinëz është ndër më të mëdhatë në Evropën kontinentale, ndërsa Shqipëria mbetet vendi me rezervat më të mëdha të naftës në Ballkanin Perëndimor.

Vendi disponon gjithashtu depozita bitumi që janë shfrytëzuar prej një shekulli, si dhe rezerva boksitesh ende të paeksploruara dhe të pashfrytëzuara.

Shqipëria ka gjithashtu rezerva të konsiderueshme gëlqerorësh, dolomitesh, gipsi, argjilash industriale dhe një larmi të pasur gurësh dekorativë, si mermerë, gëlqerorë dekorativë dhe gurë ornamentalë, të cilët përbëjnë një potencial të rëndësishëm për industrinë e përpunimit dhe eksportit me vlerë të shtuar.

Në shumë vende, kjo bazë burimesh natyrore do të ishte avantazh strategjik afatgjatë dhe do të përbënte themelin për zhvillimin e industrisë përpunuese, rritjen e eksporteve, krijimin e vendeve të punës me produktivitet të lartë dhe financimin e investimeve në arsim, kërkim shkencor, teknologji dhe infrastrukturë.

Por pasuria më e madhe e Shqipërisë gjendet tek njerëzit e saj. Shqiptarët kanë dëshmuar vazhdimisht një shpirt të fortë sipërmarrës, aftësi të lartë përshtatjeje dhe gatishmëri për të marrë përsipër rrezikun e iniciativës private.

Kudo që kanë pasur mundësi të konkurrojnë në kushte të barabarta dhe me rregulla të qarta loje, në Evropë apo në Shtetet e Bashkuara, ata kanë ngritur mijëra biznese, kanë spikatur si profesionistë, studiues, mjekë, inxhinierë dhe sipërmarrës të suksesshëm, duke dëshmuar se problemi nuk qëndron tek mungesa e talentit apo e kulturës së punës, por tek mjedisi institucional ku ky potencial zhvillohet.

Familjet shqiptare, megjithëse me të ardhura nga më të ulëtat në Evropë, mbulojnë rreth 30% të shpenzimeve për arsimin e fëmijëve nga burimet e tyre, duke u renditur të parët mes vendeve të OECD-së. Ky është një tregues i jashtëzakonshëm i besimit që shoqëria shqiptare vazhdon të ketë tek dituria si rruga kryesore drejt përparimit.

Me fjalë të tjera, Shqipërisë nuk i mungojnë as burimet natyrore dhe as kapitali njerëzor.

Por sfida e saj e pazgjidhur mbetet krijimi i institucioneve që t'i lejojnë këto dy pasuri të prodhojnë mirëqenie brenda vendit, e jo ta krijojnë atë kryesisht për ekonomitë e vendeve ku shqiptarët emigrojnë.

Historia na ka mësuar se popujt zakonisht emigrojnë për t'i shpëtuar vdekjes. Por është rrëqethëse të shohësh një komb që ikën nga pamundësia për të jetuar me dinjitet në tokën e tij të bekuar e të begatë.

Sado e pasur, Shqipëria e sotme po përballet me krizën më të madhe ekzistenciale: humbjen e besimit tek e nesërmja.

Paradoksi i një vendi të pasur në burime, por i shkretuar demografikisht, i cili rrit fëmijë për tregun e huaj të punës, është akuzë për elitën tonë politike dhe shoqërore.

Nëse Shqipëria nuk arrin të kthehet nga një stacion tranziti në një shtëpi që ofron dinjitet, mundësi të barabarta dhe drejtësi, udhët e veriut do të vazhdojnë të zgjaten pa mbarim.

Dhe me çdo avion që ngrihet, ky vend nuk humbet thjesht numra statistikash, por po dorëzon pjesë-pjesë vetë të ardhmen e tij.

Është koha të ndalet ky paradoks përpara se vargjet e Xhaferrit të kthehen në epitafin e një vendi të zbrazur në kohë paqeje.