“Paketa e Maleve” si ankandi i fundit: Pushteti i ngelur pa pasuri për të falur e pa mburojë për të mbrojtur

Adri Nurellari 18 Shtator 2026, 12:30

“Paketa e Maleve” si ankandi i fundit: Pushteti i ngelur pa pasuri

Për më shumë se një dekadë, debati publik mbi jetëgjatësinë e pushtetit të Edi Ramës ka mbetur i bllokuar në analiza sipërfaqësore ku flitet kryesisht për magjinë e propagandës digjitale, për kontrollin e hekurt mbi mediat, për dobësinë kronike të opozitës apo për njëfarë apatie fatale të shoqërisë shqiptare.

Në të vërtetë, ai e ka mbajtur pushtetin kryesisht përmes një pakti të hekurt të ndërtuar mbi dy shtylla: nga njëra anë, shpërndarja e pandërprerë e plaçkës publike dhe, nga ana tjetër, garancia e paprekshmërisë ligjore për oborrin.

Por çdo ekonomi grabitqare mbart brenda vetes një limit mekanik dhe të pashmangshëm: pasuria fizike për t’u tjetërsuar nuk është e pafundme, ndërsa monopolin mbi fshehjen e së vërtetës nuk e ruan dot përjetësisht.

Një regjim që jeton duke shpërndarë Shqipërinë natyrshëm hyn në agoni kur i mbaron Shqipëria, si dhe shembet kur nuk garanton dot më paprekshmërinë e oborrtarëve.

Prandaj regjimi i është kthyer pasurisë së fundit që i ka mbetur. Pasi qytetet u ngjeshën deri në asfiksi me kulla dhe bregdeti u copëtua në feude resortesh oligarkike, radha u ka ardhur pyjeve, kullotave, lumenjve dhe majave të thella.

E ashtuquajtura Paketa e Maleve nuk përfaqëson ndonjë vizion të ri zhvillimi rural apo ekonomik; është thirrja e dëshpëruar e një regjimi që ka hapur sirtarin e fundit të inventarit kombëtar për ta mbajtur veten në këmbë duke blerë besnikërinë e klientëve të tij.

Në çdo mandat të saj, qeverisja socialiste ka hapur një kufi të ri territorial dhe monetar për t’u shfrytëzuar, ndërsa klientela kërkon gjithnjë e më shumë plaçkë.

Në vitet e para, ishin paratë e buxhetit: tenderët masivë të rrugëve, koncesionet shëndetësore dhe partneritetet publik-private, si ai i inceneratorëve. Paraja publike u derdh drejtpërdrejt nga buxheti i varfër drejt kompanive guaskë, pas të cilave fshiheshin klientët.

Paralelisht, më pas nisi nxjerrja në ankand e pasurive të nëntokës. Licencat minerare, lejet për gurore, koncesionet e hidrokarbureve dhe të drejtat e shfrytëzimit të pasurive nëntokësore u bënë thesari i radhës për klientelën.

Kur thesi i buxhetit u shtrëngua dhe s’kishte mbetur më asnjë minierë pa u dhënë, nisi faza e dytë, ajo e privatizimit dhe betonizimit të qyteteve kryesore.

Tirana dhe qendrat kryesore urbane u kthyen në lavatriçe gjigante të pastrimit të parave të dyshimta dhe në kantier shpërblimi për klientët. Kullat mbinë mbi parqe, mbi lulishte dhe mbi vendet e trashëgimisë historike, duke i kthyer ato në fusha betoni dhe duke sjellë asfiksi infrastrukturore.

Faza e tretë ishte zbarkimi mbi det. Përmes ligjit të investimeve strategjike dhe çarmatosjes së ligjit për zonat e mbrojtura, vija bregdetare nga veriu në jug iu shpërnda me vendime qeverie një grushti njerëzish.

Portet civile dhe ushtarake u hoqën nga funksioni tregtar e strategjik për t’u shndërruar në projekte rezidenciale jahtesh dhe apartamentesh private. Bregdeti u mbush me gardhe dhe plazhe ekskluzive, duke i lënë qytetarët pa qasje te plazhi ku kishin kaluar gjithë jetën.

Dhe kështu qeveria mbërriti në fazën e tanishme, në mandatin e katërt: Paketa e Maleve.

Pasi u ndanë tenderët dhe kontratat PPP, pasi u mbytën qytetet me beton dhe pasi u fal çdo pëllëmbë rëre buzë Jonit dhe Adriatikut, sytë e pushtetit u kthyen nga lartësitë.

Propaganda e paraqet këtë nismë si një projekt fisnik për “zhvillimin e turizmit malor” dhe “gjallërimin e fshatit”. Por në vizionin e ekonomisë politike të regjimit, kjo nuk është veçse zbarkimi i fundit i plaçkitjes mbi pjesën e mbetur të territorit.

Paketa e Maleve është rezultati i shterimit të burimeve të tjera. Kur pushtetit i duhet të japë edhe shpatin e thellë të pyllit, kullotën alpine, ujëvarat dhe majat e thepisura, kjo do të thotë se inventari i zakonshëm i favorshëm ka mbaruar.

Është sjellja tipike e tregtarit të falimentuar që, pasi ka shitur mallin e luksit dhe orenditë e dyqanit, fillon të heqë dërrasat e dyshemesë për t’i bërë dru zjarri.

Paketa e Maleve synon të heqë pengesat mjedisore për ndërtimet në zonat malore, duke u dhënë me koncesione e leje të posaçme klientëve të qeverisë ato toka që natyra dhe largësia i kishin shpëtuar deri dje.

Pas maleve nuk mbetet më asgjë për t’u shpërndarë. Malet janë fundi i favoreve ekonomike për të ruajtur besnikërinë e klientëve.

Por kriza e regjimit nuk buron vetëm nga shterimi i plaçkës publike. Regjimit po i shembet edhe shtylla e dytë, monopoli mbi drejtësinë dhe garancia e imunitetit.

Për vite me radhë, pushteti mund të kontrollonte prokurorët, të fshihte dosjet, të frikësonte dëshmitarët dhe të mbyllte hetimet përmes kontrollit politik të drejtësisë.

Por kjo kupolë mbrojtëse është çarë përfundimisht falë SPAK-ut. Kjo kupolë mbrojtëse është çarë edhe sepse provat nuk prodhohen më vetëm në Shqipëri. Komunikimet e zbërthyera të EncroChat dhe Sky ECC, hetimet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me Europolin e Eurojustin kanë nxjerrë jashtë kontrollit të Tiranës një pjesë të dosjeve.

Kryeministri Rama mund të emërojë një ministër, por nuk mund të çregjistrojë një bisedë nga serverët europianë; mund të kontrollojë shumicën parlamentare, por jo laboratorët e Europolit.

Hetimet nuk janë më çështje e vullnetit të një prokurori tipik lokal shqiptar që mund të shantazhohet apo joshet me një post. Kur provat ruhen jashtë vendit, bie edhe garancia e imunitetit brenda tij.

Të gjithë ata që dje ndërtonin me para të pista, merrnin tendera të paracaktuar apo shfrytëzonin lidhjet e errëta politike, e kuptojnë sot se qeveria nuk i mbron dot më. Rrjedhimisht, frika zëvendëson besnikërinë dhe dyshimi zëvendëson bashkëpunimin.

Përvoja historike me regjimet grabitqare dhe sistemet e thella klienteliste tregon se ky është një skenar i mirënjohur që ka rrëzuar regjime në dukje të pathyeshme. Për këtë nuk ka nevojë të shikohet larg, mjaftojnë fqinjët.

Në Maqedoninë e Veriut, Nikola Gruevski besoi se megalomania e betonit dhe kapja e plotë e institucioneve do t’i garantonin përjetësinë, derisa përgjimet ia dogjën mburojën politike dhe e lanë të braktisur nga po ata oligarkë që kishte ushqyer.

Sistemi gati 3-dekadash i Milo Gjukanoviçit në Mal të Zi, pasi shteroi koncesionet e bregdetit dhe pasuritë publike për klanin e tij, në dëshpërimin e fundit për të gjetur inventar të ri kontrolli e grabitjeje, guxoi të vinte dorë mbi pronat e kishës; një kapërcim kufijsh që ndezi revoltën e pakthyeshme popullore.

Paralelisht, dosjet e agjencive perëndimore dhe zbërthimi i kodeve të komunikimit ia zhbënë atij përfundimisht monopolin mbi pandëshkueshmërinë.

Këtu mbyllet përfundimisht cikli jetësor i këtij modeli. Një pushtet që e mbajti veten në këmbë duke përdorur territorin kombëtar si monedhë shpërblimi dhe kontrollin mbi drejtësinë si mburojë, sot e gjen veten pa asnjërën nga këto leva.

Kur lideri mbetet pa pasuri publike për të joshur dhe pa mburojë ligjore për të garantuar paprekshmërinë, e gjithë arkitektura e besnikërisë kthehet në panik.

Loja e këtij pushteti po mbaron dhe e vetmja gjë që pret mbi tryezë është fatura e pashlyer e këtij rrënimi kombëtar.

 

Shpërndaje te miqtë