
Në një fjalim të para dy ditëve para deputetëve socialistë, Kryeministri Rama i dha Revolucionit Flamingo një shpjegim të vetëm organizues: një “ciklon digjital” ku algoritmet shpërblejnë indinjatën, perceptimi ia kalon faktit dhe një treg klikimesh prodhon revoltë politike.
Ky pretendim është më i sofistikuar se fjalori i zakonshëm qeveritar për dezinformimin dhe “duart e huaja”.
Ai synon ta zhvendosë shkakun e mobilizimit më të madh qytetar në Shqipëri prej vitesh nga mënyra se si është qeverisur vendi te mënyra se si zemërimi qarkullon online.
Rama përshkroi njëzet ditë brenda këtij “cikloni digjital” të ndezur nga protestat për Zvërnecin.
Në rrëfimin e tij, një përplasje lokale mes rojeve private dhe një protestuesi u kthye në betejë globale online sepse projekti lidhej me Xhared Kushnerin dhe, përmes tij, me Donald Trumpin.
Sipas tij, flamingoja u bë simboli rreth të cilit mund të rreshtoheshin, grumbulloheshin vëmendja e mediave të huaja, ndjenjat anti-Trump, opozita e brendshme, zemërimi online dhe ndikimi armiqësor.
Qëllimi i parë i Ramës është të zhvendosë shkakësinë.
Ai e largon shkakun e protestës nga mosbesimi institucional, vendimmarrja jo transparente dhe keqqeverisja e pasurive publike dhe e paraqet atë si rezultat të përshpejtimit simbolik dhe algoritmik.
Përmbajtja politike e mobilizimit bëhet dytësore ndaj shpejtësisë, simboleve dhe ngarkesës emocionale përmes së cilave mbështetja e protestës u përhap online.
Kjo lëvizje ka rëndësi sepse ndryshon pyetjen së cilës duhet t’i përgjigjet qeveria.
Një protestë rezultat i mosbesimit ndaj qeverisë kërkon reflektim mbi vendimmarrjen—ligjshmërinë, transparencën, llogaridhënien dhe reflektimin e interesit publik në vendimmarrje.
Një protestë që paraqitet si reaksion digjital mund të menaxhohet si problem perceptimi dhe manipulimi në sferën digjitale.
Në këtë mënyrë, Rama nuk i mohon hapur shqetësimet e qytetarëve; ai ua dobëson peshën duke i vendosur brenda një arkitekture amplifikimi online.
Nisur nga çështja Zvërneci ai ndërton një teori të përgjithshme të demokracisë. Algoritmet shpërblejnë indinjatën, frikën dhe konfliktin.
Në rrëfimin e tij, ekonomia e vëmendjes është kthyer në ekonomi politike, ku zemërimi prodhon dukshmëri, dukshmëria prodhon ndikim dhe ndikimi prodhon pushtet.
Sheshi, thotë ai, është bërë studio televizive e algoritmit, ku protesta filmohet për të ushqyer qarkullimin online, ndërsa shekulli XXI po prodhon një “proletariat të algoritmit”, një klasë të bashkuar nga vëmendja më shumë sesa nga puna.
Kjo analizë nuk është pa substancë. Platformat shpërblejnë shpejtësinë, spektaklin dhe sigurinë e shprehjes.
Në të vërtetë, protesta sot jeton njëkohësisht në shesh dhe në ekran.
Një video, një transmetim live, një meme, një kordon policie, një protestues i plagosur apo një simbol i dallueshëm mund të qarkullojë përpara se institucionet të kenë publikuar dokumente ose redaksitë të kenë rindërtuar të gjithë rrjedhën e ngjarjes.
Edhe shprehja e Ramës “liria e fakteve” emërton një rrezik real: faktet mund të jenë formalisht njohuri publike dhe prapë të humbasin forcën publike si pasojë e shtrembërimeve, kërcënimeve apo mbingopjes informative.
Por pretendimi i Kryeministrit është e vështirë që të fitojë mbështetje pasi vetë qeveria e tij është një nga prodhuesit më të mëdhenj të përmbajtjes politike të parapaketuar dhe një nga burimet kryesore të mbingopjes informative të publikut.
Një qeveri që e ka mbingarkuar sferën publike me komunikimet e veta propagandistike nuk mund të besohet kaq lehtë vetes se është kujdestare e fakteve dhe luftëtare kundër shtrembërimeve.
Nëse qeveria do që në publik të mbizotërojnë faktet, ajo duhet që në radhë të parë të ndryshojë sjelljen e saj dhe të përmbushë detyrimin e saj për transparencë dhe llogaridhënie.
Rrjedha shkakësore që përshkruan Rama është e anasjellta e realitetit.
Siç ka argumentuar Gjergj Erebara, ishte zemërimi që e theu algoritmin, dhe jo algoritmi që prodhoi zemërimin.
Reagimi ndaj ngjarjeve në Zvërnec e kapërceu jehonën e platformave sepse zemërimi publik kishte arritur në pikën e shpërthimit. Algoritmi shpjegon sa shpejt udhëtoi mesazhi—nuk shpjegon pse ai gjeti një publik kaq të gjerë.
Diagnoza e kryeministrit drejtohet kundër legjitimitetit të protestës.
Kur protestuesit përshkruhen si “proletariat i algoritmit”, vullneti i tyre bëhet i dyshimtë: qytetari që kërkon mirëqeverisjen reduktohet në një përdorues që kërkon dukshmëri, faktet kthehen në përmbajtje dhe mobilizimi shpjegohet si një reagim ngjitës emocional.
Ta quash mobilizimin më të madh qytetar në dekada thjesht një ‘ciklon digjital’ do të thotë të heqësh detyrimin për të dalluar pjesët përbërëse, dhe bashkë me të, detyrimin për t’u përgjigjur.
Këto pjesë nuk janë një gjë e vetme.
Një video e rreme, një taktikë opozitare, provat e një qytetari, pretendimi i një aktivisti, interesi i mediave të huaja dhe një operacion armiqësor informacioni nuk shkrihen në një fenomen të vetëm vetëm sepse lëvizin në të njëjtat platforma digjitale.
Secila kërkon përgjigjen e vet: korrigjo videon e rreme, ekspozo pretendimin e fabrikuar, emërto veprimtarinë e koordinuar armiqësore kur ka prova që e mbështesin, dhe trajto provimin e qytetarit si thelbësor për demokracinë.
Përfitimi politik i metaforës së ciklonit është pikërisht ky: çdo formë mospajtimi mund të trajtohet sikur të ishte zhurmë pa legjitimitet.
Fjalimi i Kryeministrit vendos edhe një kordon mbrojtës rreth autoritetit.
Rama argumenton se ndonëse demokracia u përket qytetarëve, jo çdo opinion publik mund të ketë të njëjtën peshë për çdo çështje.
Ky qëndrim është deri diku i justifikuar: vendimet publike kërkojnë njohuri, prova dhe përgjegjësi.
Megjithatë, në kontekstin e Revolucionit të Flamingove, ky argument merr një natyrë të mprehtë politike. Ai i kufizon qytetarët vetëm në rolin e shprehjes së shqetësimeve, duke ia rezervuar aftësinë për të pasur njohuritë e nevojshme vetëm atyre që janë duke qeverisur.
Në këtë mënyrë, ekspertiza nuk shërben si mundësues i demokracisë por si filtër përjashtues gjuhësor, veçanërisht kur dijenia publike mbi dokumentet, procedurat dhe provat mbi të cilat janë marrë vendimet publike mbetet e paplotë, e paarritshme ose e vonuar.
Rama argumenton me autoritet mbi politikën algoritmike, sepse ai është një nga praktikuesit më të suksesshëm të saj.
Stili i tij publik mbështetet prej kohësh tek video-komunikimi i drejtpërdrejt me publikun, tek skenat me atë në qendër e tek anashkalimi i gazetarëve nga podkasti Flasim te formati Sy m’Sy. Ai përsërit, përqesh, reagon shpejt.
Është e njëjta arkitekturë që ai tani e përshkruan si kërcënim, ndërkohë që deri më tani e ka përdorur aq mirë si avantazh.
Çështja shkon përtej stilit personal.
Gjatë fushatës së majit 2025, partitë i furnizuan mediat me video dhe materiale të parapaketuara të cilat u transmetuan dhe botuan shabllon.
Kjo bëri që mbulimi mediatik i fushatës të bëhej kryesisht sipas produkteve të prodhuara në zyra partiake.
Siç vëren Erebara, qeveritë dominojnë mediat sociale përmes mbingopjes: një postimi të vetëm kritik, shteti mund t’i kundërvihet me një volum të madh postimesh, të financuar nga burime publike, duke i lënë zërat kritikë të izoluar.
Materialet politike prodhohen për platformat sociale dhe riciklohen në portale e televizione, në një sistem hibrid që qeveria e ka fuqizuar dhe perfeksionuar më shumë se kushdo tjetër.
E njëjta gatishmëri për të kontrolluar hapësirën u shfaq me TikTok-un.
Pas vrasjes së një adoleshenti, qeveria e mbylli platformën për një vit. Gjykata Kushtetuese e shpalli ndalimin antikushtetues, duke vlerësuar se një bllokim i përgjithshëm nuk ishte as i nevojshëm dhe as proporcional, dhe se ai cënonte lirinë e shprehjes dhe të shtypit.
Një qeveri që thërret në ndihmë dëmin që mund të shkaktojnë platformat sociale ka treguar tashmë se mund të lëvizë drejt mbylljes së tyre. Ky është rreziku: e njëjta logjikë që e quan protestën ciklon mund të përdoret për të ngushtuar hapësirën ku protesta është bërë e dukshme.
Standardi zbatohet vetëm në një drejtim. Media sociale që mbart mesazhin e qeverisë quhet demokraci, lidership dhe komunikim i drejtpërdrejtë. Media sociale që përcjell mobilizim kundër qeverisë quhet zhurmë, histeri dhe manipulim.
Një standard demokratik nuk mund ta dënojë mobilizimin algoritmik vetëm kur ky mobilizim vjen nga qytetarët.
Fjalimi i Kryeministrit është, qartazi, përgjigje ndaj humbjes së kontrollit mbi narrativën.
Për herë të parë në vite, e njëjta arkitekturë që ai ka përdorur me sukses u përdor nga poshtë.
Qytetarët i kthyen videot, memet, transmetimet e drejtpërdrejta dhe një simbol të dallueshëm në një mobilizim që nuk priti agjendën televizive për ta legjitimuar.
Dhe qeveria nuk mundi dot që ta përcaktonte ajo narrativën me të cilën u përshkrua kjo lëvizje.
Prandaj Rama, veç pretendimeve të protestës, po sulmon edhe procesin që i bëri ato pretendime të besueshme.
Por Shqipërisë nuk i duhet një kryeministër që të ofrojë një teori të re të demokracisë; i duhet një kryeministër që praktikon rregullat e saj bazë.
Ta trajtosh Revolucionin Flamingo si një stuhi që pritet të kalojë do të thotë të humbasësh forcën e tij demokratike.
