Në këtë vend, turpi nuk ka më turp

Ornela Çuçi 11 Tetor 2026, 15:27

Në këtë vend, turpi nuk ka më turp

“Si e imagjinoni veten pas dhjetë vjetësh?”

Këtë pyetje u bëra studentëve ditën e parë të lëndës së bioetikës. Mes më shumë se dyzet studentëve, vetëm një djalë përmendi dëshirën për t’u bërë baba.

E çuditur, i pyeta më tej për dëshirën për familje, veçanërisht vajzat. Nga përgjigjet kuptova se edhe për to familje nuk ishte pjesë e asaj që imagjinonin për 10 vjetët e ardhshëm.

Përgjigjet e tyre nuk janë studim për rininë shqiptare, dhe askush nuk ka pse ta imagjinojë patjetër veten prind. Por ato më shtynë të mendoj për shembullin që po u japim atyre ne të rriturit.

Më pas i pyeta kë mendonin si viktima të publikimit të videove intime që po qarkullojnë këto kohë.

Ata folën kryesisht për privatësinë dhe të drejtat e personave të përfshirë. Madje edhe vetë ai që xhiroi u përcaktua si viktimë e shkeljes së privatësisë nga disa prej studentëve të mi.

Familjarët e prekur nuk u përmendën. Bashkëshortët, fëmijët dhe prindërit e atyre që shfaqën në video u diskutuan vetëm kur biseda kaloi te këndvështrimi fetar.

Përse u desh të mbërrinim tek konsideratat fetare për të na ardhur në mendje fëmija të cilit, së paku, i është shkatërruar imazhi i prindit të vet?

Përse dhimbja e njerëzve që nuk shfaqen në ekran nuk hyri natyrshëm në arsyetimin tonë moral?

Nuk dua ta barazoj kurrsesi vuajtjen tonë me atë të viktimave të drejtpërdrejta. Por prapë nuk mund të mos pyes: sa nga ne arrijnë të shohin përtej pamjeve që kemi përpara?

Nuk e di kush i nxjerr këto video e foto dhe nuk do të hamendësoj qëllimet. Ajo që më shqetëson është lehtësia me të cilën ne gjejmë një justifikim për gjithçka.

Ne i shohim, i komentojmë, i shpërndajmë videot dhe pastaj në mbrëmje shikojmë në emisionet më të ndjekura se si na shpjegojnë se kështu është jeta, se këto gjëra ndodhin, se ne të tjerët po bëjmë moral kot.

Sigurisht që ndodhin.

Por që kur fakti se diçka ndodh mjafton për ta bërë normale?

Në këtë vend, turpi nuk ka më turp. Madje të kërkon llogari ty pse ende të vjen turp. Dhe kjo është fatkeqësi kombëtare.

Familja mbështetet në disa detyrime ndaj njëri-tjetrit, që nuk mund t’i ndryshojmë sipas dëshirës së çastit.

Liria jote nuk të çliron nga përgjegjësia ndaj njerëzve me të cilët ke lidhur jetën.

Dashuria ka rëndësinë e saj, por jeta në familje kërkon edhe ndershmëri, besim, kujdes, besnikëri ndaj zotimeve që ti personalisht ndërmerr kundrejt saj.

Kërkon të mendosh për tjetrin edhe kur epshi të çon diku tjetër. Dhe pikërisht këtë përgjegjësi më duket se po e zhvlerësojmë.

Peshku qelbet nga koka. Nga politikani, drejtuesi, pedagogu, gazetari, prindi.

Kur shoh debatin publik, nga parlamenti te studiot televizive, ka filluar të më trembë sa lehtë gjykimi për një sjellje ndryshon sipas atij që e kryen.

Për njërin kërkojmë përgjegjësi, për tjetrin gjejmë rrethana lehtësuese pa fund.

Atë që themi tani si kokoshi majë plehut, e zhbëjmë një orë më vonë.

Fyerjen e quajmë temperament, arrogancën e kemi etiketuar si forcë, mungesën e skrupujve po e trumbetojmë si zotësi për t’ia dalë.

Pastaj habitemi kur të rinjtë e kuptojnë se rëndësi ka të fitosh dhe se për mënyrën mund të negociohet më vonë.

Në media, me gjithë çfarë përfshin së fundmi kjo, marrëdhëniet njerëzore janë kthyer në produkt dhe pothuaj gjithçka ka qëllim vetëm klikimet.

Konflikti prodhon episode, poshtërimi prodhon reagime, ekspozimi i jetës private prodhon të ardhura.

Big Brother, Për’puthen dhe çdo format tjetër që e ndërton suksesin mbi marrëdhëniet mes njerëzve duhet të përballen me pyetjen se çfarë sjelljesh shpërblejnë.

Të njëjtën pyetje duhet t’ua bëjmë ndikuesve që ndjekim dhe vetes që u japim atyre vëmendje.

Të thuash se publiku e zgjedh vetë çfarë sheh nuk shfajëson. Për reklamuesin, të ndikojë mbi publikun duke folur për përgjegjshmëri kushton para; kur gjithçka trajtohet si argëtim, ka shikueshmëri dhe para.

Nuk dua të pretendoj se një apo disa emisione televizive janë burimi i opinioneve si ato që dëgjova në auditor nga studentët e mi.

Nuk dua as të pretendoj se familja shqiptare ka jetuar ndonjëherë në të shkuarën pa dhunë, pa hipokrizi e pa vuajtje të fshehura.

Por heshtja e dikurshme nuk është standard moral për t’u rikthyer. Heshtja e së shkuarës duhet të na ndihmonte të njihnim dëmin dhe të kërkonim përgjegjësi.

Është shqetësuese kur duket se e shkuara na ka mësuar vetëm si ta konsumojmë vuajtjen e tjetrit.

Sepse, ndërsa ne kredhemi në pornografi kolektive, fëmijët e personave në video duhet të shkojnë në shkollë.

Bashkëshortet e bashkëshortët duhet të përballojnë një jetë ku janë objekt bisede i të gjithëve.

Një prind duhet të dëgjojë emrin e fëmijës së vet në gojën e njerëzve që nuk e njohin.

Të gjithë këta familjarë do të vazhdojnë të jetojnë me pasojat edhe pasi ne të jemi mërzitur me videot dhe temën.

Më tej: çfarë po u kultivojmë fëmijëve tanë në gjithë këtë?

Ata dëgjojnë këshillat tona, por shohin edhe kë admirojmë, kujt ia falim gjithçka, për kë bëjmë përjashtime.

Shohin sa shpesh morali që kërkojmë prej tyre nuk vlen për njerëzit që ne vetë mbështesim.

Nuk besoj se kjo kontradiktë e jona i shpëton vëmendjes së tyre. Kam frikë se ata e kuptojnë shumë mirë.

***

Këtë javë të parë mësimi po e mbyll duke menduar më shumë për ne sesa për studentët.

Çfarë po u kultivojmë fëmijëve tanë? Kur u kërkojmë përgjegjësi?

Veçanërisht kur mu para syve të tyre gjejmë justifikime për këdo që i shmanget përgjegjësisë.

Çfarë peshe ka fjala jonë, kur vetë bëjmë përjashtime sipas emrit, pushtetit apo famës së atij që kemi përballë?

Pastaj habitemi me përgjigjet e fëmijëve tanë.

Ndoshta përpara se t’u mbajmë një leksion tjetër për vlerat e familjes, duhet të shohim sa prej atyre vlerave mbrojmë kur kjo na kushton diçka.

Se për ta shpallur familjen të shenjtë, deri sot nuk ka paguar njeri.

 

Shpërndaje te miqtë