
Të gjithë ndoqëm me interes dosjet e fundit të SPAK për pastrimin e parave.
Debatin e përqendruam tek emrat, arrestimet dhe përgjegjësitë penale. Kjo është normale.
Në fund të fundit, kjo është ajo që bën SPAK—heton dhe çon përpara drejtësisë individët që beson se kanë shkelur ligjin.
Por, përtej aspektit penal, është edhe një pyetje që po diskutohet shumë pak por që është shumë më e rëndësishme.
Çfarë i ndodh një ekonomie si e jona, kur ligji fillon të zbatohet pa kompromis?
Pyetja mund të duket paradoksale në vende normale, por jo edhe tek ne.
Në një ekonomi të shëndetshme, zbatimi i ligjit duhet të jetë garancia më e madhe për zhvillimin ekonomik.
Investitorët seriozë kërkojnë pikërisht siguri juridike, konkurrencë të ndershme dhe rregulla që vlejnë njësoj për të gjithë.
Aq më tepër të huajt.
Nëse, përkundrazi, lind frika se zbatimi i ligjit mund të tronditë ekonominë, atëherë problemi nuk është tek ligji.
Problemi është tek modeli ekonomik që kemi ndërtuar.
Dhe, kjo është arsyeja pse dosjet e fundit që SPAK ka në duar nuk duhen parë vetëm si hetime penale.
Ato tashmë janë një test për ekonominë shqiptare.
Për vite me radhë, debati publik është përqendruar tek korrupsioni i administratës, tek tenderat, koncesionet dhe abuzimet me fondet publike.
Të gjitha këto janë probleme serioze.
Megjithatë, dosjet e fundit kanë nxjerrë në pah një rrezik edhe më të madh: deformimi gradual i tregut.
Sepse pastrimi i parave nuk është thjesht një vepër penale. Ai është një mekanizëm që ndryshon mënyrën si funksionon ekonomia.
Kapitali me origjinë të paligjshme nuk hyn në treg me të njëjtat rregulla si kapitali i krijuar nga puna, sipërmarrja dhe inovacioni, siç na e ka prezantuar deri më tani rritjen ekonomike qeveria.
Ai nuk ka të njëjtën kosto financimi, nuk ndjek të njëjtën logjikë investimi dhe nuk matet me të njëjtin standard fitimi.
Si pasojë, ai nuk konkurron me ekonominë e ligjshme, por thjesht e deformon atë.
Paraja e pisët nuk të zhvillon—ajo të skllavëron, të bën peng të saj.
Në një treg të tillë, biznesi që respekton ligjin nuk humbet sepse është më pak efikas.
Humbet sepse konkurron me një kapital që nuk i nënshtrohet të njëjtave rregulla.
Kjo është arsyeja pse dëmi i pastrimit të parave nuk matet vetëm me shumën e parave që qarkullojnë.
Dëmi më i madh është se ai ndryshon vetë logjikën e tregut dhe krijon bindjen se suksesi nuk varet më nga produktiviteti, por nga avantazhe që ekonomia normale nuk mund t’i ketë.
Testi ynë i vërtetë nuk është nëse SPAK do të ketë sukses në hetimet e tij.
Testi ynë themelor tashmë është nëse ekonomia shqiptare është gati të funksionojë normalisht vetëm me kapitalin që fitohet nga konkurrenca e ndershme.
Për vite me radhë, Shqipëria është mësuar ta masë suksesin ekonomik me numrin e kullave, me çmimin e apartamenteve, me ritmin e ndërtimeve apo me konsumin.
Por zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm me atë që ndërtohet.Matet edhe me cilësinë e kapitalit që financon atë zhvillim.
Nëse një pjesë e rëndësishme e ekonomisë është mësuar të bashkëjetojë me kapital që nuk ndjek logjikën normale të tregut, atëherë momenti kur ligji fillon të zbatohet nuk është vetëm një sfidë për drejtësinë.
Është një provë për vetë modelin ekonomik.
Pikërisht këtu qëndron dallimi me çfarë na ndodhi në vitin 1997. Atëherë u shembën skemat piramidale dhe humbën kursimet e qytetarëve.
Sot gjendemi para një sfide edhe më të madhe që na pret në mënyrë të pashmangshme.
A është ndërtuar një ekonomi që mund të vazhdojë të rritet vetëm me kapitalin e ligjshëm, apo është krijuar një varësi nga një kapital që nuk duhet të kishte qenë kurrë pjesë e zhvillimit të saj?
Prandaj askush nuk duhet t'i kërkojë një prokurorie të mbyllë sytë për hir të ekonomisë.
Nuk është detyra e saj.
Detyra e prokurorëve të SPAK është zbatimi i ligjit.
Detyra e qeverisë është të krijojë kushtet që ekonomia shqiptare të mos ketë nevojë për asnjë kapital që nuk mund të mbijetojë përballë zbatimit të ligjit.
Ajo që do të ndodhë përgjatë kësaj pjese të dytë të vitit dhe mbase edhe vitin pasardhës, në Shqipëri nuk është vetëm një provë për SPAK-un.
Tashmë ajo shkon përtej kësaj.
Është një provë për modelin ekonomik që Shqipëria ka ndërtuar gjatë këtyre viteve.
