Gjembat e gardhit që çanë fasadën perfekte

Ornela Çuçi 11 Qershor 2026, 13:30

Gjembat e gardhit që çanë fasadën perfekte

Franca e vitit 1968 ishte ekonomikisht një histori suksesi. Ekonomia franceze po jetonte fundin e periudhës së njohur si Les Trente Glorieuses — 30 vitet e lavdishme të rritjes pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga viti 1950 deri më 1973, Prodhimi i Brendshëm i Francës u rrit mesatarisht 5% çdo vit. Prodhimi industrial u dyfishua. U ndërtuan autostrada, universitete, banesa dhe qytete të reja. Të ardhurat familjare u rritën ndjeshëm.

Me pak fjalë, gjithçka ishte perfekte. Madje, gjykuar nga statistikat, mund të arrije në përfundimin se Franca po jetonte një nga periudhat më të suksesshme të historisë së saj moderne.

Pikërisht atëherë shpërtheu revolta më e madhe shoqërore që kishte njohur vendi që prej Luftës së Dytë Botërore.

Shkëndija e parë ndodhi në mars të vitit 1968, kur studentët e Universitetit të Nanterrës në Paris filluan një protestë kundër mbipopullimit të universitetit, burokracisë akademike dhe mungesës së zërit të tyre në vendimmarrje.

Pak javë më vonë, autoritetet e mbyllën Nanterrën dhe më pas edhe Sorbonën, studentët e së cilës u solidarizuan me ata të Nanterrës. Ndërhyrja e policisë çoi në përplasje fizike që shënuan fillimin e një konflikti shoqëror.

Problemi nuk ishte universiteti. Universiteti ishte shkëndija.

Brenda pak javësh, protestat studentore u shndërruan në grevën më të madhe të historisë moderne franceze.

Mbi 10 milionë punonjës hynë në grevë. Industria, transporti, universitetet dhe administrata publike u paralizuan.

Askush nuk po protestonte më për kushtet në auditorë. Shoqëria franceze po protestonte kundër ndjesisë se zhvillimi ekonomik po arrinte duke i përjashtuar njerëzit e thjeshtë. Sepse shteti fliste për sukses, ndërsa shoqëria ndjehej e përjashtuar.

Këtë zhvillim shoqëror Henri Lefebvre e përkufizoi më së miri: "Kur një shoqëri nuk mund të transformojë realitetin, ajo fillon të transformojë vetëdijen."

Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, shoqëria shqiptare i ngjan asaj franceze të fundviteve 1960. Edhe Shqipëria, në letër, është një histori suksesi. Madje edhe sipas statistikave të INSTAT-it. Edhe në studiot televizive.

Turizmi është në shifra rekord. Investimet në rritje. Tirana po përjeton bumin më të madh të ndërtimit në historinë e saj. Çdo muaj ngrihen kulla të reja. Çdo sezon shkruhet se kemi hyrë në një epokë të re zhvillimi.

Natyrisht, një pjesë e këtyre transformimeve janë të vërteta.

Problemi fillon kur statistikat tregojnë një realitet që nuk përjetohet nga njerëzit. Sepse qytetarët nuk jetojnë si mesatare statistikore—secili ka rrogën e vet dhe jo rrogën mesatare.

Secili ndeshet me qiranë e vet, me kredinë e vet, me faturat e veta.

Secili përjeton (pa)mundësitë e fëmijëve të vet për të ndërtuar një jetë dinjitoze në këtë vend.

Im bir punon. Dy punë. Shumë të rinj të moshës së tij punojnë. Janë më të arsimuar se brezi ynë. Kanë më shumë informacion, më shumë aftësi dhe më shumë mundësi teorike sesa kishim ne.

Dhe megjithatë, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë asnjë mundësi të blejnë një apartament. Shumica nuk ka mundësi të arrijë sigurinë ekonomike. Nuk janë të paktë ata që e shohin të vështirë të mbajnë një familje e të rrisin fëmijë në këto kushte.

Kur të rinjtë nuk shohin mundësi në të, atëherë për kë po ndërtohet ky qytet? Kush po e shijon suksesin që tregojnë statistikat dhe me të cilin mburret qeveria? Kush po përfiton nga ky transformim?

Kur ballafaqon çmimet me pagën mesatare, kupton se diçka nuk përputhet. Kur sheh kullat të rriten më shpejt se mundësitë e qytetarëve për të jetuar në to, kupton se diçka nuk përputhet. Kur sheh statistika optimiste dhe njëkohësisht emigrim masiv të të rinjve, kupton se diçka nuk përputhet.

Dhe kur gjërat pushojnë së përputhuri, lind mosbesimi. Ky ishte mësimi i Francës së vitit 1968.

Asnjë nga fëmijët tanë nuk proteston realisht për një gardh. Ashtu siç askush në Francën e vitit 1968 nuk protestonte realisht për Nanterrën apo Sorbonën. Ato ishin vetëm shkëndijat.

Gardhi shënoi çastin kur shumica e shqiptarëve u ndjenë jashtë historisë së suksesit që u tregohet çdo ditë.

Shqiptarët po ikin. Dhe problemi që ata ndeshin nuk është më mjedisor. Nuk është më urbanistik. Nuk është më as ekonomik. Problemi është politik.

Sidomos në ditën e njëmbëdhjetë të protestës, tre gjëra duken tashmë qartë.

E para, protesta e ka tejkaluar shkakun që e nisi. Në ditët e para mund të flisje për një konflikt mjedisor. Por jo më.

Kur mijëra njerëz vërshojnë në rrugë pas kaq ditësh, protesta është kthyer në mishërim të pakënaqësisë ndaj përjashtimit ekonomik e politik.

Është kthyer në shprehje të zemërimit kundër pushtetit arrogant, që jo vetëm i ka lënë njerëzit jashtë vendimmarrjes, por edhe nuk denjon t’i informojë dhe t’u japë llogari. Është zemërim me nivelin e paimagjinueshëm të korrupsionit.

E dyta, protesta nuk është ende një alternativë politike. Ajo po prodhon pyetje, arsye, por ende nuk po prodhon përgjigje. Po thotë se diçka nuk funksionon, por ende nuk ka artikuluar qartë se si duhet të funksionojë.

Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht dobësi. Edhe në Francën e vitit 1968, studentët dhe punëtorët nuk kishin një program të përbashkët politik. Ajo që kishin ishte bindja se sistemi nuk mund të vazhdonte si më parë.

Problemi nuk është se Kryeministri nuk po i përgjigjet protestës. Problemi është se po sillet sikur protesta nuk është për atë që protestuesit po thonë se është.

Në vend që të flasë për pronat, për modelin e zhvillimit, për përfituesit e tij, për institucionet që kanë marrë vendimet, ai flet për flamingot, pelikanët dhe Instagramin.

Kjo nuk është përgjigje politike. Është shmangie politike.

Dhe historia ka treguar se momenti kur pushteti fillon të debatojë me karikaturën e protestës, në vend të protestës reale, është momenti kur ai ka filluar të mos e kuptojë më shoqërinë që qeveris.

Pyetja nuk është as nëse do të largohet Rama. Madje nuk është as nëse do ta marrë me vete edhe Berishën.

Pyetja është nëse kjo protestë po shënon fundin e bindjes se Shqipëria mund të vazhdojë të qeveriset me të njëjtin model politik që ka dominuar 30 vitet e fundit.

Sepse, në fund të fundit, protestat e vitit 1968 nuk ndryshuan qeverinë e atyre ditëve në Francë. Ato ndryshuan Francën e viteve që erdhën më pas.