
Prej disa vitesh, Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) dhe organizata të tjera mjedisore kanë bërë një rezistencë të pashoqe kundër projekteve që kërcënojnë Lagunën e Nartës dhe zonat e mbrojtura përreth.
Kjo zonë me rëndësi të madhe ekologjike, një stacion i rëndësishëm migrator për qindra lloje zogjsh, është bërë simbol i konfliktit midis ambicieve për investime turistike dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore.
Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, i nisur më 2017, i paraqitur si "porta ajrore e hyrjes në jug të Shqipërisë”, është shembulli më i qartë i asaj që është denoncuar si një katastrofë e paralajmëruar.
Zona Vjosë-Nartë, një korridor jetik për zogjtë që shtegtojnë përmes Adriatikut, strehon flamingo rozë, avoçeta elegante dhe mbi 200 lloje të tjera zogjsh, prej të cilëve 33 janë të rrezikuara.
"Është e papranueshme që në zemër të një zone të mbrojtur të kryhen ndërhyrje me buldozerë dhe ekskavatorë, ndërkohë që institucionet përgjegjëse heshtin", thotë Olsi Nika i Eco Albanias.
Një incident i ndodhur më 30 maj, kur aktivistët ekologjikë denoncuan rrethimin e 600 hektarëve nga “investitori strategjik” në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, bëri që kjo luftë të shpërthejë furishëm dhe të shndërrohet në një mobilizim kombëtar.
Menjëherë pas kësaj, i ashtuquajturi “projekti Trump” — një kompleks turistik luksoz i financuar nga investitorë të huaj që përdornin si mbulesë familjen Kushner-Trump — u vu në qendër të hetimit.
SPAK sekuestroi së fundmi 138 milionë euro të depozituara te një notere nga shoqëria Albanian Land Development, ndërsa u lëshuan urdhër-arreste për Artur Shehun dhe Ilir Shtufin.
Hetuesit theksojnë gjithashtu se titujt e pronësisë së tokave, të lidhura mes të tjerash me Shehun, janë të kontestuara dhe nën hetim nga prokuroria e posaçme SPAK.
Sipas të njëjtave burimeve, një pjesë e fondeve të injektuara mund të vijnë nga rrjete narkotrafiku, duke hapur rrugën drejt një sistemi të gjerë pastrimi parash të lidhur me projektin e Zvërnecit.
Ky skandal shkaktoi një valë protestash që u shndërrua në “Revolucionin e Flamingove Rozë”.
Brezi Z dhe flamingot rozë
Mijëra shqiptarë denoncojnë një shkatërrim ekologjik të programuar dhe një korrupsion politik të dukshëm.
Ajo që filloi si një protestë lokale u shndërrua në një lëvizje kombëtare, e mbështetur nga flamingot rozë, që u bënë simbol i pastërtisë dhe rezistencës.
Flamingo mishëron një ndjeshmëri të re shqiptare, që lidh mbrojtjen e natyrës me kërkesën për ndryshim politik.
Protestuesit kërkojnë mbrojtjen e zonave natyrore të kërcënuara dhe transparencën e projekteve zhvillimore, duke denoncuar mos transparencen e fondeve te investimeve dhe ligjet e bëra me porosi për investitorët.
Ata kërkojnë gjithashtu që t’u jepet fund lidhjeve mes elitave politike, dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, shpërbërjen e rrjeteve të biznesit dhe kapitaleve të huaja, duke pohuar se “Shqipëria nuk është në shitje”.
Manifestimet e përditshme në Tiranë, mobilizimi i diasporës, hapja e hetimeve gjyqësore dhe akuzat e përsëritura për mungesë transparence, kanë rritur ndjeshëm presionin mbi qeverinë e Edi Ramës, e cila tani përballet me një krizë politike pa precedent.
Të rinjtë shqiptarë, shpesh të konsideruar si pragmatikë dhe të dhënë pas botës digjitale, kanë mbushur masivisht rrugët e Tiranës, duke e kthyer një luftë lokale në një fenomen kombëtar e ndërkombëtar.
Ajo që e bën këtë lëvizje të pazakontë është roli qëndror i Brezit Z. Të rinjtë shqiptarë, të armatosur me telefona inteligjentë, transmetojnë drejtpërdrejt imazhet e buldozerëve në zonat e mbrojtura — në Nartë apo në Rrjoll — përplasjet me agjentë të policive private, si dhe flamingot rozë të shndërruar në simbole rezistence.
Për shumë nga të rinjtë “Z” (të lindur midis 1997-2012), ky mobilizim e tejkalon çështjen mjedisore. Ai shpreh një zhgënjim më të thellë me një sistem që perceptohet si i korruptuar, i errët dhe i paaftë për t’iu përgjigjur kërkesave të brezit të ri për transparencë, drejtësi dhe ruajtje të trashëgimisë natyrore të vendit të tyre.

Mobilizimi shqiptar kaloi me shpejtësi kufijtë kombëtarë.
Komisioni Evropian shprehu shqetësimin e tij dhe i kujtoi Tiranës detyrimet për mbrojtjen e zonave natyrore dhe transparencën legjislative. Në të njëjtën kohë, organizata mjedisore ndërkombëtare si BirdLife dhe EuroNatur denoncuan sulmet ndaj biodiversitetit dhe mbështetën kërkesat e protestuesve.
Në një vend ku gati 30% e popullsisë është nën 30 vjeç, “Revolucioni i Flamingove Rozë” ilustron një ndryshim të madh paradigme.
Midis ndërgjegjes mjedisore, luftës kundër korrupsionit dhe kërkesës për demokraci, ai po rinovon formën e protestës në një vend që ndodhet në tension të fortë midis zhvillimit turistik të shpejtë dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore. Kjo lëvizje nuk kënaqet më vetëm me zgjedhjen e përfaqësuesve, por kërkon një përgjegjësi reale nga institucionet: transparencë.
Edhe pse Shqipëria ka njohur në të kaluarën mobilizime qytetare të rëndësishme, si protesta kundër ruajtjes së armëve kimike në vitin 2013, lëvizjen studentore të vitit 2018, apo mbrojtjen e Teatrit Kombëtar më 2019-2020 "Revolucioni i Flamingove" paraqet një profil krejtësisht të ri: ai është nisur dhe mbështetur nga Brezi Z, larg strukturave tradicionale partiake.
Një Shqipëri e re
Të rinjtë shqiptarë kërkojnë llogari dhe më shumë transparencë nga qeveria, duke i vënë në siklet autoritetet.
Ata po ngrejnë zërin kjo vetëm për projektin e lagunës së Zvërnecit, por edhe të vendeve të tjera të ngjashme, si në bregdet ashtu edhe në zona të tjera.
Në veri të vendit investime të ngajshme po tentohen përmes “Paketës së Maleve”. Por ndryshe nga protestat e viteve të kaluara kundër këtyre zhvillimeve, shpesh të organizuara nga opozita ose banorët (si në Theth), ato të kësaj rradhe janë spontane, të mbështetura nga rinia e të gjitha ngjyrave politike, pa një drejtues të vetëm dhe pa anësi partiake.
Papritur, shoqëria shqiptare po tregon se ka ndërgjegje qytetare dhe se është zgjuar.
Ky mobilizim shënon një kthesë.
Një Shqipëri e re po lind në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ajo që dikur ishte vetëm një slogan, është bërë tani një thirrje bashkimi: “Shqipëria e Re” është kthyer në një nga parullat kryesore të lëvizjes.
“Revolucioni i Flamingove Rozë” mund të shpallë kapitullin e parë të një ere të re qytetare në Shqipëri, të udhëhequr nga rinia e saj e digjitale dhe kërkuese.
_____
Ky artikull u botua fillimisht në Courrier des Balkans (Paris).
