Në Tiranë po kërkohet dinjitet

Lirim Krasniqi 16 Qershor 2026, 09:09

Në Tiranë po kërkohet dinjitet

“Revolucioni i flamingove”, që tash e mbi dy javë ka vërshuar kryeqytetin shqiptar dhe dhjetëra qytete nëpër botë përmes diasporës, nuk ka të bëjë vetëm me ambientin apo me mbrojtjen e zonave natyrore.

Flamingot janë bërë simbol i diçkaje më të madhe: i kërkesës për t’u dëgjuar, për t’u respektuar dhe për t’u trajtuar me dinjitet.

Një pjesë e rëndësishme e jetës sime profesionale dhe personale gjatë dekadës së fundit lidhet me Tiranën dhe Shqipërinë. Gjatë këtyre viteve kam njohur dhe bashkëpunuar me shumë njerëz të brezit tim, dhe jo vetëm.

Një pjesë e madhe e tyre kanë emigruar gjatë kësaj periudhe për mundësi më të mira, por edhe për shkak të humbjes së besimit se puna, përkushtimi dhe merita mjaftojnë për të ecur përpara.

Po aq njoh edhe shumë të tjerë që kanë zgjedhur të qëndrojnë. Njerëz që kanë ndërtuar biznese, organizata, nisma kulturore, projekte sociale e profesionale me vlerë. Shpesh pa mbështetje, shpesh pa vlerësimin që meritojnë dhe jo rrallë duke u përballur me një sistem që ka favorizuar lidhjet më shumë se meritën.

Megjithatë, ata kanë vazhduar. Për familjet e tyre. Për vendin e tyre. Për bindjen se dorëzimi nuk është zgjidhje.

Për vite me radhë, shumë prej tyre kanë mbajtur gjallë një shpresë të heshtur: se një ditë, sado e largët të dukej, arroganca, mediokriteti dhe shpërfillja ndaj qytetarit nuk do të ishin më normë.

Se Shqipëria mund të ndërtohet mbi meritën, përgjegjësinë dhe respektin ndaj interesit publik.

Prandaj, ajo që po shohim sot ka rëndësi. Jo sepse një brez po proteston vetëm për flamingot apo për një zonë të mbrojtur.

Ato ishin vetëm shkëndija që nxorën në sipërfaqe shumëçka të akumuluar ndër vite: ndjenjën se qytetari nuk pyetet; bindjen se vendimet merren nga lart-poshtë; perceptimin se interesat private kanë më shumë peshë se interesi publik; mungesën e besimit te institucionet.

Ndonëse Shqipëria është zhvilluar në krahasim me atë që ka qenë, debati publik i viteve të fundit është reduktuar shpesh në numra: sa është rritur GDP-ja; sa turistë kanë ardhur; sa kulla janë ndërtuar.

Por këta nuk janë domosdoshmërisht tregues të meritokracisë, llogaridhënies, transparencës apo të ndjenjës se zëri yt ka peshë.

Kjo ka krijuar një situatë ku njerëzit nuk ndihen vetëm ekonomikisht të përjashtuar, por edhe të pavlerësuar dhe pa dinjitet.

Duke pasur mundësinë të shohin Evropën dhe botën, brezat e rinj shqiptarë kanë krijuar standarde të tjera për mënyrën se si duhet të funksionojë një shoqëri. Dhe sot po e thonë fjalën e tyre në mënyrën më qytetare, paqësore, dhe kreative të mundshme:

Shqipëria bëhet. Dhe ne jemi këtu për ta dëshmuar.

Ne që jemi me një ose dy këmbë jashtë Tiranës mund ta amplifikojmë këtë zë, nëse duam. Por, mbi të gjitha, duhet ta dëgjojmë dhe ta respektojmë.