
Mbyllja e tre kapitujve të negociatave me BE-në—Shkenca dhe Kërkimi, Arsimi dhe Kultura, dhe Marrëdhëniet e Jashtme—është një sihariq i mirë për Shqipërinë.
Integrimi europian mbetet projekti më i rëndësishëm kombëtar pas pavarësimit të Kosovës dhe çdo progres në këtë rrugë meriton të përshëndetet.
Por, sepse integrimi është shumë i rëndësishëm, ai nuk duhet të lejohet të keqkuptohet apo të manipulohet për qëllime propagandistike.
Në debatin publik është ushqyer një perceptim i gabuar sikur mbyllja e një kapitulli do të thotë se Shqipëria i ka arritur tashmë standardet europiane në atë fushë.
Ka pasur madje përpjekje për ta paraqitur mbylljen e tre kapitujve si dëshmi se vendi ynë tashmë ka kapërcyer pragun e prapambetjes dhe, brenda një nate, ishte shpallur një vend me universitete konkurruese, kërkim shkencor modern, kulturë që lulëzon dhe një sferë akademike që garanton të ardhmen e gjeneratave të reja.
Në fakt, mbyllja e negociatave nuk është certifikim për cilësinë e asnjë prej këtyre fushave. Mbyllja thjesht dëshmon se ke harmonizuar legjislacionin dhe rregullat e vendit me ato të BE-së; se ke ngritur institucionet bazë dhe e ke bindur BE-në se ke kapacitetin minimal administrativ për t'i zbatuar ato rregulla.
Me fjalë të tjera, Brukseli nuk po thotë se problemi i prapambetjes në këto fusha është zgjidhur, por po thotë se Shqipëria ka marrë përsipër ta zgjidhë dhe ka ngritur bazën ligjore e institucionale për ta bërë këtë.
Një vend mund të ketë ligje perfekte dhe institucione të ngritura në letër, por rezultate shumë të dobëta në praktikë.
Arsimi, kultura dhe shkenca në Shqipëri janë ilustrim i mirë i kësaj gjendjeje.
Le të shohim gjendjen e arsimit.
Një nga treguesit e cilësisë së arsimit dhe rezultateve të tij janë testimet ndërkombëtare PISA, programi i OECD-së që mat çdo tre vjet aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet me gjendjen më të dobët në Europë në lexim, matematikë dhe shkencë, duke mbetur ndjeshëm pas vendeve kryesore europiane.
Akoma më keq, rezultatet e Shqipërisë kanë ardhur duke u përkeqësuar, siç tregojnë rezultatet e dy cikleve më të fundit të testimeve PISA: rezultati në lexim ra nga 405 në 358 pikë, në matematikë nga 437 në 368 pikë, ndërsa në shkencë nga 417 në 376 pikë.
Rezultatet e PISA-s kanë rëndësi jo vetëm si tregues të cilësisë së arsimit, por edhe si një parashikues i potencialit ekonomik afatgjatë të një vendi. Rezultatet e Shqipërisë tregojnë jo vetëm se nxënësit shqiptarë përvetësojnë më pak njohuri, por edhe që kapitali ynë njerëzor do të ketë aftësi të kufizuara për t'u përshtatur me ekonominë e inovacionit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Të dhënat e OECD-së tregojnë gjithashtu se shpenzimet e familjeve shqiptare për arsimimin e fëmijëve të tyre janë në majat e Europës. Prindërit shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit familjar për arsim, duke financuar kurse private, gjuhë të huaja, universitete private apo studime jashtë vendit.
Ky fakt tregon vlerësimin e lartë të familjeve shqiptare për formimin e fëmijëve të tyre, por edhe pamjaftueshmërinë e sistemit publik arsimor.
Në praktikë, shqiptarët e financojnë arsimin dy herë; fillimisht përmes taksave dhe më pas nga xhepi i tyre, për të siguruar atë që sistemi publik nuk arrin t'u ofrojë.
Sipas Komisionit Europian, investimet buxhetore për kërkim dhe zhvillim për vitin 2024 ishin sa afërsisht 0,2% të prodhimit vjetor të vendit. Mesatarja e Bashkimit Europian në të njëjtin vit ishte rreth 2,2%—11 herë më e lartë se ajo e Shqipërisë—ndërkohë që objektivi europian është të arrijë 3%.
Mungesa kronike e investimeve në shkencë dhe kërkim duket qartë në ndërtesat e rrënuara, laboratorët e vjetëruar apo të munguar, mungesën e bibliotekave dhe të qasjes në dijen dixhitale.
Universitetet tona e kanë të vështirë të prodhojnë kërkim konkurrues, të tërheqin studiues të rinj apo të kthehen në qendra të inovacionit dhe transferimit të teknologjisë.
Për më tepër, mungesën e inovacionit e tregon më së miri fakti që tek ne aplikimet për patenta të reja janë pothuajse inekzistente. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, nga 742 aplikime për patenta që u bënë në vitin 2024, vetëm 12 ishin nga shpikës shqiptarë; 730 të tjerat ishin patenta europiane që kërkonin mbrojtje edhe në Shqipëri.
Pasojat e mungesës së investimeve në arsim dhe shkencë reflektohen drejtpërdrejt në ekonomi. Sipas OECD-së, Shqipëria ka produktivitetin e dytë më të ulët në Europë pas Moldavisë: një orë pune në Shqipëri gjeneron vetëm rreth 26% të vlerës mesatare të një ore pune në Bashkimin Europian.
Ky hendek tregon mungesën e kapitalit njerëzor, teknologjisë, inovacionit dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.
Në fakt, investimi në arsim dhe shkencë nuk është thjesht politikë sociale, por një nga parakushtet kryesore të rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Arsimi dhe shkenca nuk mund të trajtohen si sektorë të izoluar të politikave publike, por si baza e ekonomisë moderne që bazohet mbi dituri. Cilësia e këtyre sektorëve ndikon drejtpërdrejt në produktivitetin e punës, aftësinë për të tërhequr investime me vlerë të shtuar, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Në ekonominë e shekullit XXI, avantazhi konkurrues i një vendi përcaktohet gjithnjë e më pak nga burimet natyrore dhe gjithnjë e më shumë nga cilësia e kapitalit njerëzor që arrin të krijojë. Për këtë arsye, rezultatet e arsimit nuk janë thjesht çështje e Ministrisë së Arsimit; ato janë një nga treguesit më të rëndësishëm të perspektivës ekonomike të vendit.
Por ndoshta mjerimi i shkencës dhe zhvillimit në Shqipëri nuk duket askund tjetër më mirë se tek institucioni që duhet të simbolizojë majën e mendimit të lirë dhe përparimin intelektual të kombit, Akademia e Shkencave.
Ajo vazhdon të drejtohet ende nga Skënder Gjinushi, ministri i Arsimit të regjimit komunist nën Ramiz Alinë. Në çdo demokraci do të ishte fyese dhe e papranueshme që institucioni më i lartë i shkencës të drejtohej nga një nga figurat më të rëndësishme të arsimit dhe shkencës nën një regjim totalitar që shtypi lirinë e mendimit, persekutoi elitën intelektuale dhe shkatërroi dijen dhe shkencën. Ky fakt tregon dështimin tonë edhe për të ndërtuar institucione akademike të bazuara mbi integritetin moral dhe profesional.
Së fundi, duhet theksuar edhe një fakt i rëndësishëm: mangësitë kronike të financimit dhe mbështetjes së arsimit dhe kërkimit kanë prodhuar krizën ekzistenciale të ikjes masive të trurit.
Shqipëria është sot mes dhjetë vendeve të para në botë për emigrimin e individëve me arsimim dhe kualifikim të lartë—në indeksin e arratisjes së kapitalit njerëzor dhe rrjedhjes së trurit Shqipëria në vitin 2024 shënoi 8,3 pikë nga 10, që është niveli më i keq, shumë më keq se mesatarja globale prej 4,98 pikësh.
Prandaj duhet ritheksuar se Brukseli mund të mbyllë kapitujt, por standardet ndërtohen në Shqipëri.
Ato nuk maten me numrin e ligjeve të miratuara, por me cilësinë e shkollave, universiteteve, laboratorëve, kërkimit shkencor dhe ekonomisë që ato prodhojnë. Integrimi europian nuk është një seri ceremonish diplomatike, por një proces transformimi të shtetit dhe shoqërisë.
