
Kryeministri që pushoi së foluri
Prej katër ditësh, rrugët e Tiranës u përkasin protestuesve. Prej katër ditësh, kryeministri më fjalëshumë i Evropës nuk ka thuajse asgjë për të thënë.
Edi Rama e ka ngritur karrierën e tij politike mbi bindjen se kush kontrollon narrativën, kontrollon vendin. Ka qeverisur me shkrime, fjalime, monologë, podkaste, ekspozita dhe një teatër shumëngjyrësh në rrjetet sociale, ku luan të gjitha rolet: artist, arkitekt, baba i kombit, superhero, nip i gjyshes, katolik, musliman, hebre, shpëtimtar, luan i pathyeshëm.
Por në shpërthimin më të rrezikshëm qytetar kundër pushtetit të tij, ai është shfaqur vetëm dy herë në publik, me video të regjistruara dhe të montuara.
Të dyja herët qëndroi para një kioske të djegur. E para kishte shërbyer si zyrë e Kolegjit të Evropës. Të dytën e paraqiti si “bukën e humbur” të një familjeje të thjeshtë, ndonëse i përket njërit prej biznesmenëve më të pasur të vendit.
Nuk takoi askënd. Nuk bëri asnjë mbledhje. Nuk mbajti asnjë fjalim.
Deklaratat ua la vartësve: një kryenegociatoreje që, përveç tij, nuk e njeh kush, kryetarit të Kuvendit dhe ministrit të Brendshëm, i cili fajësoi opozitën dhe duart e huaja.
Është tunduese ta lexosh këtë si paralizë, si një udhëheqës që po i rrëshqet toka nën këmbë. Por ky lexim do të ishte i gabuar. Kryeministri mund të jetë vërtet i tronditur, por zhdukja e tij nuk është shembje. Është strategji.
Taktikat e Ramës: nga libri i çdo autokrati
Regjimet autokratike si të kryeministrit janë studiuar mirë në dekadat e fundit. Emërtimet e këtyre regjimeve ndryshojnë (autokraci elektorale, regjime hibride, sisteme patronale, autoritarizëm konkurrues, diktatura të manipulimit), por tiparet kryesore janë të njëjta.
Sundimtarët e tyre i ruajnë zgjedhjet, gjykatat dhe një media në dukje të lirë, por i gërryejnë ato nga brenda: ruajnë fasadën, por jo funksionin.
ta nuk sundojnë hapur me anë të frikës, por me para, me kontrollin e informacionit dhe me imazhin e kompetencës së pazëvendësueshme.
Forcës i drejtohen vetëm kur propaganda dështon, por edhe atëherë me kursim, sepse shtypja e hapur rrëzon fasadën.
Rama ka ndjekur këtë manual.
Në pikën e tanishme kur kontrolli i informacionit dhe manipulimi i opinionit nuk i ecën më, ai po përdor dhunën. Por dhunën me doza, pa viktima.
Po përdor edhe një armë tjetër: rrëmujën.
Strategjia e tij përmban katër lëvizje taktike.
E para, po lë imazhet të bëjnë punën e tyre. Tymi, xhamat e thyer dhe kioskat e djegura trembin pikërisht njerëzit që i duhen Ramës: klasën e mesme, sipërmarrësit e vegjël, familjet që jetojnë me paratë e emigrantëve të cilat vlerësojnë stabilitetin mbi gjithçka.
Çdo natë përplasjesh ngre në mendjen e tyre një pyetje të heshtur: kjo është alternativa?
Prandaj Rama u shfaq para objekteve të djegura, jo pranë njerëzve.
Kioska është mesazhi: protestuesi portretizohet si vandal, qeveria si rojtare e rendit.
Është e njëjta dredhi si e Erdoganit në Gezi në 2013, kur përhapi historinë se protestuesit kishin hyrë me këpucë dhe kishin pirë alkool në një xhami. Kioska e Ramës është xhamia e Erdoganit.
E dyta, po pret lodhjen. Protestat mbahen gjallë me energji, jo me strukturë. Ato nuk kanë bankomat, nuk kanë organizim, nuk kanë durimin që kërkon një rrethim i gjatë i kundërshtarit.
Rama jo pa të drejtë mendon se lodhja, dëmtimet e shëndetit, dhuna, arrestimet, presioni i familjeve, dimri dhe provimet punojnë për të.
Në gjendjen ku është, atij nuk i duhet të fitojë asgjë; i mjafton vetëm të mbijetojë. Heshtja kushton më pak se fjala, dhe gazi lotsjellës më pak se edhe një këmbë e karriges së tij.
Kjo nuk është taktikë e re. Është arma më e sprovuar e Ramës, e cila deri më sot nuk i ka dështuar. Me këtë taktikë ai lodhi çadrën e Bashës në 2017, protestat e ashpra të opozitës në 2019 dhe Revolucionin e Flamingove këtë verë.
Çdo herë priti, dhe çdo herë ruajti pushtetin.
Këtë taktikë e ka mësuar në kurrizin e tij: në pranverën e vitit 2010, si kryetar i opozitës, organizoi grevën e urisë në një çadër në bulevard për hapjen e kutive të votimit. Kryeministri Berisha thjesht priti, dhe greva u mbyll pa arritur asgjë.
Rama e di nga përvoja sa shpejt mund të shterojë energjia e një proteste kur pushteti nuk lëviz.
Edhe Vuçiçi në Serbi, përballë lëvizjes më të madhe studentore në historinë e vendit, pas tragjedisë së Novi Sadit, bëri të njëjtën gjë: e quajti protestat një tjetër “revolucion me ngjyra” i nxitur nga jashtë dhe priti.
E treta, po përpiqet të identifikojë protestën me opozitën dhe “armiqtë". Ky është refreni kryesor që ai po përpiqet të përhapë: dhuna është komplot i opozitës dhe i duarve të huaja. Nëse protesta paketohet si luftë rruge e PD-së, Rama konsolidon bazën e tij dhe mban të pavarurit larg protestës.
Karta e BE-së i shërben së njëjtës lojë. Kur qeveria thotë se protesta rrezikon integrimin, studentët nuk janë më qytetarë që kërkojnë standarde evropiane, por sabotatorë të projektit kombëtar. I njëjti objektiv si akuzat për lojë të të huajve, pra të armiqve të Shqipërisë.
E katërta, po përpiqet të krijojë idenë e pazëvendësueshmërisë. Ndërsa policia lufton në rrugë, propaganduesit e tij “luftojnë” nëpër kafene dhe studio me të njëjtën pyetje: le të themi se Rama ikën nesër, po pastaj? Kush e zëvendëson? Kjo opozitë e dështuar?
Ky është parimi i parë në librin e autokratit. Besnikët e Putinit pyesnin: “Mirë, jo Putini, po atëherë kush?” Erdogani dhe Vuçiçi u kanë ofruar vendeve të tyre të njëjtën zgjedhje: ose unë, ose kaosi. Qëllimi është ta kthejë zemërimin në frikë.
Pyetja funksionon për dy arsye. Së pari, i bën jehonë kultit të individit që kemi trashëguar dhe fut fshehurazi një premisë të rreme: se një vend duhet të ketë gati një zëvendësues para se t’i lejohet të largojë udhëheqësin që ka. Demokracitë nuk funksionojnë kështu. Pasardhësin e nxjerr hapësira që krijohet pas largimit.
Së dyti, Rama ka një avantazh të vërtetë: zbrazëtinë përballë tij. Opozita ka humbur besueshmërinë jashtë bazës së saj dhe perceptohet, jo pa të drejtë, si e lidhur me të njëjtët oligarkë që mbajnë pushtetin e Ramës. Kërkon karrigen e tij, jo fundin e sistemit. Prandaj protestuesit i përzënë figurat e opozitës dhe brohorasin “Rama në burg, Berisha në burg”.
Por kjo zbrazëti është vepër e vetë Ramës, produkt i kapjes së institucioneve, mediave dhe të vetë opozitës. Pasi e ktheu politikën në shkretëtirë, tani e përdor shkretëtirën si provë se është i domosdoshëm.
Pse strategjia e Ramës mund të mos funksionojë
E megjithatë, strategjia që e ka shpëtuar Ramën deri tani mbështetet mbi supozime që mund të mos qëndrojnë më.
Policia është hallka e dobët. Regjimet rrallë bien direkt nga turmat. Bien kur ata që mbajnë shkopinjtë pushojnë së besuari se regjimi do t’i mbrojë. Me SPAK-un aktiv, çdo drejtues policie duhet të pyesë veten kush do të dalë në gjyq për këto netë pas pesë vjetësh.
Nëse e perceptojnë se Rama nuk e ka të gjatë, do të ngurrojnë të bëhen vegla të një dhune për të cilën do të paguajnë vetë. Besnikëria në një sistem politik patronal, si i Ramës, është transaksion: mbetet gjallë për aq kohë sa patroni mund të paguajë.
Dhuna krijon martirë, dhe martirët mund të përmbysin gjithçka. Askush nuk e di këtë më mirë se Rama. Më 21 janar 2011, katër protestues u vranë para Kryeministrisë. Ajo ditë shënoi rënien e Berishës dhe i hapi Ramës rrugën drejt pushtetit.
Logjika e rrëmujës që vetëm frikëson, kërkon dhunë të kontrolluar. Një viktimë e vetme, dhe çdo gjë përmbyset brenda natës: vandali bëhet viktimë, rojtari i rendit bëhet krimineli që dha urdhrin.
Elita ka nisur të bëjë llogaritë për një Shqipëri pa Ramën. Ka një bindje të gjerë se fati politik i Ramës tashmë është endosur dhe rënia është vetëm çështje kohe. Ministrat, deputetët, oligarkët dhe klientët e tij kanë më pak arsye të lidhin gjithë fatin e tyre hapur pas Ramës dhe kundër popullit. Askush nuk do të paguajë faturën që lë një udhëheqës që po largohet.
Disa prej tyre e mbajnë Ramën përgjegjës edhe për dëmet e protestave, edhe për prishjen e paqes, sepse e kuptojnë që, për sa kohë Rama do të mbetet në pushtet, qeverisja nuk do jetë e qetë dhe ndoshta edhe rrugët nuk do të qetësohen.
Për një elitë që jeton nga stabiliteti, një patron që prodhon kaos nuk është më garanci, por barrë.
Dhe patronit po i kufizohen paratë. Sistemi që mban Ramën në pushtet ushqehet nga dy burime: paratë e një ekonomie të kapur, paratë dhe pasuritë publike që shpërndahen te klientët; dhe paratë e pista që rridhnin kryesisht përmes ndërtimit dhe turizmit. Të dyja po tkurren, kryesisht nga SPAK-u dhe presioni ndërkombëtar. Më 2019, Rama mundi të blinte qetësinë.
Tani ka para për të përballuar vetëm pritjen. Por pritja është strategji për ata që kanë shumë kohë — dhe koha është ajo që po i mbaron sistemit të tij të falimentuar.
Studentët nuk janë Berisha dhe 2026-ta nuk është 1997-ta. Studentët nuk kanë flamuj partish, nuk kanë asnjë faj historik. Nuk mbajnë mbi supe traumat e tranzicionit.
Ata janë fëmijët e po atyre familjeve që Rama përpiqet t’i trembë. Një militant opozitar i rrahur mbetet po një militant në sytë e publikut. Një student i rrahur radikalizon një familje, pastaj një rreth shoqëror e më gjerë. Sa më shumë që policia dhunon në rrugë, aq më shumë humbet Rama në vatrat familjare.
Një strategji pa akt të dytë
Llogaria e Ramës është e thjeshtë: studentët do të lodhen, dimri do të vijë, kamerat do të largohen. Kështu ka ndodhur gjithmonë.
Por kësaj radhe ai po vë bast me një elitë që bën llogaritë për pas largimit të tij, me burime financiare që po kufizohen dhe me një brez të ri që nuk do të ikë.
Edhe nëse e fiton këtë raund, ai mbetet tashmë i dobët, më i varur nga policia dhe nga klientët, dhe më i ekspozuar ndaj goditjes së radhës, nga SPAK-u apo sërish nga rruga.
Shtypja dhe lodhja mund t’i japin fund një proteste, por nuk rikthejnë legjitimitetin.
Kjo është dobësia fatale e strategjisë së tij: ajo nuk ka një akt të dytë. Një qeveri që rinisë së vet i përgjigjet me gaz dhe shkopinj policie ka treguar se nuk ka më asgjë tjetër për të ofruar.
Ka një përsëritje të hidhur në këtë histori. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Rama qëndroi në po këto rrugë, ku sot policët e tij rrahin studentët, dhe u tha shqiptarëve se një qeveri që i pret qytetarët me dhunë e ka humbur të drejtën për të qeverisur.
Me ato fjalë ai bindi shumë prej tyre ta votonin si kryeministër.
Këto javë ai do të mësojë nëse ato fjalë vlejnë edhe për të.
Studentët e dinë përgjigjen.
Shpërndaje te miqtë
