
Prej dy ditësh, që në mëngjes herët, Edi Rama del dhe filmon veten me karrige në duar përpara godinës së kryeministrisë. I vendos në formë gjysmëharku në trotuar. Mbi secilën prej tyre le një copë letër ku shkruhet “dialog” dhe i fton studentët të bisedojnë, siç thotë ai, “pa kushte”.
Videoja nuk është gjë tjetër veçse riprodhim i memeve të tetë viteve më parë, kur Rama u lutej studentëve që protestonin në 2018 me fjalët “kur do të flasim”.
Thirrjen e tij sot nuk e dëgjon më askush. Edhe në ditët e tij më të vështira, kryeministri del dhe flet dhe përsëri nuk mban asnjë përgjegjësi.
Sot njerëzit dalin dhe kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe e konsiderojnë atë problemin.
Dikur, kur të rinjtë ngritën krye për herë të parë, ata nuk e shihnin kryeministrin Rama si problem, por si zgjidhje.
13 vite më pas, kjo logjikë është përmbysur.
Në 2013 Edi Rama sapo kishte hyrë në zyrë si kryeministër i një qeverie koalicioni PS-LSI, kur në sheshin përpara kryeministrisë papritmas iu mblodhën disa mijëra të rinj.
Shqipëria kishte marrë një kërkesë për ndihmë nga aleati i saj më i rëndësishëm.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike kërkonin që qeveria shqiptare të pranonte në territorin e saj pritjen dhe shkatërrimin e rreth 1.000 tonëve lëndë toksike.
Përballë kësaj kërkese u ngrit kundër saj pjesa më vitale e Shqipërisë.
Për ditë të tëra të rinjtë qëndruan ulur në shesh, duke e kundërshtuar këtë operacion si të rrezikshëm për vendin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin pasur kontribut thelbësor në përmbysjen e regjimit komunist, në demokratizimin e vendit dhe në mbështetjen e Shqipërisë për në NATO; ato kishin udhëhequr politikisht dhe ushtarakisht procesin e çlirimit të Kosovës dhe pavarësinë e saj vite më pas.
Asnjë qeveri shqiptare më parë nuk kishte pasur guximin, për këto e shumë arsye të tjera, të kundërshtonte një kërkesë të SHBA-së.
Por Edi Rama iu përkul presionit të të rinjve në shesh, përballë presionit shumë të madh të vendit më të fuqishëm të globit, duke deklaruar refuzimin zyrtar të Shqipërisë.
Ishte koha kur Edi Rama kishte sapo fituar zgjedhjet dhe kishte kredibilitetin politik për të marrë vendime të forta.
Vendimi e bëri atë më popullor, sidomos mes studentëve dhe të rinjve.
Në atë kohë buxheti i Shqipërisë nuk ishte 10 miliardë euro, siç mburret kryeministri sot; rrogat dhe pensionet ishin të ulëta, por, pavarësisht se të varfër, shqiptarët e përballonin – paradoksalisht – më lehtë se sot koston e jetesës.
Edhe në atë kohë ekzistonte korrupsioni, por ishte e paimagjinueshme të shihje ndërtimin e rrugëve me 20 milionë euro kilometri, apo tendera ku avullonin 50 milionë euro me një dorë, ku buxheti dyfishohej që të vidhej gjysma e tij, apo tendera ku vidhej i gjithë buxheti nga vetë ata që e prokuronin, siç ishte rasti i 5D-së së Bashkisë së Tiranës.
Po ashtu, nuk ekzistonte një hendek kaq i thellë pabarazie mes një pakice super të pasur dhe një shumice që varfërohet çdo vit.
Në atë kohë Edi Rama ishte kryeministër, Ilir Meta kryetar i Kuvendit, Bujar Nishani president dhe Lulzim Basha kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Koalicioni PS-LSI vërtet zotëronte një shumicë votash në Kuvend, por PS e vetme nuk e arrinte shumicën e thjeshtë prej 71 votash.
Ishte koha kur politika bazohej mbi kompromisin, ndërsa veprimet arbitrare apo personalizimi i pushtetit quheshin të tejkaluara me rrëzimin e qeverisjes së Sali Berishës.
Thjesht, kishte krizë, por kishte shpresë dhe besim.
Shqiptarët besonin te politika dhe elitat.
Ata besonin te premtimet për paga më të larta, konkurrencë të ndershme në treg, taksim më të drejtë, arsim dhe shëndetësi falas.
Edi Rama u dha edhe një arsye më shumë: i dëgjoi.
Ata pa dashje i dhanë kryeministrit arsye të niste procesin e konsolidimit dhe zgjerimit të pushtetit të tij personal.
Ata nuk mendonin se pesë vite më vonë do të duhej të dilnin sërish në protestë për premtimet e 2013.
Qeveria kishte ndërmarrë deri atëherë disa reforma të rëndësishme, si ajo e taksimit progresiv, reforma për ndryshimin e hartës territoriale, reforma në sektorin e shëndetësisë dhe, çka ishte më e rëndësishmja, reforma në arsim.
Asnjëra prej tyre nuk ua kishte bërë jetesën më të lehtë. Taksa progresive rëndonte më shumë shtresën e mesme, ndërsa të pasurit nisën të bëheshin edhe më të pasur.
Reforma administrative i kishte dhënë PS-së pushtet edhe më të gjerë.
Shërbimet në pushtetin vendor u bënë më të vështira, shëndetësia nuk ishte falas, arsimi u bë më i shtrenjtë.
Atëherë studentët dolën masivisht në rrugë në revoltën e parë serioze ndaj qeverisjes së Edi Ramës, i cili një vit më parë kishte fituar i vetëm zgjedhjet dhe qeveriste i pashqetësuar.
Studentët dolën me një listë kërkesash, të cilat qeveria, nga pozitat e forcës, fillimisht tentoi t’i injoronte.
Deri në atë moment ai nuk kishte pasur përballë protesta që nuk organizoheshin nga partitë politike. Për këtë arsye, protestat studentore që shpërthyen nga hiçi e kapën qeverinë dhe kryeministrin në befasi.
Qëndresa e të rinjve e detyroi më pas kryeministrin të kërkonte dialog me ta, dhe ata sërish e besuan.
Çfarë kërkonin studentët në 2018?
Përgjysmimin e tarifës së studimit për të gjitha ciklet e arsimit universitar (Bachelor dhe Master) dhe rritja e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Përmirësimin e kushteve të konvikteve.
Transparencën me buxhetin e universiteteve dhe auditimi i plotë i të gjitha shpenzimeve të kryera nga rektoratet dhe dekanatet.
Rritjen e peshës së votës së studentëve në 50% për zgjedhjen e autoriteteve drejtuese dhe shtimi i përfaqësimit studentor në Bordet e Administrimit.
Mbështetje për kërkimin shkencor, vlerësimi i titujve akademikë dhe kontroll i plotë i plagjiaturave në doktoraturat dhe diplomat e profesorëve.
Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019, për të siguruar lehtësi në shërbime, transport publik dhe aktivitete të tjera.
Përmirësimin e infrastrukturës universitare, pajisjen e laboratorëve me mjete bashkëkohore, sigurimin e bibliotekave digjitale dhe akses falas në literaturë akademike të huaj.
Në atë kohë studentët nuk kërkonin dorëheqjen e kryeministrit, pavarësisht se protesta erdhi edhe si pasojë e irritimit të tyre me mënyrën e qeverisjes dhe me figurat e konsumuara politike.
Ata i dhanë një shans të dytë kryeministrit.
Edi Rama arriti t’i uli studentët në dialog, shkoi nëpër auditorë dhe premtoi zgjidhjen e problemeve. Protesta u shua dhe kryeministri, disa javë më vonë, shkarkoi edhe gjysmën e qeverisë, duke i nxjerrë ministrat e tij indirekt si përgjegjës për zemërimin rinor.
Pasi i hoqi nga rruga dhe i futi në auditorë, nisi t’i bindë se po punonte për ta.
Por premtimi për financimin e arsimit me 5 përqind të PBB-së nuk u arrit kurrë.
Qeveria aplikoi përgjysmimin e tarifave vetëm për ciklin Bachelor. Tarifat e studimeve Master mbetën sërish shumë të larta, nga 120.000 deri në 200.000 lekë të reja në vit.
Pesha e votës universitare mbeti e pandryshuar.
Studentët edhe sot nuk kanë përfaqësim në Bordet e Administrimit.
Ndonëse u krijuan platforma dhe softuerë digjitalë kundër plagjiaturës, nuk pati asnjë proces vetingu real të stafit akademik që kishte vjedhur punime shkencore.
Karta e Studentit u vonua me vite dhe, kur u shpërnda, kryesisht në Tiranë, ofronte vetëm një lehtësim për abonimet e transportit publik në Tiranë.
Transparenca financiare mbeti po ashtu e mbyllur dhe universitetet publike vazhdojnë të mos publikojnë se ku shkojnë paratë e tarifave të studimit.
Kryeministri Rama në atë kohë premtoi një portal, u-transparenca.al. Portali mbeti një premtim “në ndërtim”, si shumica e premtimeve për kërkesat e studentëve.
Konviktet vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e ngrohjes, e ujit të ngrohtë 24 orë dhe nga lagështia.
Dialogu në 2018 nuk zgjidhi asnjë problem thelbësor të studentëve. Ai zgjidhi vetëm problemin e kryeministrit për ta kaluar situatën dhe për të larë hesapet brenda qeverisë dhe partisë së tij me figurat e dikurshme.
Qeverisja në atë kohë ishte më e konsoliduar, Partia Socialiste kishte fituar e vetme zgjedhjet në 2017, por kryeministri, pavarësisht se zotëronte një mandat më të fortë se në 2013, nuk kishte atë pushtet që ka sot.
Edhe pse e mbante i vetëm timonin dhe tepsinë, Edi Rama kishte vetëm 74 mandate në Kuvend, President ishte Ilir Meta dhe opozita nuk ishte e përçarë.
Por në këtë fazë Edi Rama nisi procesin e Rilindjes 2.0, asaj që nuk kishte asnjë lidhje me premisat me të cilat ai dhe PS erdhën në pushtet.
Shuarja e revoltës i dha Edi Ramës të kuptonte se mund të bënte gjithçka në këtë vend dhe, siç kishte fituar i vetëm zgjedhjet dhe i vetëm kishte shuar protestat, mund ta vizatonte vetë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë sipas shijeve të tij.
Gjatë tetë viteve që vijuan, kryeministri grumbulloi rreth vetes të gjitha pushtetet dhe kompetencat. Bojkoti i opozitës e ndihmoi të marrë 90 përqind të pushtetit vendor dhe të ketë një mazhorancë dominuese në Kuvend.
Falë saj ai ndërtoi i pashqetësuar Shqipërinë e tij me kulla dhe ndërtime luksoze pafund në të gjithë vendin dhe lejoi paratë e korrupsionit dhe të trafiqeve të paligjshme të injektoheshin në sektorët kyç të ekonomisë, si ndërtimi e turizmi.
Me gjithë këtë pushtet dhe çdo vendimmarrje të personalizuar, ai asfiksoi jetën ekonomike, sociale dhe politike të vendit dhe sot nuk i përgjigjet askujt.
Duke zotëruar gjithçka, kryeministri vendos se cilët duhet të jenë deputetët, cilët kryetarë bashkie, cilat bizneset do të punojnë dhe çfarë pune do të bëjnë.
Kryeministri vendos se kush do t’i projektojë ndërtimet e tij. Madje, boton edhe një libër me vizatime të arkitektëve të huaj që po eksperimentojnë idenë e tij të së bukurës në Shqipëri.
Sot, kryeministri ka një pushtet të pakufizuar dhe ka shkatërruar çdo mekanizëm kontrolli dhe ballance.
Sot kryeministër është përsëri Edi Rama, por ai është, praktikisht, edhe kryetar i parlamentit, edhe president i republikës. Kuvendi është noter i qeverisë dhe zyra e presidentit ngjan më tepër me një zgjatim të godinës kryeministrore.
Në 2018 studentët dolën në protestë nga pamundësia për të përballuar një arsim që iu premtua falas, por që u bë më i shtrenjtë.
Në 2026 situata është edhe më e rëndë, sepse, përveç që premtimet nuk u mbajtën, kostoja e jetesës për një student është rënduar edhe më shumë nga çmimet e larta për strehim dhe ushqim.
Ky nuk është shqetësim vetëm i tyre, por problem i shumicës së familjeve shqiptare, për të cilat jeta është bërë e papërballueshme falë edhe këtij modeli qeverisjeje të një personi të vetëm.
Kryeministri tani thotë se i di të gjitha këto, sepse i ka dëgjuar, siç thotë ai vetë, për tre muaj nga dritarja e zyrës gjatë revolucionit të Flamingove.
Por çfarë bëri ai?
Ai nuk mbajti asnjëherë përgjegjësi.
Ai bëri atë që kishte bërë gjithmonë. I injoroi, i fyu, i talli dhe vazhdoi punën.
Kur flamingot i kërkonin të bënte transparencë për Zvërnecin, konsultim dhe llogaridhënie publike, ai miratonte leje të tjera kullash dhe resortesh në bregdet.
Kur protestuesit i kërkonin shfuqizimin e ligjeve që dëmtonin natyrën dhe të atyre për investitorët strategjikë, ai u thoshte se janë sorra që nuk duan as zhvillim dhe as integrim të Shqipërisë.
Kur njerëzit i kujtonin qeverisë se është e detyruar t’i pyesë përpara se të vendosë, Rama u dha Praninë Besnike.
Kryeministri me fjalë thotë se i dëgjoi, por veprimet e tij tregojnë të kundërtën. Ai nuk dëgjoi as anëtarët e PS-së dhe as të zgjedhurit e saj kur ia kundërshtuan hartën e re territoriale.
Socialistët e thjeshtë që dogjën teserat si shenjë e fundit e kundërshtimit i quajti të paturp dhe kryetarët e bashkive i nxorri jashtë nga mbledhja.
Ai nuk dëgjoi as deputetët e tij, të cilët i kërcënoi me përjashtim nëse votonin kundër qeverisë.
Njerëzit janë të lodhur nga kushtet e vështira ekonomike, por ata janë më të lodhur nga përjashtimi që qeverisja e Edi Ramës u ka bërë në mënyrë të vazhdueshme.
Ata kuptuan se askush nuk i dëgjonte. Ata dhanë sinjale, por kryeministri vazhdoi në rrugën e tij.
Dhuna reale nuk është ajo e policisë, por ajo që u ndërtua ndër vite: mosdëgjimi, marrja e vendimeve për pakicën në kurriz të shumicës, mungesa e konsultimit për të gjitha çështjet e rëndësishme me ndikim për vendin.
Sot qeveria është formalisht e ligjshme për aq kohë sa ka ardhur me votë në zgjedhjet e 2025 dhe, siç thotë kryeministri, ka 85 vota në Parlament. Por ajo ka humbur legjitimitetin dhe nuk qeveris dot më normalisht.
Edi Rama sot kërkon dialog kur e ka refuzuar atë deri javën e fundit.
Ai pret që njerëzit të ulen, mundësisht, tek ato karrige në sheshin para kryeministrisë, për të shuar krizën që i ka thyer këmbën karriges së tij të pushtetit, për të treguar publikisht se edhe këtë herë i ka nështruar studentët.
Por dialogu nuk mund të kërkohet nga ai që e ka shndërruar për vite të tëra qeverisjen në monolog.
Kryeministri sot sundon me shumicë formale, por pa popull; me votë, por pa pëlqim.
Dhe autokratët nuk bien kur humbasin votat.
Shpërndaje te miqtë
