Përplasja Basha-Berisha në vjeshtën e vitit 2021 ishte jo vetëm sfidë për kontrollin e partisë së dytë më të madhe në Shqipëri, por edhe një ngjarje që hodhi dritë mbi një të vërtetë që diskutohet pak: mungesën e institucionalizimit të partive në vend.
Përplasja mes dy udhëheqësve për kontrollin e një partie nuk ndodhte për herë të parë në vitin 2021. Në rastin më të shquar, në vjeshtën e vitit 1999, Fatos Nano dhe Pandeli Majko u përplasën për kreun e PS-së. Sfida u zgjidh me votim në kongresin e PS-së: Nano fitoi me pak vota avantazh. Edhe pse PD deri në atë kohë domihohej nga një person i vetëm, në momentin e krizës triumfoi rregulli procedurial: të dyja palët pranuan rregullat e parashkruara të vendimmarrjes brenda partisë.
Në PD e 2021 kriza u shpalos ndryshe. Ajo filloi sepse kryetari Basha injoroi procedurën formale dhe duke injoruar organet vendimmarrëse të partisë. Pasi Zoti Berisha vendosi të sfidonte Zotin Basha, kriza u thellua sepse në parti nuk pati dakordësi se cila do të ishte mënyra e zgjidhjes së përplasjes.
Gjatë konfliktit u zbulua se statuti ishte ndryshuar disa herë pa u depozituar zyrtarisht. Nuk kishte lista të verifikueshme anëtarësie. Nuk kishte procedura të qarta për identifikimin dhe votimin e anëtarëve. Organe që ekzistonin në letër nuk funksionuan në praktikë.
Rezultati ishte një situatë ku dy struktura paralele pretendonin legjitimitet mbi emrin, simbolin, vulën dhe financimin publik të partisë. Konflikti nuk u zgjidh institucionalisht; ai u zhvendos jashtë institucioneve.
Ky nuk është thjesht një problem organizativ. Është simptomë e një modeli partie të personalizuar, ku autoriteti buron nga individi dhe jo nga rregullat (ligjet) e partisë.
Ky model ka tipar kryesor nivelin e ulët të asaj që njihet si institucionalizim i një partie: ekzistencën e rregullave të qarta, organeve funksionale vendimmarrëse dhe procedurave të konsoliduara, si dhe të aftësisë për të zgjidhur konfliktet përmes mekanizmave formalë, jo përmes përplasjeve individuale. Kur këto elemente mungojnë, partia funksionon si një rrjet personal besnikërish, jo si institucion demokratik.
Inflacioni i partive guackë
Problemi i institucionalizimit nuk kufizohet tek partitë e mëdha. Në Shqipëri ekzistojnë rreth 137 parti të regjistruara. Në vitin 2022, auditimi i ndërmarrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zbuloi se mbi 80 partive nuk ekzistojnë në adresat ku ishin regjistruar. Mbi 84 parti nuk dorëzuan raporte financiare në vitin 2025. Dhjetë deklaruan zero të ardhura dhe zero shpenzime.
Mbi tre të katërtat e partive të regjistruara nuk marrin pjesë asnjëherë në zgjedhje. Disa nga ato që kanë marrë, nuk kanë arritur as 3 mijë vota, sa është numri minimal i anëtarëve që duhen për regjistrimin e një partie.
Praktikisht, ato janë parti vetëm në letër. Ato nuk kanë nuk kanë aktivitet, nuk kanë struktura, nuk kanë anëtarësi. Megjithatë, gëzojnë status juridik si subjekte politike.
Në një sistem të institucionalizuar, ekzistenca e një partie kërkon jo vetëm regjistrim fillestar, por edhe përmbushje të vazhdueshme të standardeve organizative, financiare dhe të veprimtarisë.
Në këto kushte, a duhet që ato të njihen formalisht si parti? A duhet të njihen si parti ato që nuk marrin pjesë në zgjedhje? Po ato që, edhe kur marrin pjesë, fitojnë më pak vota se numri minimal i anëtarëve që kërkohen për regjistrimin si parti? Po partitë që nuk paraqesin raporte financiare apo nuk deklarojnë asnjë të ardhur dhe asnjë shpenzim? Po partitë që nuk kanë asnjë funksionar apo zyrtar të punësuar? Po ato që nuk kanë zyra dhe as adresë?
Përgjigjja më e thjeshtë do të ishte: jo, ato duhet të çregjistrohen ose të detyrohen të riregjistrohen duke përmbushur kushtet përkatëse.
Me një qasje ndoshta më të arsyeshme, mund të arrihet një dakordësi e gjerë se partitë duhet të plotësojnë disa kushte minimale institucionale dhe veprimtarie për të ruajtur regjistrimin dhe statusin si parti. Në këtë mënyrë do të pastrohej skena partiake nga partitë guackë apo fantazma.
Partitë e mëdha: forcë politike, dobësi institucionale
Çështja më e vështirë mbetet ajo e partive të mëdha, të cilat, ndonëse plotësojnë të gjitha kushtet formale për të qenë organizata partiake kanë një shkallë të ulët institucionalizimi.
Thuajse të gjitha mbështeten tek një udhëheqës i fortë karizmatik apo themelues, dhe ekzistenca e tyre mund të vihet në dyshim kur ky udhëheqës të largohet.
A do ta mbijetojë PD largimin e Sali Berishës? PS largimin e Edi Ramës? PL largimin e Ilir Metës? Po partitë e tjera largimin e Adriatik Lapajt, Agron Shehajt, Arlind Qorit?
Këto nuk janë pyetje personale, janë strukturore. Partitë e institucionalizuara ndërtojnë mekanizma suksesi përtej individëve. Ato kanë procedura për zgjedhjen dhe zëvendësimin e drejtuesve. Ato kanë organe që funksionojnë pavarësisht krizave.
Nëse një parti destabilizohet nga largimi i liderit, kjo tregon se autoriteti ishte personal, jo institucional.
Pse ka rëndësi institucionalizimi?
Natyrshëm, institucionalizimi çon në më shumë demokraci dhe konkurrencë të brendshme. Kur vendimmarrja brenda partisë nuk kontrollohet nga një person i vetëm, ka më shumë hapësirë për konkurrencë, meritokraci dhe përfaqësim.
Më tej, partitë me institucionalizim të lartë i kanë rrënjët në shoqëri dhe përfaqësojnë interesa shoqërore, të bazuara në arsye ideologjike apo politika të caktuara. Partitë me institucionalizim të dobët që mbështeten në burimet shtetërore dhe klientelizëm për të mbajtur anëtarësinë. Anëtarët i qëndrojnë besnikë partisë për të përfituar favore kur partia vjen në pushtet, si punësim, favore ekonomike apo akses të privilegjuar në burimet shtetërore.
Pasojat janë tê qarta: qeverisje klienteliste dhe korrupsion.
A mund të imponohet institucionalizimi?
Shqipëria nuk ka krizë pluralizmi formal. Ka krizë institucionalizimi partiak. Nga njëra anë, parti fantazmë që ekzistojnë vetëm në regjistër; nga ana tjetër, parti të mëdha të fuqishme politikisht por të dobëta institucionalisht.
Por a mund të imponohet institucionalizmi me ligje dhe rregulla? Apo institucionalizimi — përfshirë nivelin e demokracisë së brendshme — mund të arrihet vetëm me vetërregullim dhe vetëpërmirësim nga partitë?
Rregullimet e moderuara mund të jenë një fillim i mirë, për të shmangur transformimet e mëdha në letër por që nuk zbatohen në praktikë.
Ligji mund të vendosë standarde minimale për të ruajtur regjistrimin: depozitimin dhe publikimin zyrtar të statuteve; mbajtjen e regjistrave të anëtarësisë; standarde minimale organizative dhe të menaxhimit financiar; detyrimin për zgjedhje të rregullta partiake; etj.
Por ligji nuk mund të imponojë kulturë demokratike apo besnikëri ndaj rregullit. Këto ndërtohen përmes praktikës dhe presionit publik. Prandaj vetërregullimi ka rëndësi më të madhe edhe se rregullimi.
Sido që të jetë, një gjë duhet të jetë e qartë: partitë nuk janë shoqata private të zakonshme; ato janë institucione themelore të rendit politik të vendit. Prandaj është legjitime që shteti të kërkojë prej tyre standarde minimale institucionalizimi, transparence dhe llogaridhënieje.
Pa parti të institucionalizuara nuk mund të ketë demokraci. Pa rregulla të respektuara brenda partive nuk mund të ketë qeverisje të përgjegjshme prej tyre.
Nëse partitë mbeten organizata të kontrolluara nga individë dhe jo institucione të rregulluara nga norma, në vend të demokracisë do të kemi qeverisje autokratike.
