Kryeministri Rama urdhëron policinë që të shënjestrojë pa asnjë dallim çdo protestues

Bledar Zaganjori 19 Tetor 2026, 13:36

Kryeministri Rama urdhëron policinë që të

Kryeministri Edi Rama duket se ka humbur edhe në publik qetësinë pas një jave protestash dhe porositi të hënën në mëngjes, në transmetim të drejtpërdrejtë, policinë të shënjestrojë të gjithë protestuesit pa asnjë dallim.

“Çdokush që është në një manifestim të dhunshëm është objekt i policisë së shtetit. Nuk ka aty jo, “unë isha me duar në xhepa. Jo unë isha me duar në sy duke parë atë se si po vret polici”, ti je aty sepse ti je. Se në qoftë se ti nuk je metë, ti nuk rri aty. Ti del në anën tjetër dhe manifeston paqësisht. Dhe për këtë arsye, ti je po aq shënjestër e policit sa dhe ai tjetri.”

“Forca, kurajo. Asnjë lloj presioni nuk duhet të ndjeni, nuk duhet ‘’të hani’’, u shpreh kryeministri.

Kërcënimi për të ushtruar dhunë ndaj të gjithë të rinjve dhe qytetarëve që ndodhen në protestë, përveçse një sinjal për një përshkallëzim edhe më të madh të situatës, është tregues edhe i humbjes së kontrollit mbi ngjarjet.

Kryeministri Rama urdhëron policinë që të

Për të motivuar policinë, Rama lajmëroi një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv policie dhe premtoi se nga janari i vitit të ardhshëm ai do të rrisë edhe pagat.

Edhe pa urdhrin e kryeministrit, policia ka treguar përdorim force të tepruar ndaj studentëve, fëmijëve në protestë dhe gazetarëve.

Pamjet e televizioneve në transmetim të drejtpërdrejtë dhe videot që janë bërë virale në rrjetet sociale kanë treguar policë duke goditur me shkopa gome protestues të neutralizuar, shoqërime të dhunshme të fëmijëve dhe vajzave, përdorim të gazit lotsjellës pa kriter, plumbave të gomës dhe të gjitha mjeteve të forcës.

Rama bullizoi të rinjtë protestues si “pengje” të një “ideologjie shkatërrimi” apo si “qenie të verbra, njerëz pa shkollë, që nuk dinë as nga vijnë e as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë”, duke treguar një gur që vazhdon ta mbajë në dorë prej dy ditësh.

Pa dhënë edhe sot asnjë provë bindëse për teorinë e tij, Rama i cilësoi protestat dhe protestuesit si njerëz të frymëzuar nga një organizatë terroriste si ANTIFA.

Në daljen e pestë publike gjatë një jave protestash, kryeministri ka zgjedhur të dialogojë me policinë, por ai nuk foli përsëri për asnjë nga shqetësimet e njerëzve të revoltuar në protestë.

Përkundrazi, kryeministri kërcënoi të rinjtë kur tha se “të gjithë ata që ikin nga shkolla për të dhunuar policinë, nuk do të kthehen në shkollë normalisht pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas.”

Studentët dolën në protestë për cilësinë e arsimit publik në Shqipëri, kushtet e këqija në universitete dhe konvikte, koston e lartë të jetesës dhe korrupsionin universitar.

Por kërkesa kryesore e tyre ishte ajo për largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin studentët e konsiderojnë shkaktarin e këtyre problemeve dhe jo si zgjidhjen e tyre.

Rama nuk ka pranuar të japë dorëheqjen, gjë të cilën ai e përforcoi edhe sot në takimin me efektivët e policisë.

“Zgjidhje politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të të njomit me të thatin, me demek në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes nuk ka dhe nuk ka”.

Protestat u kthyen të dhunshme, pasi për më shumë se tre muaj, të rinjtë, grupet e ambientalistëve dhe shumë qytetarë shqiptarë dolën në protesta paqësore përpara zyrës së kryeministrit Rama me kërkesa specifike.

Protestuesit kërkonin anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura. Ata protestuan kundër korrupsionit qeveritar, mungesës së transparencës në marrjen e vendimeve dhe mungesës së llogaridhënies publike nga qeveria dhe kryeministri.

Rama tha sot se ai i kishte dëgjuar kërkesat e tyre poshtë dritares, por përtej retorikës së kryeministrit, ai i injoroi zërat poshtë dritares.

Projekti i lidhur me Xhared Kushner në Zvërnec vazhdon të ngrejë shumë pikëpyetje, megjithë premtimin publik të kryeministrit për transparencë.

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit gjatë këtyre tre muajve ka dhënë një seri lejesh për kulla dhe resorte në Tiranë dhe në bregdet.

Në një konkurs të beftë në muajin shtator, kryeministri miratoi ndërtimin e dy kullave në Parkun Rinia, hapësirën e vetme të blertë në qendër të Tiranës.

Kosto e jetesës vazhdon të jetë e lartë për shumicën e familjeve shqiptare. Shifrat e fundit të vetë Institutit të Statistikave tregojnë se pabarazia në vitin 2025 është rritur dhe 4 në 10 qytetarë shqiptarë nuk përballojnë dot shpenzime elementare si mbajtja e shtëpisë ngrohtë, një javë pushime në vit, apo një faturë të paparashikuar prej 30 mijë lekësh.

Shpërndaje te miqtë