Pse dështojnë kombet e si e thyejnë rrethin vicioz — çfarë do të thotë kjo për Revolucionin Flamingo

Julia Hoxha 6 Qershor 2026, 21:27

Pse dështojnë kombet e si e thyejnë rrethin vicioz —

Çdo vend ka dy lloje institucionesh: ato politike, të cilat vendosin se kush e mban pushtetin dhe si kontrollohet ai pushtet, dhe ato ekonomike, të cilat vendosin se kush mund të zotërojë, të ndërtojë, të tregtojë dhe të përfitojë.

Këto institucione shfaqen në dy forma themelore. Institucionet gjithëpërfshirëse e shpërndajnë pushtetin gjërësisht mes njerëzve dhe e mbrojnë atë me kontrolle të forta. Nga ana politike, kjo do të thotë se çdo grup në shoqëri dëgjoeht dhe asnjë grup apo fraksion i vetëm nuk mund t’i rishkruajë rregullat sipas interesave të tij. Nga ana ekonomike, kjo do të thotë se të drejtat e pronës janë të sigurta, tregjet janë të hapura për të gjithë dhe kushdo mund të hyjë e të konkurrojë në treg.

Institucionet shfrytëzuese (ose ekstraktive) bëjnë të kundërtën. Pushteti politik përqendrohet tek një grup i ngushtë, i cili e ushtron këtë pushtet pa asnjë kufizim e kontroll. Ky grup përcakton edhe rregullat ekonomike në favor të interesave të grupit. Burimet publike, kontratat, licencat, toka dhe rregullat vihen në shërbim të anëtarëve të grupit dhe aleatëve të tyre. Të gjithë të tjerët paguajnë koston.

Kombet e zhvilluara kanë institucione gjithëpërfshirëse, të prapamebturit institucione shfrytëzuese. Ky është shpjegimi që japin disa nga figurat kryesore të ekonomisë institucionale botërore që nga Dagllas North tek Daron Acemoglu e Xhejms Robinson. (Dy të fundit kanë shkruar një libër për publikun e gjërë të quajtur Pse Dështojnë Kombet.)

Mësimi kyç është se këto dy anë nuk janë dy probleme të ndara. Ato gërshetohen bashkë. Një grup i vogël që kontrollon politikën harton rregulla ekonomike që e pasurojnë veten. Me pasurinë që nxjerr nga kontrolli i burimeve ekonmike, paguan për të siguruar besnikëri politike, kontrolluar mediat, ushqyer rrjetet e klientelizmit të cilat e ndihmojnë për të mbajtur pushtetin politik.

Kështu hyet në një rrethzinxhir vicioz, çdo hallkë e të cilit përforcon të tërën ndaj ai është i vështirë për t’u thyer.

Ky sistem përjashtues gjendet pas çdo historie të dështimit te kombeve nëpër shekuj e kontinente, nga ekonomitë koloniale të plantacioneve tek diktaturat moderne e tek demokracitë e kapura, ku zgjedhjet bëhen në letër, por gjyqtarët, elita, administrata dhe mediat blihen ose presionohen.

Shqipëria përmes asaj lenteje

Parë përmes kësaj lenteje, historia e Shqipërisë nuk është një varg dështimesh të palidhura. Është i njëjti model me kostume dhe ngjyra të ndryshme. Sundimi osman, periudha mes dy luftërave, diktatura komuniste dhe pjesa më e madhe e tranzicionit pas vitit 1990.

Ato ndajnë një formë bazë të ngjashme ose një model të përsëritur: pushtet i përqendruar në një grup të ngushtë, rregulla ekonomike të shkruara në dobi të atij grupi dhe të ardhurat e përdorura për ta forcuar atë edhe më tej. Aktorët ndryshojnë. Etiketat ndryshojnë. Modeli është i ngjashëm, ndonëse me intensitet të ndryshëm.

Ajo që është ndërtuar në Shqipëri në tre dekadat e fundit i përshtatet modelit ekstraktiv: pushteti politik është i përqendruar, kontrollet mbi të janë të dobëta dhe rregullat ekonomike (kush i fiton tenderat publikë, kush merr koncesione, kush gjykohet drejt dhe kush jo, kush hetohet dhe kush mbrohet, kush mund të veprojë lirisht dhe kush jo) ndjekin besnikërinë politike e financiare më shumë se meritën ose ligjin.

A mund të këputet ky rrethzinxhir?

Kjo është pyetja më e vështirë. Si mund t’i ndryshojnë kombet trajektoren e tyre drejt institucioneve gjithëpërfshirëse, ku të gjithë kanë mundësinë të përfitojnë?

Ekonomistët e mësipërm dhe historia japin një përgjigje të qartë dhe të ndërshme: nuk ka recetë. Procesi është i ngadaltë dhe i brishtë.

Por ka kushte që e bëjnë të mundur thyerjen:

I pari është koalicioni i gjerë: Lëvizjet që ia dalin të ndryshojnë institucionet janë ato që bashkojnë shumë grupe të ndryshme në të gjithë shoqërinë. Lëvizjet e ngushta, edhe kur fitojnë, priren të bëhen elita shfrytëzuese e radhës. Ato thjesht marrin të njëjtën makineri dhe e drejtojnë drejt nje grupi tjetër përfituesish.

I dyti është rrjedhja e lirë e informacionit: Atë që bënin trakted gjatë revolucioneve, apo gazetat në demokracitë e shekullit të 19të, sot rrjetet sociale dhe platformat e komunikimit e bëjnë në shkallë të gjerë dhe më me efikasitet se kurrë. Siç po e shohim në Shqipëri pikërisht tani me viralitetin ne media sociale. Informacioni vetëm nuk rrëzon asgjë, por pa të nuk mund të formohet një koalicion i gjerë.

I treti është organizimi afatgjatë. Protestat që shpërndahen e lënë makinerinë ekstraktive (shfrytëzuese) në pushtet të paprekur. Ajo që i ndryshon institucionet është shoqëria më e gjerë që vazhdon të dalë, qoftë në grupe, rrjete e forma bashkëpunimi dhe mobilizimi që mbijetojnë pasi protesta e rrugës shuhet dhe arrijnë të përballojnë presionin që vjen më pas.

Këto janë mesazhe të rëndësishme që ia vlen të theksohen pikërisht tani për Revolucionin Flamingo, që ai të bëhet i qëndrueshëm dhe vërtet revolucionar, ashtu siç e thotë edhe emri i tij.

Ajo që po ndodh është një lëvizje frymëzuese, e paparë prej shumë vitesh. Po tregon se si shoqëria, sidomos brezat e rinj, janë gati të ngrihen dhe ta thyejnë rrethin. E kanë mbajtur peshën e këtij rrethi vicioz mbi supe mjaftueshëm gjatë dhe tani nuk pranojnë më ta trajtojnë atë thjesht si rendin natyror të gjërave.

Qëllimi nuk është të parashikohet përfundimi. Qëllimi është të kuptojmë se Shqipëria ka qenë këtu më parë, në forma të ndryshme, dhe se ne do ta vendosim dallimin mes një ndryshimi të vërtetë institucional dhe një rrotullimi tjetër të së njëjtës makineri.

Kjo është arsyeja pse ndërgjegjësimi ka rëndësi tani, dhe jo më vonë.

Revolucioni Flamingo është një shans, sado i brishtë, për të shkruar një trajektore tjetër. Por nuk duhet lënë në dorë të fatit.

Ai kërkon një koalicion të gjerë që nuk pranon të ngushtohet në fraksione, një rrjedhje të lirë të informacionit që asnjë qeveri dhe asnjë oligark nuk mund ta mbyllë në heshtje, dhe qytetarë të organizuar aq mirë sa të jenë ende në këmbë kur rritet presioni.

Puna nuk është e rehatshme dhe nuk është e shpejtë.

Pyetja është: a mund të krijohet organizim dhe mobilizim që do ta përmbysi modelin dhe do të jetë ende aty vitin tjetër, pas pesë vjetësh, pas dhjetë vjetësh.. shumë kohë pasi rrugët që tani gëlojnë të jenë qetësuar?

Nëse kuptohet se çfarë është në lojë, dhe nëse veprohet sa është hapur pak dritarja, ky brez mund të jetë i pari në historinë moderne të Shqipërisë që e thyen shabllonin, në vend që ta trashëgojë atë.