
Një nga argumentet më të përdorura kundër protestës për zhvillimin në Zvërnec është paralelizmi me projektin Ellinikon në Athinë.
Argumenti është i thjeshtë: nëse Greqia po realizon një nga projektet më të mëdha të zhvillimit urban në Mesdhe, pse Shqipëria nuk duhet të ndjekë të njëjtën rrugë?
Në shikim të parë analogjia tingëllon bindëse. Megjithatë, kur analizohet natyra e dy projekteve, bëhet e qartë se kemi të bëjmë me territore, histori dhe dilema planifikimi krejtësisht të ndryshme.
Projekti Ellinikon përfaqëson një kategori krejt tjetër zhvillimi nga Zvërneci. Në planifikimin urban ka një dallim të qartë mes rizhvillimit të zonave të urbanizuara ose të degraduara dhe zhvillimit në zona natyrore të paprekura.
Rasti i parë ka të bëjë me ripërdorimin e zonave industriale, ndërtimeve të vjetra apo territoreve të degraduara nga aktiviteti njerëzor.
Rasti i dytë ka të bëjë me transformimin e territoreve apo hapësirave të paprekura më parë të cilat ruajnë ende karakterin e tyre natyror.
Ellinikoni është një shembull klasik i kategorisë së parë.
Projekti po zhvillohet mbi territorin e aeroportit të vjetër të Athinës, i ndërtuar në vitin 1938 dhe i përdorur për më shumë se gjashtë dekada si aeroport ndërkombëtar, bazë ushtarake dhe infrastrukturë transporti.
Kur aeroporti u mbyll në vitin 2001, territori nuk ishte një peizazh natyror i paprekur, por një hapësirë e transformuar në mënyrë masive nga aktiviteti njerëzor industrial e logjistik.
Bregdeti i Ellinikonit—hapësira mes aeroportit dhe detit, e njohur si zona e Glifadhës dhe Kalamakit—ka qenë gjithashtu gjerësisht e urbanizuar dhe një zonë mjaft e zhvilluar gjatë kohës që aeroporti ndërkombëtar i Athinës ishte plotësisht në punë.
Prandaj debati në Greqi kishte të bënte me ripërdorimin optimal të një zone të urbanizuar, jo me transformimin e një hapësire në gjendje natyrore.
Nëse duam të bëjmë një krahasim serioz me Ellinikonin, ai duhet bërë me Laprakën.
Të dyja kanë qenë aeroporte, të dyja kanë humbur prej kohësh karakterin e tyre natyror dhe të dyja përbëjnë raste klasike të rizhvillimit të territoreve të urbanizuara.
Në fakt, rasti i Laprakës është edhe më interesant sepse na lejon të shohim konkretisht se çfarë ndodh me një territor të tillë në Shqipëri.
Aq më tepër kur transformimi i ish-fushës së aviacionit të Laprakës në hapësirë të betonizuar masivisht ndodhi kryesisht gjatë periudhës kur Zoti Rama ishte fillimisht kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më pas kryeministër.
Një nga të paktat hapësira të mëdha që nuk u përfshi nga ky proces ishte trualli i dhënë Kishës Katolike në 1993, me ndërmjetësimin e Nënë Terezës, për ndërtimin e Spitalit dhe Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë".
Kjo nuk do të thotë se projekti i Ellinikonit ka kaluar pa kundërshtime apo pa debate.
Përkundrazi, për më shumë se dy dekada ai ka qenë objekt i një prej debateve më intensive urbanistike, mjedisore dhe politike në Greqinë moderne—ndryshe nga aerodromi i Laprakës ku ndërtimet u bënë kuturu.
Ideja fillestare ishte krijimi i një parku metropolitan gjigant që do t'i kthente Athinës një pjesë të hapësirave të gjelbra që i mungojnë prej dekadash.
Por pas krizës dërrmuese financiare greke, vëmendja e qeverive u zhvendos gradualisht nga ideja e një parku publik drejt tërheqjes së investimeve private dhe privatizimit të territorit.
Kjo krijoi kundërshtime të forta nga urbanistë, akademikë, organizata mjedisore, bashki lokale dhe lëvizje qytetare që argumentonin se Athina kishte nevojë për më shumë hapësira publike dhe jo për një "qytet të ri luksi" të ndërtuar mbi territorin e ish-aeroportit.
Një pjesë e debatit lidhej me përmasat e parkut metropolitan ku kritikët argumentonin se premtimi fillestar për një hapësirë të madhe publike po zvogëlohej gradualisht në favor të kullave rezidenciale, hoteleve, kazinove, qendrave tregtare dhe zhvillimeve të tjera private. Të tjerë ngrinin shqetësime për ndikimin në trafik, infrastrukturë, aksesin publik në bregdet dhe rritjen e pabarazive hapësinore brenda Athinës.
Ajo që ka rëndësi për debatin shqiptar është se, pavarësisht intensitetit të këtyre kundërshtimeve, polemika në Greqi nuk është përqendruar te pyetja nëse duhet ruajtur një ekosistem natyror i paprekur apo jo.
Debati në Greqi nuk ka asnjë lidhje me debatin mbi fatin e një lagune, të një sistemi dunash, të grykëderdhjes së lumit të fundit të egër të Evropës apo të një habitati natyror me vlera të veçanta ekologjike të pazëvendësueshme.
Konflikti në Greqi ka qenë mbi mënyrën e rizhvillimit të një hapësire tashmë të urbanizuar, jo mbi urbanizimin e një hapësire të rrallë natyrore.
Edhe për këtë debat më pak kritik, u desh më shumë se një dekadë deri sa të vendosej mënyra e rizhvillimit.
Mësimi kryesor nga Ellinikoni nuk është "ndërtoni sa më shpejt", por se projekte të kësaj shkalle kalojnë përmes proceseve të gjata të diskutimit mbi interesin publik, hapësirat e gjelbra, ndikimin urban, aksesin e qytetarëve dhe raportin mes zhvillimit privat dhe përfitimit publik.
Argumenti bëhet edhe më interesant kur vendoset në kontekstin shqiptar.
Shqipëria nuk është një vend që vuan nga mungesa e vijës bregdetare të urbanizuar.
Përkundrazi, gjatë tre dekadave të fundit modeli i zhvillimit turistik ka qenë pikërisht urbanizimi masiv i bregdetit.
Golemi, plazhi i Durrësit, pjesë të Shëngjinit, Velipojës, Sarandës dhe Ksamilit janë shembuj të transformimeve dramatike të territorit bregdetar.
Vlerësimi i suksesit ose dështimit të këtyre modeleve mbetet objekt debati, por ato tregojnë se Shqipëria ka tashmë një eksperiencë të konsiderueshme me zhvillimin intensiv të zonave bregdetare.
Pikërisht për këtë arsye pyetja nuk është nëse vendi duhet të zhvillojë turizmin apo të tërheqë investime.
Pyetja është nëse zhvillimi i ardhshëm duhet të përqendrohet në rigjenerimin e territoreve tashmë të urbanizuara apo në transformimin e territoreve që ruajnë ende vlera të veçanta natyrore dhe mund të shërbejnë si aset për ta bërë vendin më atraktiv për vizitorët.
Në fund, krahasimi me Ellinikonin nuk e zgjidh këtë dilemë sepse nuk është krahasim midis rasteve të ngjashme.
Ellinikoni është një debat mbi ripërdorimin e një aeroporti.
Zvërneci është një debat mbi betonizimin e një ekosistemi ku janë parku detar Karaburun-Sazan; peizazhi i mbrojtur Pishë-Poro-Nartë dhe grykëderdhja e Vjosës që rishtazi është bërë biosferë e UNESCO-s dhe park kombëtar.
Ish-fusha e aviacionit të Laprakës si modeli i urbanizimit të Ramës do të ishte krahasimi i vetëm i ngjashëm me ish-fushën e aviacionit të Ellinikonit.
Vetëm pasi të pranohet kjo dallueshmëri mund të zhvillohet një diskutim racional mbi kostot, përfitimet dhe alternativat e secilit model zhvillimi.
