
Hipokrizia e propagandës së "turizmit elitar" të qeverisë Rama mund të zhvishet me një shifër të vetme që ka të bëjë me cilësinë e ujërave në brigjet e deteve e liqeneve shqiptare ku zhvillohet turizmi ynë kurativ. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit që i përkasin vitit 2024, vetëm 16 për qind e ujërave të monitoruara për larje në Shqipëri klasifikohen si të shkëlqyera, duke zënë kështu vendin më të ulët.
Në Itali kjo shifër është mbi 90 për qind, në Kroaci mbi 95 për qind, në Greqi 97 për qind. Kjo përqindje është rezultati i dekadave të tëra politikash publike, investimesh, prioritetesh buxhetore dhe mënyrës se si është keq-administruar zhvillimi i vendit.

Ajo tregon gjendjen e kanalizimeve, të trajtimit të ujërave të ndotura, të mbrojtjes së ekosistemeve dhe të infrastrukturës mjedisore më mirë sesa çdo slogan apo fushatë promovuese.
Kjo statistikë është veçanërisht domethënëse sepse Shqipëria nuk është një vend me industri të rëndë, porte të mëdha tregtare, rafineri, industri prodhuese dhe aktivitete ekonomike ndotëse. Megjithatë, ajo është katandisur me standarde shumë më të ulëta të cilësisë së ujërave sesa vendet e industrializuara.
Prandaj Revolucioni i Flamingove nuk ka të bëjë vetëm me një lagunë, një park kombëtar apo një projekt të vetëm investimi. Lëvizja ka nxjerrë në pah një debat shumë më të thellë mbi modelin e zhvillimit që po ndjek Shqipëria.
Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka përjetuar një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi. Janë ndërtuar resorte, komplekse turistike, fshatra vilash, qendra tregtare dhe lagje të tëra. Janë gjeneruar miliarda euro nga aktiviteti ekonomik që ka shoqëruar këtë proces. Megjithatë, gjurma e këtij prosperiteti është shumë pak e dukshme te infrastruktura që garanton cilësinë e mjedisit.
Tirana mbetet shembulli më domethënës, me Lanën që vazhdon të rrjedhë e kundërrmojë përmes zemrës së kryeqytetit duke mbartur një pjesë të madhe të problemeve të trashëguara të sistemit të kanalizimeve.Përgjatë saj janë ngritur disa nga projektet më të kushtueshme të zhvillimit urban në historinë e vendit.
Edhe projekti japonez ambicioz i kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të zeza që është ndërmarrë para dy dekadash ka ngelur në vendnumëro.
Në vitin 2008, Japan International Cooperation Agency financoi me një kredi të butë rreth 11 miliardë jenë (afërsisht 90 milionë euro sipas kursit të kohës) për këtë projekt. Synohej ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, kolektorëve kryesorë dhe infrastrukturës që do të ndalonte derdhjen e ujërave të zeza të Tiranës në Lanë dhe lumin e Tiranës.
Punimet nisën në vitin 2014, por projekti u përball me vonesa, konflikte kontraktore dhe ndërprerje. Në vitin 2018 kontrata u ndërpre në mënyrë të njëanshme nga shteti shqiptar, ndërsa impianti mbeti i papërfunduar.
Sipas raporteve të mëvonshme, rreth 70% e punimeve ishin realizuar kur projekti u bllokua dhe sot ujërat e zeza vazhdojnë të rrjedhin e qelb në mes të qytetit, ndërkohë që ne paguajmë këstet e kredisë.
Për më tepër, garantimi i ujërave të pastra si kusht për thithjen e vizitorëve me standarde të larta është vetëm njëra anë e medaljes dhe vetëm një pjesë e vogël e investimeve që qeveria duhet të ndërmarrë.
Nëse do të ekzistonte një sinqeritet i vërtetë shtetëror për këtë qëllim, do të kuptohej se diapazoni dhe larmia e ndërhyrjeve infrastrukturore që i duhen Shqipërisë për t'ia dalë mbanë është jashtëzakonisht e gjerë.
Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për gatishmërinë politike për të sakrifikuar parqe kombëtare, për të tjetërsuar trashëgiminë natyrore e kulturore apo për të anashkaluar e kapërcyer ngatërresat ligjore me lejet e ndërtimit dhe pronësinë.
Sfida e vërtetë, e shtrirë thellë në nëntokë dhe në logjistikë, mbetet ndërtimi i një infrastrukture kapilare e moderne (nga rrjetet e energjisë dhe trajtimi i mbetjeve te rrugët dytësore), pa të cilën çdo resort me pesë yje mbetet thjesht një kështjellë e izoluar në rërë.
Për rrjedhojë, në analizë të fundit, Shqipëria nuk mund të thithë vizitorë me standarde të larta dhe portofol të plotë duke ofruar bregdetin më të ndotur në rajon.
Kontrasti i thellë mes bumit të ndërtimit dhe mjerimit të infrastrukturës mjedisore dëshmon se suksesi i turizmit shqiptar është ndërtuar mbi premisa të rreme.
Statistikat e Agjencisë Europiane të Mjedisit nuk janë thjesht numra, por pasqyrë e prioriteteve të gabuara buxhetore ku fasada vlen më shumë se substanca.
Pa zgjidhur problemin e ujërave të zeza, pa përfunduar projektet e mbetura rrugëve si ai i Kasharit, pa mbrojtur pasurinë natyrore dhe pa garantuar rrjetet bazë kapilare infrastrukturore, Shqipëria nuk mund të aspirojë kurrë një turizëm të qëndrueshëm, elitar e me vlerë të lartë ekonomike.
