Protesta nuk ka nevojë për tutorë

Neritan Sejamini 7 Korrik 2026, 12:30

Protesta nuk ka nevojë për tutorë

Nëse do pyesje intelektualët apo ekspertët publikë për perspektivën politike të Shqipërisë deri një ditë para fillimit të protestave, shumica do jepnin variante të pohimeve: “shqiptarët kanë frikë të ngrihen”, “shqiptarët emigrojnë, nuk luftojnë”, “Rama nuk mundet dot”, “Rama i manipulon dhe kontrollon të gjithë”, etj.

Por shqiptarët u çuan. Shqiptarët thyen frikën. Shqiptarët po kërkojnë të jetojnë në Shqipëri, jo të migrojnë. Edi Rama është tashmë i pafuqishëm për të ndikuar dhe manipuluar.

Intelektualët dhe ekspertët publikë nuk qenë në gjendje ta shihnin grumbullimin e zhgënjimit e zemërimit në shoqëri, as aspiratën e shumë shqiptarëve për të ndërtuar një jetë të lirë në Shqipëri, dhe as bjerrjen e imazhit të Ramës dhe kufijtë e propagandës së tij.

Në këtë një muaj e ca reflektim të gjerë shoqëror e individual, mund të mendohej se edhe intelektualët e ekspertët publikë do të reflektonin—do të reflektonin për veten dhe shoqërinë, dhe veçanërisht për rolin e tyre në shoqëri.

Por duket se në vend të reflektimit, shumica e tyre ka vazhduar rolin e zakonshëm të leksioneve sipërfaqësore, tashmë të përqendruar në këshilla se si duhet të zhvillohet protesta dhe çfarë duhet të bëjnë protestuesit.

Një pjesë e madhe e diskursit të tyre është kritik dhe qortues që protesta nuk ka arritur kthjelltësinë që ata vetë kanë, dhe që protestuesit nuk po ndërmarrin hapat që ata mendojnë se duhet të ndërmarrin.

Një mendimtar i marrëdhënieve njerëzore thoshte se “çdo budalla mund të kritikojë, ankohet dhe dënojë—dhe shumica e budallenjve këtë bëjnë. Por duhet karakter dhe vetëpërmbajtje për të kuptuar dhe falur”.

Duket se ky tundim për të kritikuar dhe mungesa e vetëpërmbajtjes është shtysa që i ka bërë intelektualët dhe ekspertët publikë të shikojnë me lupë çdo njeri dhe çdo ndodhi në protestë.

“Ç’janë këta që nuk kanë asnjë ide të re?”

“Ç’janë këta që kanë kaq shumë ide të shpërndara?”

“Po këtë që nuk di të flasë, pse e kanë nxjerrë të flasë?”

“Po pse hodhën këtë parullë apo meme pa shije?”

“Po ky që ka punuar në administratën socialiste çfarë do në protestë?”

“Pse po ndikohen nga kjo parti apo ajo organizatë?”

Ndoshta, disa nga këto pyetje mund të jenë legjitime. Ndoshta, disa vërejtje mund të jenë me vend. Ndoshta, disa gjëra mund të bëheshin më mirë.

Por kjo ngutje për të kritikuar i ka penguar ata që të kuptojnë thelbin e protestës dhe atë që ajo ka arritur.

Protesta ka zgjuar shoqërinë, ka ndryshuar thellësisht kornizën politike të vendit dhe ka rikonfirmuar aspiratën për liri, dinjitet dhe vlera perëndimore të shqiptarëve.

Me qytetarinë, dinjitetin dhe shpirtin krijues të mijëra protestuesve, ajo ka triumfuar mbi fasadat mashtruese, mbi propagandën manipuluese dhe mbi degradimin moral të elitës sonë politiko-ekonomiko-mediatike.

Ky zgjim dhe vetëdijësim duhet të ishin misioni i intelektualëve dhe ekspertëve publikë, duhet të ishin objektivi i punës së tyre krijuese intelektuale.

Por ata dështuan në këtë mision, të cilin e përmbushën në pak javë qytetarët e thjeshtë, duke zbuluar kështu edhe paaftësinë dhe boshllëkun e madh të ideve mes intelektualëve dhe ekspertëve tanë.

Këto ditë kam takuar gazetarë, aktivistë dhe politikanë të huaj që kanë vizituar Shqipërinë për shkak të protestave (një tjetër arritje e “flamingove”). Pasi u shpjegon me pak fjalë gjendjen ekonomike dhe politike të vendit, disa kërkojnë që të lexojnë ndonjë material më të thellë për ekonominë, politikën, shoqërinë e sotme shqiptare.

Mund të duket absurde, por nuk ka thuajse asgjë të tillë. Përjashto artikujt investigativë të pak gazetarëve e shumë pak hulumtime shkencore kryesisht në albanologji, nuk ka asnjë analizë sistematike, asnjë hulumtim apo studim serioz të ekonomisë, politikës dhe shoqërisë sonë të sotme.

Ne kemi mijëra doktorë e profesorë të ekonomisë, por nuk kemi studime të mirëfillta të strukturës ekonomike, produktivitetit, sipërmarrjes, të sektorëve ekonomikë (bujqësisë, industrisë, shërbimeve etj.).

Kemi mijëra ekspertë, specialistë dhe hulumtues, por nuk kemi studime të thella të arsimit, të shëndetësisë dhe fushave sociale.

Kemi kaq shumë ekspertë të qeverisjes dhe institucioneve, por nuk kemi studime serioze të qeverisjes dhe administratës publike.

Nuk kemi studime sistematike të natyrës dhe shtrirjes së korrupsionit dhe krimit (ironikisht studimi i vetëm i krimit të organizuar është ai i para një dekade nga ministri i sotëm i Brendshëm, Besfort Lamallari).

Nuk kemi as studime për problemet që shoqëria, familja apo individi shqiptar ndesh sot.

Ky boshllëk dijesh ndoshta nuk është i rastësishëm. Kur mungon kërkimi serioz dhe prodhimi i ideve, intelektuali e zëvendëson analizën me komentin e përditshëm.

Si pasojë, një pjesë e madhe e intelektualëve dhe ekspertëve tanë janë zhvendosur nga kërkimi sistematik dhe mendimi i lëvruar drejt komentit të përditshëm.

Shumë prej tyre konsumohen në diskutime sipërfaqësore, kryesisht televizive, duke lënë një shkretëtirë idesh dhe mungesë vlerash në shoqërinë tonë.

Pikërisht kjo qasje prej komentatori po reflektohet edhe këto kohë kur shqiptarët kërkojnë ndryshimin e thellë të sistemit politik-ekonomik e shoqëror në vend.

Kjo është koha kur intelektualët duhet të linin kritikat e vetëkënaqura me siguri arrogante për t’iu kthyer analizave sistematike dhe mendimeve serioze.

Por ata po dështojnë përsëri duke u sjellë si kritizerë dhe jo prodhues idesh.

Intelektualët duhet të kuptojnë se detyra e tyre nuk është të administrojnë protestën, por të formulojnë ide e vizion për të ardhmen e vendit nisur nga gjendja ku jemi.

Shpjegimi dhe promovimi publik i këtij vizioni apo ideve është shërbimi më i madh që ata mund të japin për të mundësuar ndryshimin që kërkojnë qytetarët që protestojnë.

Detyra e intelektualëve është të bëjnë të qartë zgjedhjen e rëndësishme morale me të cilën ndeshemi sot si shoqëri dhe individë.

Është të bëhen zë i vetëdijes që u bën thirrje shqiptarëve të zgjedhin rrugën e ripërtëritjes për të dalë nga kalbëzimi moral e politik ku kemi rënë si shoqëri.

Detyra e intelektualëve është edhe të tregojnë kurajë shoqërore kundër së keqes për të frymëzuar gjithë të tjerët të gjejnë kurajën e tyre dhe të ngrenë zërin e tyre.

Intelektualët nuk kanë pse të shqetësohen për fatin e protestës: forca e saj janë mijëra qytetarët e lirë që dalin çdo ditë në shesh.

Protesta ka arritur shumë dhe, me shpresë, do të jetë si një pikë e madhe kthese për shoqërinë tonë. Nëse qytetarët do të qëndrojnë të bashkuar pa u shpërqendruar nga qëllimi i tyre përbashkues, dorëheqja e qeverisë, ata mund ta arrijnë edhe këtë.

Protestat mund të rrëzojnë regjime, por nuk ndërtojnë sisteme.

Sistemet ndërtohen nga idetë. Dhe prodhimi i ideve është detyra që intelektualët nuk duhet ta braktisin.