
Siç pritej, gjatë fundjavës thuajse nuk pati asnjë reagim nga arkitektët ndërkombëtarë të përfshirë në The Albanian Files në lidhje me artikullin tim të javës së shkuar, pavarësisht ftesës sime dashamirëse.
I vetmi që gjeti kohë të shkruante ishte Martin Sobota nga Cityförster, i cili në kontributin e tij në botimin e mësipërm shkruan:
“Ne u magjepsëm me pyetjen se si bregdeti i fundit i pazhvilluar i Mesdheut mund të krijojë një model të ri zhvillimi duke shmangur rënien pre ndaj turizmit grabitqar masiv që përfundimisht shkatërron pikërisht atë që synon të zhvillojë.”
Por në vend që Sobota të fliste publikisht kundër “turizmit grabitqar masiv” që aktualisht po shkatërron bregdetin shqiptar, ai më dërgoi një email në holandisht:
O Zot, Vincent. Ndoshta i njeh esetë e Reinier-it. Ky tekst sigurisht që është menduar në mënyrë ironike. E kuptoj që përballë ngjarjeve të fundit humbet sensin e humorit, por e di me siguri që Reinier nuk dëshiron të anulojë zgjedhjet apo ta ngrejë Ramën në nivelin e Mbretit. Dhe sigurisht, as ne nuk duam.”Duke ju përgjigjur pyetjeve të tjera që bëje:
Ne nuk u kemi dhënë kurrë para apo përfitime të tjera zyrtarëve të qeverisë; gjithë punën tonë e bëjmë mbi bazën e faturave dhe transfertave zyrtare bankare dhe, për aq sa është e mundur, bëjmë verifikime të së shkuarës së klientëve tanë.
Paragrafi i fundit standard ishte në anglisht, pa dyshim i dërguar prej departamentit të tij ligjor dhe i kopjuar në email.
Njeriu pyet veten çfarë kupton ai me “verifikime të së shkuarës” për klientin e tij Gjikuria shpk, kompani që duket se ka përvetësuar në mënyrë të parregullt subvencione bujqësore të Bashkimit Europian.
Gjithsesi, argumenti “është ironi/satirë” është bërë kundërsulmi i preferuar i komunitetit të arkitekt-yjeve (të vetëquajtur gjithashtu “ushtria e artit” apo “ushtria ark”, sipas emrit të grupit të tyre në WhatsApp) ndaj kritikave për librin The Albanian Files.
Edhe vetë Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij të fundit të transmetuar gjatë fundjavës, u mbrojt me të njëjtën mënyrë:
“Ky libër quhet “The Albanian Files”. Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë. […]
“The Albanian Files” është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni, se s’mund ta quaj dot intelektual, se nuk është intelektual, por nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje. Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës. […]
Patjetër që ka gjëra të diskutueshme, patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, çfarë të doni, por që t’i qepesh një botimi të tillë, njësoj si të ishte koha e Revolucionit Kulturor Kinez dhe, mbi të gjitha, pastaj të kapesh me një tekst, i cili është një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson njërën prej studiove më të mëdha në historinë e arkitekturës bashkëkohore, studion “OMA”, të themeluar dhe të udhëhequr nga legjendari Rem Koolhaas, ky është kulmi. […]
Kjo letër është kthyer përmbys. Megjithatë ajo tregon se libri në fakt është krejtësisht i lirë, pa kontroll. Të gjithë kontribuesit kishin liri të plotë në kontributet e tyre. […] Letra e Reinier de Graaf është provë e kësaj autonomie. […] Duhet ta njihni autorin; ai ka një stil ironik, satirik dhe hiperbolik të njohur globalisht, që e përdor në punën e tij.
[Letra] s’ka lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar.
Të gjithë autorët, pra të gjithë pjesëmarrësit, kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre… [Letra] e hapur e Reinier de Graaf është një dëshmi e kësaj autonomie. […]
[Duhet] njohur autori... Ka një stil botërisht të njohur ironik, satirik, paradoksal, hiperbolik, mjete që ai i përdor në punën e tij.
Si Sobota ashtu edhe Rama vënë në dyshim nëse unë “e njoh autorin”. Prandaj për ta njohur, ndoshta mund të shohim gjëra të tjera që De Graaf ka thënë, për shembull gjatë konferencës Bread and Heart në vitin 2025 në Tiranë.
De Graaf shfaqet në panelin e parë që trajton temën e dështimeve, së bashku me Freek Persyn nga 51N4E.
Menjëherë pas fjalës hapëse të Ramës që i uroi mirëseardhjen “ushtrisë së artit”, ushtrisë së tij të fuqishme, flet De Graaf që përshkruan konferencën me fjalë pompoze si “bajram i shpirtit”, “sakrificë e egove”, “gjeometri e përkatësisë” dhe “një bast i guximshëm mbi arkitekturën”.
Ndërsa Persyn, rindërtimi prej të cilit i Sheshit Skënderbej është aktualisht nën hetim nga SPAK, nuk arriti dot të fliste gjatë në minutat e para, pasi ishte i prekur deri në lot nga rapsodia e Ramës:
“Siç mund ta shihni të gjithë, jam shumë i prekur nga ajo që sapo u tha dhe nuk mund ta fsheh.”
Kur moderatori e pyeti çfarë ishte kaq prekëse, Persyn, i cili ka projektuar vilën private të Ramës, zyrën e tij si dhe vetë ndërtesën ku mbahej festivali, tha:
“Ajo që më prek është se ndjej që këto fjalë [të Ramës] janë të vërteta.”
Ai përlotet. Në sallë shpërthejnë duartrokitje të fuqishme.
“Fakti që ai [Rama] është në gjendje të artikulojë të njëjtën gjë që unë ndjej është… i rrallë.”
Rasti i vetëm i ngjashëm që unë njoh për këtë lloj shfaqjeje publike emocionale ndaj fjalimeve të një politikani shqiptar janë kronikat komuniste të adhurimit popullor ndaj ish-diktatorit Enver Hoxha.
Në fjalët e tij, Persyn nuk duket si një arkitekt “autonom” apo “i pavarur”, por si dikush që ka investuar gjithë karrierën e tij, ndoshta edhe një pjesë të madhe të identitetit dhe mirëqenies së tij emocionale, tek Shqipëria dhe marrëdhënia me udhëheqësin e saj të madh.
Duke qenë se paneli supozohej të ishte mbi dështimet, ndoshta nënvetëdija e Persynit e tradhtoi… por po e lë me kaq.
Dua vetëm t’i them, Freek, nëse po e lexon këtë artikull: terapia është një opsion i mirë.
De Graaf, i cili pas fjalëve të Persynit ndjen se nuk mund të mbetet pas tanimë që emocionet janë kaq të forta dhe padroni qëndron përballë tij.
Duke vështruar panelin ai thotë: “Edhe unë jam thellësisht i prekur, edhe pse mund të mos i shfaq në sipërfaqe shenjat e të qenit i prekur në të njëjtën mënyrë siç sapo e tregoi Freek. Jam i prekur, por më shumë se kaq jam çuditërisht i habitur nga Shqipëria.”
Ai më pas vazhdon të rendisë një sërë klishesh për të cilat është “i habitur”, të cilat nuk e meritojnë t’i përsëris këtu.
Pyetja ime është: edhe këto fjalë janë ironi? Në video ai duket mjaft i sinqertë.
Le të lexojmë, në fakt, vetë fjalët që zgjedh De Graaf, ky satirist dhe ironist me famë ndërkombëtare, që sipas kryeministrit tonë kënaqet me hiperbolat, kur shkruan në manifestin e tij të fundit Architecture against Architecture:
“Çështjet më të mëdha shoqërore që ndikojnë arkitekturën – të njëjtat çështje që ndikojnë çdo profesion tjetër – nuk ishin puna jonë. Kjo deri sa bota na i imponoi si punën tonë. Në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje. Koha më në fund po e vuri para përgjegjësisë arkitekturën, duke i treguar se ajo është shkëputur nga realiteti.”
Këto fjalë nuk më tingëllojnë aspak ironike. Por është befasuese që De Graaf, tashmë që shqiptarët po përballin në masë ndikimin shoqëror të profesionit të tij, ka zgjedhur të heshtë.
Ndoshta ai është po aq i shkëputur nga realiteti sa kolegët e tij, pavarësisht fjalëve të tij provokuese?
Në të vërtetë, siç vëren vetë De Graaf, “Arkitektura në formën e saj aktuale ka humbur çdo besueshmëri.”
Atëherë pse duhet që ai të jetë “thellësisht i prekur” me fjalët e Ramës, i cili pretendon pikërisht të kundërtën e asaj që shkruan De Graaf?
A nuk duhej De Graaf – nëse do të ishte besnik ndaj fjalëve të veta – të ishte ngritur gjatë festivalit Bread and Heart dhe të kishte deklaruar me zë të lartë se kryeministri shqiptar po fliste marrëzira?
Jo, sigurisht që jo, sepse De Graaf dëshiron të ndërtojë edhe më shumë në Shqipëri dhe të fitojë para për veten dhe firmën e tij, pavarësisht nga burimi i atyre parave.
Siç pranon vetë De Graaf, “ironia lejon një shmangie të pafundme nga përgjegjësia”, dhe pikërisht këtë shmangie po përdorin si mbrojtje Sobota, Rama dhe të gjithë ata në grupin Ushtria e Arkitektëve në WhatsApp që po punojnë për të gjetur retorikën e duhur që do të ndalë këtë katastrofë të marrëdhënieve publike.
Por ata gabohen trishtueshëm: asgjë nga ajo që ata bëjnë nuk është ironi — e gjitha është hipokrizi.
