Protesta që tregoi se Mbreti është lakuriq

Bledar M. Kurti 5 Qershor 2026, 13:06

Protesta që tregoi se Mbreti është lakuriq

Për herë të parë pas 13 viteve në pushtet, Edi Rama po përballet me një situatë që nuk po arrin as ta kontrollojë dhe as ta kuptojë.

Ai nuk arrin të kuptojë pse njerëzit kanë kaq shumë mllef ndaj tij. Në mendjen e tij, kjo nuk ka kuptim. Ai ka fituar 800 mijë vota, të cilat nuk mund t'i ikin brenda ditës. Si mund t’i vinë papritur mijëra njerëz poshtë zyrës, siç thotë ai, për t’i "qr"?

Prandaj, ai nuk di si të sillet, nuk di si të veprojë, nuk di më kujt t'i besojë.

Prandaj kërkon shpjegime kudo, veç jo tek vetja. Prandaj beson teori konspirative, sheh armiq të fshehur, flet për luftë hibride, për provokatorë, për interesa të errëta.

Në imagjinatën e rregjur nga pushteti i gjatë është gjithmonë dikush që komploton kundër tij: shovinistët greko-serbë; ekstremistët islamikë pa tru, ‘pa din e pa iman’; spiunët industrialë të turizmit.

Ai nuk e kupton se njerëzit poshtë zyrës së tij nuk protestojnë kundër parave të miliarderëve sirianë. As kundër Ivankës, Kushnerit, Trumpit, Amerikës apo kujtdo tjetër. Nuk e kupton se ata po protestojnë kundër arrogancës së pushtetit të tij, të një pushteti të ngritur mbi grabitjen e shumicës për të pasuruar pakicën.

Pas katër mandatesh në pushtet, Edi Rama nuk e njeh më shoqërinë që qeveris. Ai jeton në një botë tjetër.

Në një botë ku njerëzit i takon në aktivitete të kuruara me kujdes. Ku sallat janë të mbushura me punonjës administrate, drejtorë dhe militantë. Ku njerëzit dëgjojnë dhe ai flet. Ku kritika filtrohet përpara se të mbërrijë tek ai. Ku pakënaqësia zbutet, justifikohet ose fshihet.

Në këtë botë nuk dëgjohet zëri i atyre që luftojnë për të paguar qiranë, kredinë apo faturat. Nuk dëgjohet zëri i atyre që kanë humbur pronën, biznesin apo shpresën. Nuk dëgjohet zëri i atyre që përballen çdo ditë me zyrtarë që i shohin në xhep dhe jo në sy.

Në botën e tij, ai është i dërguari nga Lart me një mision historik: të udhëheqë shqiptarët mesjetarë drejt një bote moderne, të sofistikuar, me klas. Prandaj turmat injorante duhet ta durojnë kokulur që ai ta projektojë dhe ndërtojë i qetë këtë Shqipëri parajsë. (Dhe pastaj ta çmojë historia më shumë se Zogun, më shumë se Ismail Qemalin, më shumë edhe se Skënderbeun).

Për vite me radhë 'turmat' ja dhanë këtë qetësi "krijuese". Edhe kur ndonjëherë ato kanë bërë zhurmë, apo kanë protestuar, ai ka ditur gjithmonë si t’i menaxhojë dhe kontrollojë. Ai e ka mësuar që në çdo rast të kërkojë organizatorët, financuesit, apo dirigjentët e tyre. Dhe pastaj t'i blejë, t'i përçajë e kontrollojë.

Prandaj ai është i habitur se si mund të ketë njerëz që protestojnë të lirë në këtë sistem që ai ka ndërtuar.

Sepse nuk e kupton se si njerëz të paorganizuar nga partitë, të papaguar nga askush dhe pa ndonjë interes politik mblidhen çdo mbrëmje kundër tij.

Atij nuk i ka ndodhur asnjëherë që njerëzit të mos duan as ta dëgjojnë, as ta shohin, as ta përfillin.

Kjo është arsyeja që çdo kundërshtim që tani nuk e kontrollon dot e acaron dhe e tërbon.

Prandaj edhe pyetjet e gazetares së CNN-it, një rast i rrallë këto vite kur atij iu desh të përballej me pyetje të vërteta, ia zbuluan hapur identitetin e qenies në të cilën është transformuar. I bezdisur, i nervozuar, arrogant, gati kërcënues.

Në sytë e një audience globale, u desh vetëm një gazetare e qetë me dy pyetje të thjeshta për ta shpërfaqur atë ashtu siç ai është: një njeri në hall.

Dhe kur është aq në hall sa nuk duron dot dy pyetje nga CNN, të cilin nuk e ka në dorë, si mund të durojë ai njerëzit t'i protestojnë përpara zyrës?

Ndaj në ditën e katërt të protestës u tundua drejt gabimit të madh që bën çdo autokrat: atë që nuk e kupton, nuk e duron; atë që i trembet, përpiqet ta shuajë me dhunë.

Dita e katërt e protestës tregoi jo forcën e pushtetit, por pasigurinë e tij.

Bllokoi me barriera hekuri bulevardin, nxori policinë me skafandra në rrugë dhe sulmoi me ujë njerëzit paqësorë, të rinjtë me flamuj në dorë, prindërit me fëmijët në krahë.

Këto veprime flasin më shumë se fjalimet patetike e bajate përpara drejtorëve e nëpunësve të marrë përdhunshëm në tubime partiake.

Dhunë ndaj prindërve me foshnje në krahë nuk është shenjë force. Është shenja e dobësisë së madhe të një pushteti që kërkon të rrijë në këmbë duke mbjellë frikë mbi popullin e tij.

Ajo tregon se udhëheqësi është i lodhur, se e kanë lënë nervat dhe se nuk e duron më hapur popullin e vet.

Por mbi të gjitha, tregon diçka tjetër: se ai vazhdon të kërkojë komplote aty ku ka pakënaqësi, dirigjentë aty ku ka qytetarë dhe armiq aty ku ka njerëz që thjesht nuk duan të jetojnë më sipas rregullave të sistemit që ai ka ndërtuar.

Mbreti është lakuriq dhe i mërzitur sepse shqiptarët nuk po ia pëlqejnë kostumin.