Ku do të na çojë kjo protestë?

Ornela Çuçi 2 Korrik 2026, 19:39

Ku do të na çojë kjo protestë?

Protesta prodhon parime. Ne vazhdojmë të kërkojmë kryetarë.

Ne u treguam sërish “interesantë”. Që pa kaluar mirë dy ditë, e jo më tani që kanë kaluar 32, filluam të bëjmë llogaritë politike.

Kush do ta drejtojë? A do të krijojë parti? Kush do të jetë kryetari? Si do t’i marrë votat?
A thua se destinacioni natyror i çdo lëvizjeje qytetare duhet të jetë të kthehet në organizatë politike.

Por në çdo kafene, tavolinë, studio ditët e fundit dëgjohet e njëjta pyetje. Mbase kjo shpjegon historinë tonë të këtyre tridhjetë e pesë viteve.

Duket absurde sepse ne nuk kemi vuajtur nga mungesa e partive të reja. Përkundrazi.

Kemi krijuar pafund parti, lëvizje, koalicione, nisma dhe alternativa. Shumica madje kanë lindur me premtimin se do ta bënin politikën ndryshe.

Dhe pothuajse të gjitha kanë përfunduar duke funksionuar njësoj.

Për më shumë se tri dekada kemi krijuar parti që ndërtohen rreth një njeriu shumë më tepër sesa rreth një ideje.

Kryetarët kanë mbijetuar edhe kur kanë humbur zgjedhjet, edhe kur kanë humbur mbështetjen, madje edhe kur kanë humbur arsyen e ekzistencës së partive të tyre.

Programet kanë ndryshuar sipas rrethanave. Parimet edhe më shpesh.

I vetmi institucion që ka mbetur pothuajse i pandryshueshëm ka qenë ai i kryetarit.

Në politikën tonë kryetarët kanë rezultuar shumë më të qëndrueshëm se programet.

Madje programet janë rishkruar sa herë kryetarit i kanë ndryshuar rrethanat. Parimet edhe më shpesh.

Mbase problemi ynë nuk është politik. Mbase është thjesht kulturor.

Sepse ne vazhdojmë ta konceptojmë politikën si një marrëdhënie besnikërie ndaj individit—“jemi gati të japim edhe jetën për ty”, dëgjohet ende brenda partive tona—dhe jo si marrëdhënie besnikërie ndaj disa rregullave që vlejnë për të gjithë, pavarësisht se kush qeveris.

Pikërisht për shkak të kësaj mendësie, pyetja që sot mbizotëron në diskutimet tona është “kush do ta drejtojë protestën” dhe jo “çfarë rregullash të reja po kërkon të vendosë”.

Historia, jo kjo e jona, megjithatë, ka ndjekur një rend krejt tjetër. Protestat që kanë ndryshuar vende nuk kanë lindur për të krijuar parti.

Kanë lindur për të krijuar kufij më të ngushtë për pushtetin. Kufij për mënyrën si ushtrohet pushteti.

Kufij për atë që një shoqëri është e gatshme të mos tolerojë.

Polania është ndoshta shembulli më domethënës.

Kur lindi Solidarnosti, askush nuk diskutoi se cila do të ishte partia e kësaj lëvizjeje.

Lëvizja nuk u organizua për të fituar zgjedhjet e ardhshme, por sepse miliona qytetarë vendosën se dinjiteti, liria e organizimit, e drejta për të kundërshtuar pushtetin, nuk mund të negocoheshin më. Pra, për parimin.

Vetëm pasi këto parime fituan legjitimitet në shoqëri, u krijuan kushtet që politika të ndryshonte. Transformimin nuk e prodhuan partitë, ato u bënë produkti i tij.

Gjeorgjia ndoqi pothuajse të njëjtën logjikë. Revolucioni i Trëndafilave nuk ishte i rëndësishëm sepse solli një ekip të ri në qeveri. Ai ishte i rëndësishëm sepse krijoi një pritshmëri të re ndaj shtetit.

Për herë të parë, korrupsioni dhe manipulimi nuk u trajtuan si një çmim i pashmangshëm i politikës, por si arsye të mjaftueshme për ta refuzuar atë, nga cilido kah të buronte.

Kjo ndryshoi mënyrën se si qytetarët e gjykonin pushtetin dhe vetëm më pas ndryshoi vetë pushteti.

E kundërta ndodh kur qëllimi është vetëm ndryshimi i atij që është në pushtet. Historia e djeshme dhe e sotme ka plot raste të tilla.

Një rast tipik është Zimbabve. Edhe atje pati protesta. Edhe atje u rrëzua një regjim që dukej i përjetshëm.

Ndryshuan individët, por modeli mbeti pothuajse i paprekur.

Nuk ndryshoi marrëdhënia mes qytetarit që protestoi dhe shtetit, por veç njerëzit që administruan po të njëjtin sistem.

Andaj, sot Zimbabve përmendet si një paralajmërim dhe jo si një histori suksesi.

Sfida e protestës sonë nuk është ndryshimi i individëve, sepse kjo nuk garanton ndryshimin e mënyrës së qeverisjes.

Nëse ambicia e saj do të ishte thjesht krijimi i një partie të re, do të rrezikonim të përsërisnim ciklin që kemi parë kaq shumë herë gjatë tranzicionit.

Shqipërisë nuk i mungojnë partitë.

Madje, as udhëheqësit.

Ajo që na mungon është një kulturë politike ku askush të mos jetë mbi rregullat.

Ku besnikëria ndaj një kryetari të mos vlejë më shumë se besnikëria ndaj ligjit. Ku korrupsioni të mos justifikohet sipas mbështetjes nga kryetari.

Ku humbja e zgjedhjeve të mos përjetohet si fundi i botës dhe fitorja të mos interpretohet si e drejta për të pushtuar shtetin, por edhe partinë, të cilën e dënon në moszgjedhje të brendshme për një kohë të pacaktuar.

Nëse kjo protestë arrin të prodhojë këtë ndryshim, atëherë do të ketë arritur shumë më tepër sesa krijimi i një force të re politike.

Do të ketë krijuar një lëvizje, nga ato të cilat kanë çuar përpara vendet perëndimore.

Do të ketë krijuar kushtet që, nesër, çdo parti, e re apo e vjetër, e vogël apo e madhe, të detyrohet të sillet ndryshe.

Partitë nuk ndryshojnë kulturën politike të një vendi.

Është kultura politike ajo që, në një moment të caktuar, fillon t'i ndryshojë partitë.

Dhe ndoshta kjo është pyetja që duhet t'i bëjmë sot vetes.

Jo ku do të shkojë kjo protestë.

Por si Shqipëria do të bëhet e pamundur të qeveriset njësoj, pasi protesta të ketë mbaruar.