
Ndodh shpesh që në perceptimin e menjëhershëm publik protestat të gjykohen vetëm nga fakti nëse rrëzojnë apo jo qeverinë; nëse ministri largohet, nëse ligji tërhiqet, nëse kërkesa plotësohet.
Por historia tregon se protestat më të rëndësishme nuk ndryshojnë strukturën politike, por transformojnë shoqërinë. Ato shërbejnë si katalizatorë që ndryshojnë mënyrën si qytetarët e shohin veten, pushtetin dhe kufijtë e asaj që është e mundur.
Në këtë kuptim, Revolucioni i Flamingove është një nga ngjarjet më të rëndësishme qytetare të dekadave të fundit.
Jo sepse ka zgjidhur problemin politik të Shqipërisë, por sepse ka nisur procesin e zgjimit qytetar, nga letargjia, dorëzimi apo arratisja në emigrim.
Ky është ndryshimi më i vështirë dhe pika e kthesës për ndryshimet e tjera që kërkon shoqëria.
Një gabim i shpeshtë në perceptimin publik është ai që njihet si gabimi logjik i Nirvanës: prirja për të besuar se ka gjithmonë një zgjidhje ideale për çdo problem dhe çdo alternativë tjetër të përçmohet duke e krahasuar me idealen që shpesh është e paarritshme.
Me këtë logjikë, nëse një kontribut nuk është melhemi që shëron të gjitha sëmundjet e vendit, ai nuk vlen fare.
Me këtë prirje alogjike, protesta po kritikohet për faktin se ajo nuk është kthyer në një organizim politik, apo se nuk ka propozuar një program qeverisës, apo se nuk ka nxjerrë një apo disa drejtues, etj. etj.
Por historia nuk funksionon kështu.
Demokracitë nuk janë ndërtuar askund nga një ngjarje e vetme, por nga qindra procese të vogla që, së bashku, ndryshuan kulturën politike.
Shumë lëvizje të mëdha qytetare në botë, edhe kur nuk e arritën objektivin e tyre të menjëhershëm, ndryshuan njëherë e mirë shoqëritë e tyre.
Prandaj, Revolucioni i Flamingove nuk duhet gjykuar me pritshmërinë që ai duhet patjetër të zgjidhë problemet tona politike 36-vjeçare.
Një protestë e vetme nuk mundet kurrë të zgjidhë problemin e korrupsionit që sundon çdo qelizë të shtetit, kapjen e shtetit nga krimi, pseudokapitalizmin klientelist që u shërben një grushti oligarkësh, emigracionin masiv, mjedisin e shkatërruar, arsimin e gjunjëzuar, shëndetësinë e prapambetur apo reformën zgjedhore.
Por një protestë mund të bëjë gjënë më të rëndësishme: t'i bindë qytetarët se ndryshimi është i mundur dhe se përgjegjësia për ta bërë atë fillon nga vetë ata.
Prandaj është koha ta shohim Revolucionin e Flamingove me realizëm.
Nuk duhet të presim që ai të prodhojë brenda pak javësh një Shqipëri të Re, me kushtetutë, plan zhvillimi, apo elitë të re politike.
Këto vijnë më vonë.
Fillimisht duhet të ekzistojë shoqëria që i kërkon ato.
Revolucioni i Flamingove ka qenë bekim në këtë drejtim sepse ka zgjuar e po vetëdijëson shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët kudo në botë.
Ai e ka zhvendosur debatin publik duke e detyruar hapësirën publike të trajtojë tema që deri dje shmangeshin.
E ka detyruar pushtetin të reagojë dhe të ekspozojë arrogancën e tij.
Ka bashkuar njerëzit që nuk njiheshin me njëri-tjetrin duke krijuar rrjete të reja qytetarësh.
Por ndoshta arritja më e madhe e Revolucionit të Flamingove është se i zhveshi elitat tona nga maskat e tyre.
Në pah ka dalë një elitë që prej vitesh predikonte moral, por që në momentin kur qytetarët dolën në rrugë, zgjodhi heshtjen dhe strukjen.
Papritur u pa se shumë akademikë, intelektualë, analistë, aktivistë apo figura publike preferojnë sigurinë personale mbi mbrojtjen publike të parimeve që predikojnë.
Shumë prej tyre nuk guxojnë ta mbrojnë hapur protestën, nuk guxojnë të thonë apo të shkruajnë atë që mendojnë.
Jo sepse nuk janë dakord, por sepse kanë frikë nga kostoja personale.
Disa kanë kontrata, disa poste, disa interesa, disa thjesht janë mësuar me rehatinë, disa e kanë bërë servilizmin stil jete.
Paradoksi është se jo pak prej tyre, në biseda private, e mbështesin lëvizjen.
Fshehurazi gëzojnë kur protesta rritet.
U pëlqen kur shohin mijëra qytetarë në shesh që dalin në mënyrë paqësore me fëmijët e tyre dhe shpalosin një kreativitet shumëngjyrësh.
Ama publikisht heshtin. Festojnë në privat atë që nuk kanë kurajën ta mbrojnë në publik.
Në anën tjetër qëndrojnë mijëra të rinj që nuk kanë as poste, as privilegje, as mbrojtje.
Ata kanë lënë pushimet, kanë lënë plazhet, kanë lënë fundjavat dhe rehatinë për të dalë në rrugë.
Kanë marrë përsipër një kosto që shumë prej atyre që prej vitesh predikojnë moral, nuk e marrin kurrë.
Janë një brez që duket se ka më pak komplekse, më pak frikë dhe më pak gatishmëri për t'u shantazhuar e nënshtruar.
Ndoshta sepse nuk kanë ndërtuar ende karriera që varen nga favori i pushtetit, nga një kontratë publike, nga një emërim politik apo nga një telefonatë e radhës.
Ata nuk kanë mësuar ende të vetëcensurohen, të peshojnë çdo fjalë nga frika se mos humbasin një privilegj.
Nuk kanë hyrë në atë rrjet varësish, kompromisesh dhe llogaritjesh që shpesh e paralizon brezin e vjetër.
Pikërisht kjo i bën më të lirë.
Liria e tyre nuk buron nga mungesa e rrezikut, por nga fakti se dinjitetin e konsiderojnë më të rëndësishëm se rehatia, ndërsa të ardhmen më të rëndësishme se komoditetin e së tashmes.
Pikërisht kjo i bën më të lirë.
Ironia është se ndërsa ata protestojnë, një pjesë e "elitave" vazhdon debatin nga bankat e studiove televizive deri tek tavolinat e kafeneve.
Jep mendime, bën analiza, kërkon strategji perfekte dhe kritikon ata që janë në shesh, pa marrë vetë asnjëherë përsipër barrën e angazhimit.
Edhe më paradoksale është sjellja e disa intelektualëve që presin që protestuesit t'u zgjidhin të tëra problemet e tyre me një të rënë të lapsit.
Ata vetë nuk dalin në protestë, nuk organizohen, nuk marrin përsipër rrezik, por presin që dikush tjetër ta bëjë punën dhe pastaj e gjykojnë nga kolltuku me telekomandë në dorë.
Mirëpo ata ende nuk po e kuptojnë që, në thelb, kjo protestë nuk është vetëm për një lagunë, për një projekt apo për një vendim qeverie.
Ajo është një protestë për dinjitetin.
Për të drejtën e qytetarit që të dëgjohet, të respektohet dhe të mos trajtohet si spektator në vendin e vet.
Liria nuk është vetëm e drejta për të votuar një herë në katër vjet; është mundësia për të folur pa frikë, për t'u organizuar, për të kundërshtuar dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje.
Një shoqëri pa dinjitet nuk mund të jetë kurrë e lirë.
Dhe pikërisht këtu qëndron vlera më e madhe e Revolucionit të Flamingove, ajo ka thyer frikën.
Frika është themeli i çdo pushteti të gjatë.
Frika se mos humbet vendin e punës, frika se mos sulmohesh personalisht, frika se mos mbetesh vetëm.
Frika se nuk ndryshon asgjë.
Kur kjo frikë fillon të thyhet, ndryshon raporti midis qytetarit dhe pushtetit.
Kur qytetarët rifitojnë dinjitetin, ata fillojnë të mbrojnë edhe lirinë e tyre.
Në këtë kuptim, protesta nuk do e finalizojë ndryshimin, por përbën fillimin e një epoke të re.
Ndoshta qeveria nuk do të bjerë nesër.
Ndoshta kërkesat nuk do të plotësohen menjëherë.
Por diçka tashmë është transformuar në mënyrë të pakthyeshme: mijëra qytetarë kanë kuptuar se nuk janë vetëm, se zëri i tyre mund të dëgjohet dhe se dinjiteti nuk është privilegj që jep pushteti, por një e drejtë që mbrohet nga vetë qytetarët.
Ky është bekimi më i madh që mund të sjellë një protestë.
Jo sepse ndryshon një qeveri, por sepse ndryshon një popull.
Dhe kur ndryshon një popull, çështje kohe, më shumë herët se vonë, do të ndryshojë edhe qeveria.
