
“Duart e pastra” (mani pulite), hetimi i korrupsionit politik në fillim të viteve 1990-të në Itali — i cili rrëzoi elitën politike dhe nxorri nga skena thuajse të gjitha partitë politike që kishin dominuar Italinë pas Luftës II Botërore — përmendet shpesh në Shqipëri si zgjidhja që i duhet vendit për të dalë nga korrupsioni sistemik që sundon prej dekadash.
Megjithatë pak kush nga ata që lëvdojnë “duart e pastra” është i vetëdijshëm se thelbi i hetimeve të duarve të pastra ishin financimet e paligjshme të partive italiane. I ashtuquajturi “tangetopoli” ishte kthyer në praktikë të kudo-përhapur në Itali: kompanitë mund të merrnin kontrata për punë publike, vetëm nëse premtonin t’u kthenin një pjesë të parave publike partive në pushtet. Hetimi zbuloi se gjatë viteve 1980-të miliardë dollarë kishin kaluar në mënyrë të paligjshme nga kompanitë private drejt partive politike italiane.
Financimi i paligjshëm i partive mbetet një shqetësim i rëndësishme i politikës perëndimore. Është tregues që figura të rëndësishme të politikës evropiane kanë gjetur fundin politik për shkak të financimeve të paligjshme partiake, nga ish-kancelari gjerman Helmut Koli në vitet 1990-të tek ish-presidenti francez Nikola Sarkozi para pak muajsh.
Në Shqipëri, financimi i paligjshëm është ndoshta problemi më serioz dhe shkaku kryesor i korrupsioni politik në vend. Është, fatkeqësisht, edhe një problem i injoruar nga politika—pavarësisht se për të diskutohet prej vitesh, nuk ka patur asnjë masë për ta përballur. Akoma më keq, financimet e paligjshme partiake kanë qenë jashtë interesit të institucioneve të drejtësisë apo të kontrollit shtetëror.
Përmasat e problemit
Gjendja e financiameve partiake është, pa egzagjerim, alarmante. Bizneset financojnë dhjetëra miliona euro fushatat zgjedhore dhe veprimtarinë e partive politike të cilat merren dhe përdoren në mënyrë të fshehtë. Vitet e fundit janë ngjallur dyshime serioze se krimi ëstë ëbrë gjithashtu burim i rëndësishëm i financimit partiak.
Është e qartë se në shkëmbim të financimit, financuesit përfitojnë favore dhe kontrata publike.
Asnjë parti politike, në asnjë nga fushatat parlamentare dhe vendore gjatë dekadës së fundit, nuk ka deklaruar dhurime nga bizneset. Asnjë nga sipërmarrësit e mesëm apo të mëdhenj nuk është raportuar si dhurues në çfarëdo shume i partitë politike dhe fushatave të tyre.
Le të hedhim shohim disa tregues të fushatës zgjehdore të vitit 2021 për të ilustruar natyrën dhe përmasat e kësaj dukurie.
Në zgjedhjet 2021, shpenzimet totale të raportuara nga të gjitha partitë ishin rreth 2,4 milonë euro. Prej tyre, rreth 1 milionë euro ishin financim i buxhetit të shtetit për partitë, dhe gati 1,4 milionë euro ishin dhurimet private apo fondet që partitë sigurojnë nga anëtarët dhe aktivitete të tjera.
Parttië deklaruan në total pothuajse të njejtën shumë shpenzimesh për fushatën, pra rreth 2,4 milionë euro.
Po sa ishin kostot e vërteta të fushatës? Le të vlerësojmë disa zëra shpenzimesh.
Gjatë fushatës, KQZ monitori televizionet dhe vlerësoi koston e reklamave partiake në to, në bazë të tarifave publike të televizioneve (që në fakt deklarohen më të ulta se tarifat e vërteta). Sipas KQZ-së, partitë harxhuan në total të paktën 5,3 milionë euro vetëm për reklama televizive. (Në këtë shumë nuk përfshihet reklama në rrjetet sociale, apo në mjedise publike).
Sa deklaruan vetë partitë për shpenzimet televizive? Rreth 550 mijë euro. Pra ,10 herë më pak se shpenzimet reale të partive.
Le të shohim një tjetër shpenzim të partive në fushatë–shpenzimet për adminsitrimin e votimit dhe numërimit.
Në zgjedhjet e 2021 u votua në afërsisht 5200 qendra votimit. Në çdo qendër kishte 7 anëtarë komisioni—përfaqësues të 3 partive kryesore politike, PD, PS, LSI. Në total pati rreth 36 mijë anëtarë komisionesh në të gjithë vendin. Edhe komisionerët paguhen nga KQZ (3 mijë lekë në total), të gjithë paguhen veçmas nga partitë politike që përfaqësojnë. Pagesa luhatet zakonisht me rreth 50-100 euro (partia në pushtet zakonisht paguan më shumë, partitë e opozitës më pak). Për secilin prej tyre, partitë ofrojnë edhe ushqim dhe pije gjatë gjithë ditës së votimit—shpenzime që shkojnë të paktën 20-30 euro për person. Me një vlerësim fare të përafërt vetëm për qëllim ilustrimi arrihet në përfundimin se vetëm pagesat për anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit u kushtuan partive rreth 3-5 milionë euro.
Këtu nuk llogariten vëzhguesit— në çdo qendër votimi pati të paktën 5 vëzhgues partiakë, pra në total të paktën rreth 25 mijë vëzhgues. Edhe ata u paguan nga partitë për punën dhe shpenzimet për ushqim. Me një vlerësim shumë të përafërt ata u kushtuan partive rreth 1 milionë euro.
Këtyre kostove duhet t’i shtyhet kostoja e anëtarëve të komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor (KZAZ) dhe numëruesve. Në zgjedhje pati rreth 90 KZAZ me shtatë anëtarë dhe një sekretar secila—pra, në total 560 persona që punuan disa ditë. Në çdo KZAZ kishte rreth 5 tavolina numërimi me nga katër numërues secila, pra, në total janë rreth 1800 numërues, që punuan të paktnë një ditë. Për çdo tavolinë numërimi, kishte edhe disa vëzhgues partiakë, në total disa mijëra vëzhgues. Të gjitha këta persona paguhen nga partitë si për punën ashtu edhe për shpenzime jetike gjatë ditëve të numërimit. Me një vlerësim shumë të rezervuar mund të thuhet se për numërimin partitë shpenzuan edhe të 1 milionë euro të tjera.
Duke i përmbledhur këto kosto, arrihet në përfundimin se vetëm për procesin e votimit dhe numërimit partitë shpenzuan të paktën rreth 5-7 milionë euro (rreth 10 milionë euro do ishte më afër realitetit) në zgjedhjet e vitit 2021.
Sa nga këto shpenzime deklaruan partitë? Pothuajse zero. Në përgjithësi, të gjitha këto pagesa u bënë nën dorë, pa u deklaruar fare.
Duke përmbledhur: vetëm shpenzimet për reklamë televizive dhe për procesin e votimit u kushtuan partive të paktën rreth 10 milionë euro (më gjasa më shumë).
Sa mund të ketë kushtuar e gjithë fushata? Një hamëndësim shumë i rezervuar do të ishte të paktën 2-3 herë më shumë, pra 20-30 milionë euro.
Pothuajse të gjitha këto para erdhën nga bizneset private. Të padeklaruara. Siç, duket në tabelën më poshtë, totali i të ardhurave nga dhurimet private dhe burimet e tjera partiake (përfshi kuotat e anëtarësisë) të deklaruara nga partitë politike për zgjedhjet e vitit 2021 ishin rreth 1,4 milionë euro.

Kjo do të thotë që dhjetëra miliona euro janë marrë nga partitë politike nën dorë ose në mënyrë të paligjshme dhe janë shpenzuar pa u deklaruar po në mënyrë të paligjshme.
Pasojat politike
Partitë politike bashkëpunojnë në mënyrë ta paligjshme me bizneset—si ato që janë në pushtet edhe ato që janë në opozitë. Kjo dukuri ka bërë që klientelizmi dhe kapja e shtetit nga interesat private ekonomike janë tipare kryesore të qeverisjes në vend. (Nuk është vendi këtu për të argumentuar këtë përfundim, i cili konfirmohet nga raporte dhe studime vendase e ndërkombëtare).
Për më tepër, problemet e korrupsionit dhe kapjes së shtetit duket se janë probleme sistemike, pra tipare të vetë sistemit tonë ekonomiko-politik dhe jo pasoja dytësore.
Fatkeqësisht këto janë edhe dukuritë më pak të diskutuara në publik dhe më pak të kudnërshtuara nga aktorët politikë. Arsyeja e kësaj hshtjeje mund të kuptohet lehtë: të gjitha partitë politike përfitojnë financime të paligjshme nga bizneset private. Ky financim shpërblehet me kontrata publike nga partitë në pushtet dhe me heshtje nga partitë në opozitë.
Një nga gjërat më të dukshme në debatin publik për skandalet në prokuriemt publike që po heton SPAK është se opozita sulmon ashpër ministrat e drejtuesit pubikë të dyshuar apo akuzuar për favorizim të firmave të caktuara private, por nuk artikulon kritika të qarta për përftituesit private.
Kjo gjë nuk do të ndryshojë për aq kohë financimi partiake të formalizohet. Ndoshta në Shqipëri nuk do të ketë levizje shkatërruese si në Italinë e “duarve të pastra”, por është koha që të paktën ky problem të fillojë të zgjidhet në mënyrë graduale.
