
Për më shumë se tri dekada, diskutimi politik e mediatik ka qenë i dominuar nga një qasje kryesisht materialiste, ku shpjegimet për sjelljen politike janë fokusuar te xhepi, papunësia, pagat apo buka e gojës.
Qytetari është portretizuar si një aktor kryekëput ekonomik, i kushtëzuar nga mbijetesa, i orientuar vetëm nga papunësia, rrogat e pensionet, çmimet e energjisë, investimet dhe favoret e vogla të patronazhit.
Çdo lëvizje shoqërore, çdo votë dhe çdo protestë është matur me peshoren e ftohtë të llogarive buxhetore.
Madje, për politikanët dhe komentatorët e vjetër, shoqëria ka qenë gjithmonë e blerë ose e shitur dhe e komandueshme përmes logjikës së shpërblimit apo kërcënimit material.
Natyrisht, mirëqenia materiale dhe çështjet ekonomike mbeten faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në sjelljen politike.
Porse leverdia materiale nuk është më i vetmi faktor që ndikon në pakënaqësitë dhe aspiratat e qytetarëve.
Lentja e analizës ekonomike nuk mjafton më për të kuptuar ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë shqiptare.
Revolucioni i Flamingove, si dhe vala e pakënaqësisë me eliminimin e bashkive të vogla (veçanërisht në qytete me traditë të thellë të majtë, si Poliçani), po dëshmojnë se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të evolucionit të saj politik dhe psikologjik.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me një rebelim për shkak të xhepit të boshatisur, por me një ndryshim pritshmërish që përfshin nevojën për dinjitet, identitet, vetësiguri dhe krenari.
Për ta kuptuar këtë ndryshim, nevojitet një kornizë alternative që shpjegon transformimin e vlerave dhe pritshmërive të qytetarëve.
Një zhvillim të tillë në SHBA, Ronald Inglehart e quajti “revolucion i heshtur”. Brezat e rinj, të rritur pas Luftës së Dytë Botërore në kushte më të mëdha sigurie ekonomike, u zhvendosën gradualisht nga vlerat materialiste drejt vlerave postmaterialiste — pasi nevojat bazë ishin më të sigurta, prioritetet u bënë liria personale, mbrojtja e identitetit, vetërealizimi dhe pjesëmarrja politike.
Ai e quante “revolucion” sepse ndryshonte rrënjësisht mënyrën se si njerëzit mendonin për politikën dhe shoqërinë. E quante “të heshtur” sepse ndodhte gradualisht, përmes ndryshimit të brendshëm në pritshmëritë e qytetarëve, përpara se të shfaqej në veprime politike apo zgjedhje.
Ky është kalimi nga qytetari që pyet “çfarë marr nga pushteti?” te qytetari që pyet “a më respekton pushteti?”. Ata revoltohen sepse ndihen të shpërfillur, të padukshëm ose të privuar nga respekti që besojnë se meritojnë.
Ky “revolucion” shpjegon shumë nga protestat moderne që kanë lindur si reagim ndaj përvetësimit dhe tjetërsimit të hapësirës publike, mjedisit dhe natyrës.
Ai shpjegon edhe Revolucionin e Flamingove, protestën kundër një elite abuzive që beson se gjithçka mund të tregtohet në emër të pseudozhvillimit apo të një modernizimi estetik fals, duke tjetërsuar hapësirat publike, natyrën dhe historinë e këtij vendi përmes megaprojekteve klienteliste, pas të cilave gjenden interesa të errëta të krimit, korrupsionit dhe sundimit politik.
Flamingot — simbol i brishtësisë, harmonisë dhe bukurisë së paprekur të natyrës — u shndërruan në emblemë të mbrojtjes së identitetit natyror dhe komunitar kundër agresionit të betonit dhe abuzimit të pushtetit.
Kur qytetari ndien se mjedisi ku jeton — sheshi, deti apo parku — po i tjetërsohet për interesa klienteliste, ai nuk po proteston thjesht për një metër katror tokë; ai po proteston për të drejtën për të jetuar e ekzistuar me dinjitet në atë hapësirë.
Kjo përfaqëson kalimin nga kërkesat e sigurisë dhe mbijetesës drejt nevojave më të larta të përkatësisë, respektit dhe vetërealizimit. Njerëzit nuk kërkojnë vetëm të kenë më shumë, por kërkojnë që ajo që kanë dhe ajo që trashëgojnë të ketë kuptim.
Parullat si “Atdheu nuk është në shitje” shprehin pikërisht këtë ndryshim në gjuhën politike. Ato artikulojnë një bindje se disa vlera që lidhen me territorin, trashëgiminë dhe identitetin kolektiv nuk mund të reduktohen vetëm në një llogari financiare.
Është shprehja e një vetëdijeje të re qytetare, ku territori nuk shihet vetëm si aset ekonomik, por, mbi të gjitha, si pjesë e identitetit të përbashkët.
Shqiptari i sotëm nuk është më një konsumator pasiv i politikave publike, por dëshiron të jetë bashkëkrijues dhe zot i fatit të tij komunitar.
Në këtë kuadër duhet të kuptohen edhe protestat kundër reformës territoriale që synon të zhdukë 15 bashki të vogla.
Këto protesta lidhen me mënyrën se si qytetarët e perceptojnë marrëdhënien e tyre me shtetin, përfaqësimin politik dhe vendin ku jetojnë. Çështja e organizimit territorial nuk shihet vetëm si një çështje teknike e administrimit publik, por lidhet me identitetin, krenarinë dhe aftësinë e komuniteteve për të ndikuar në vendimet që prekin jetën e tyre.
Intelektualisht, elita politike në Shqipëri, veçanërisht ajo në pushtet, duket se është e verbër ndaj këtij ndryshimi të madh shoqëror.
Të mësuar në zyra të rehatshme, të bindur se janë të paracaktuar për të drejtuar, ata jetojnë në një realitet paralel dhe vazhdojnë të përdorin të njëjtat mjete të vjetra për të menaxhuar një shoqëri që as e kontrollojnë dhe as e ndikojnë dot më.
Përpjekja e saj për të blerë çdo protestë, për të trembur çdo zë kritik dhe për të minimizuar këtë lëvizje qytetare tregon një paaftësi fatale për të lexuar shenjat e kohës.
Elita politike nuk po kupton dot se protestat në bulevardin e kryeqytetit, parullat për atdheun që nuk shitet apo pakënaqësia nëpër bashkitë e vogla nuk kanë nevojë për logo partish për të qenë legjitime; ato janë legjitime në vetvete, sepse burojnë nga nevoja urgjente për vetërealizim.
Sikurse shprehet Pipa Norris, kur qeveritë dështojnë të përshtaten me ndryshimet e vlerave të qytetarëve të tyre dhe vazhdojnë të ushtrojnë një pushtet arkaik, arrogant dhe klientelist, ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë një krizë legjitimiteti të pakthyeshme.
Prandaj, Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik.
Nga njëra anë, stërzgjatet modeli i vjetër i një politike të bazuar te frika, paraja, klientelizmi dhe nënshtrimi tribal; ndërsa, nga ana tjetër, po ngrihet me hapa të ngadaltë, por të sigurt, një shoqëri e re, e ushqyer nga vlerat e dinjitetit, sovranitetit komunitar, flamurit kombëtar dhe vetërespektit.
Revolucioni i Flamingove dhe thyerja e bastionit të Poliçanit nuk duhen parë si ngjarje të izoluara. Ato janë gurët e parë të një orteku moral që do të përmbysë strukturat e kalbura të një sistemi politik që ka harruar se përse ekziston shteti.
Ato janë shenja të një ndryshimi më të thellë në marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve, sepse shoqëritë që kalojnë nga shqetësimet e mbijetesës drejt kërkesës për vetëshprehje, autonomi dhe dinjitet zhvillojnë pritshmëri të reja politike, që vështirë se mund të kthehen në format e mëparshme të marrëdhënies me pushtetin.
Kur qytetari kupton se humbja e dinjitetit kushton më shtrenjtë se çdo lëmoshë, premtim elektoral kalimtar apo miliard i huaj i vënë në tryezë për të tjetërsuar të ardhmen e vendit, çdo llogari e vjetër e pushtetit bie poshtë.
Në këtë betejë midis xhepit të robëruar dhe shpirtit të lirë, Shqipëria ka filluar më në fund të zgjohet.
Dhe ky zgjim, i rrënjosur te vlerat e pakompromis të dinjitetit, vetërespektit dhe refuzimit për të shitur atdheun, është sinjali më i qartë dhe shpresëdhënës se asnjë autokraci e re klienteliste nuk mund t’i mbajë përjetësisht të mbyllura dyert e së ardhmes.
Dhe, siç e dëshmon historia e çdo ndryshimi të madh shoqëror, një popull që zgjohet vështirë se mund të vihet prapë në gjumë; ky është vetëm agimi, nuk keni parë gjë akoma.
Shpërndaje te miqtë
