
Në mëngjesin e së dielës, me orën shqiptare, Wall Street Journal, gazeta më e madhe amerikane dhe një nga mediat me më shumë ndikim në botë, publikoi artikullin më të plotë të botuar deri më tani në ndonjë media ndërkombëtare në lidhje me projektin e Zvërnecit.
Artikulli, me titullin e bujshëm “Gangsteri i dyshuar që po i sjell kokëçarje pazarit të Kushnerëve në Shqipëri”, ishte pozicionuar në ballë si artikulli kryesor i ditës.
Ai përmbante një investigim të kuruar në çdo detaj për historinë e pronave ku është propozuar projekti i lidhur me Kushner në Zvërnec. Në qendër të artikullit ishte fakti që tokat ishin blerë nga Artur Shehu, person që përballet me akuza të rënda për trafik droge dhe pastrim parash.
Nëntitulli i artikullit ishte po aq domethënës sa titulli: banorët e kishin paralajmëruar Kushnerin që në fillim se pronat ishin të tyre dhe u ishin grabitur.
Shkrimi merrej me historinë e Artur Shehut, nga përplasjet me armë të viteve 1997 e 1999, tek hetimet e antimafias italiane dhe shërbimeve të tjera europiane që kulmuan me hetimin e sapohapur nga SPAK për trafik droge e pastrim parash.
Artikulli trajtonte edhe akuzat për pastrimin e parave përmes shitje-blerjeve të dyshimta të tokave. Po ashtu ai prekte edhe marrëdhënien e projektit me kompanitë zinxhir që përfundojnë te zhvilluesit e udhëhequr nga Kushner.
Për nga momenti i botimit, vëmendja e kushtuar dhe hapësira që i kishte dhënë gazeta më autoritare amerikane për një vend të vogël si Shqipëria, një artikull i tillë ndodh shumë rrallë.
Në 30 vitet e fundit kanë qenë vetëm dy artikuj të tillë në mediat botërore për Shqipërinë, të cilët kanë shënuar historinë dhe momentet që kalonte vendi.
I pari u botua në kulmin e krizës së piramidave, në fillim të vitit 1997, nga gazeta e rëndësishme britanike The Independent, me titullin e fortë “Regjimi gangster që ne financojmë” (The gangster regime we fund).
Ky artikull tronditi shtetin e shkatërruar shqiptar, imazhin e Sali Berishës si president i vendit dhe qeverinë e tij. Për ata që e kanë jetuar atë kohë dhe kanë kujtesë për zhvillimet politike, artikulli përshkruante se si qeveria e Sali Berishës dhe Partia Demokratike e kishin kthyer Shqipërinë në një shtet gangster, ku krimi i organizuar dhe pushteti politik ishin të ndërthurur mes tyre.
Në shkrim denoncohej përfshirja dhe lidhjet e shtetit (shërbimi sekret, SHIK) me trafikantët e drogës, njerëzve, armëve dhe pastrimin e parave përmes firmave piramidale.
Ishte goditja më e fortë që erdhi nga jashtë. Shkrimi u përkthye në median shqiptare dhe u lexua masivisht, duke u bërë një tjetër faktor në shtimin e revoltës popullore që çoi në rënien më pas të shtetit dhe trazirat që pasuan.
Artikulli tjetër ka qenë një investigim i New York Times pas tragjedisë së Gërdecit, i botuar në prill 2008, pak javë pas shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve.
Artikulli zbuloi skemën e mashtrimit të dy personazheve anonimë amerikanë me kontratën 300 milionë dollarë të Pentagonit për furnizimin me fishekë të ushtrisë afgane. Ndërsa Kongresi amerikan kishte ndaluar blerjen e armëve prodhim kinez, në Shqipëri stoqet e armëve kineze ripaketoheshin sikur ishin prodhim shqiptar nga personazhe të dyshimtë shqiptarë, në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të qeverisë së PD-së.
Si artikulli i The Independent, ashtu edhe ai i New York Times ngritën furtuna politike në Shqipëri. Në të dy rastet opozita socialiste e kohës i ktheu ato në kauza politike për rrezimin e qeverive, duke akuzuar në të dy rastet për korrupsion dhe lidhje kriminale direkt zotin Berisha.
Shumë kush mund të mbajë mend seancat e tensionuara në Kuvend të vitit 2008, ku në momentet e debatit të ashpër politik socialistët e kishin kthyer në refren akuzat e New York Times.
Ndryshe nga rasti i The Independent apo New York Times, artikulli i Wall Street Journal në Shqipëri kaloi në heshtje thuajse totale.
Asnjë media e madhe, televizion apo portal me emër nuk e botoi, nuk e komentoi e madje as nuk e dha si lajm.
Për të heshtën si mediat pranë qeverisë, ashtu edhe mediat që janë pranë opozitës.
Përveç Exit.al, artikulli u botua në një grusht mediash online, përfshi Lapsi.al, Dosja.al, gazetadita.al, Boldnews e ndonjë tjetër. Ato media e botuan të përkthyer shkrimin më të rëndësishëm të botuar deri më tani mbi historinë e dyshimtë të Zvërnecit.
Këtë javë mediat kanë publikuar postime të Kryeministrit Edi Rama për video promovuese të turizmit me çmime të lira nga televizione franceze. Një citim me pak fjalë dhe i zakonshëm i Kryeministrit Rama në një shkrim të gjatë të Financial Times për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor u bë lajm kryesor në thuajse të gjitha mediat më të rëndësishme të vendit, përfshirë korniza në televizionet kryesore.
Media të tjera kritike me qeverinë kanë botuar shkrime denoncuese për qeverisjen edhe nga gazeta dytësore apo tretësore amerikane, spanjolle apo gjermane.
Por asnjë nga këto media nuk informoi për shkrimin e Wall Street Journal për Zvërnecin. As edhe dy rreshta në faqet web, asnjë kronikë e shkurtër lajmesh në ekran, asnjë koment apo analizë në emisionet e pafundme të televizioneve të lajmit të fundit.
Për këtë artikull nuk foli askush, jo nga qeveria, por as nga opozita.
Pavarësisht se përmendej personalisht, Kryeministri Edi Rama u mor me çështjen e lumit Ibër, “trollet” nga Kosova, deklaratat e Zelenskit dhe reagimet e shqiptarëve, por afërmendsh jo me shkrimin e WSJ.
As kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk e komentoi shkrimin. Zoti Berisha është njeriu që ka folur për këdo, ka denoncuar afera të qena e të paqena, ka treguar çdo thashethem që qarkullon për qeverinë, Kryeministrin dhe ministrat e tij dhe ka riprodhuar në publik dialogjet e supozuara brenda mbledhjeve me dyer të mbyllura të qeverisë apo të PS-së.
Por as ai nuk gjeti dy fjalë për investigimin e një prej gazetave më të rëndësishme të globit.
Dhe shkrimi i WSJ i ofronte bollshëm material zotit Berisha për të folur me emra. Por ai heshti.
Si ka mundësi të ndodhë ky terr i tillë në një vend ku media supozohet se është e lirë? Në një vend ku supozohet se ka pluralizëm politik? Si ka mundësi që heshti edhe media, edhe politika e të gjitha kahjeve?
Përgjigja është pikërisht te emrat. Te lidhjet e këtyre emrave me politikën e të dy krahëve, për interesat e biznesit mes këtyre emrave, qeverisë, opozitës dhe medias.
Ekziston një thënie se nëse do të dish se kush e kontrollon një vend, shiko se kë nuk të lejohet të kritikosh.
Po ta perifrazojmë: nëse do të kuptosh se kush e kontrollon median dhe opozitën, shikoni se kë nuk guxon ajo të kritikojë.
Dhe pa media dhe opozitë të lirë, në Shqipëri nuk mund të ketë ndryshim.
Shpërndaje te miqtë
