
Më 1 tetor, arkitekti danez Bjarke Ingels fitoi një tjetër “konkurs” arkitekture në Tiranë, këtë herë për një kullë të lartë brenda Parkut Rinia, monument kulture i mbrojtur dhe një nga hapësirat e fundit të gjelbra të mbetura në qendër të qytetit.
Në artikullin e saj për Citizens, Erisa Kryeziu jep hollësi të shumta për këtë projekt, të cilat tashmë nuk duhet të habisin më askënd: “konkursi” nuk ishte shpallur publikisht në asnjërën prej faqeve qeveritare të prokurimeve dhe, ndonëse kryeministri Edi Rama pretendoi se juria po vendoste “krejtësisht lirisht” dhe pa kurrfarë “orientimi”, ai vetë mori pjesë aktive në intervista dhe në diskutimet për vendimin.
Siç pritej, e vetmja kompani së cilës Rama i dha publikisht një sugjerim ishte edhe ajo që fitoi konkursin: Bjarke Ingles Group (BIG).
Në përgjigje, Ingels deklaroi se e kuptonte “dëshirën dhe udhëheqjen [e Ramës] për gjëra të bukura”.
E gjithë kjo, natyrisht, ndjek pikë për pikë skemën e përshkruar në Dosjet Shqiptare dhe, këtu ku kanë arritur, duket se arkitektëe si Ingels e mbajnë paturpësinë si medalje nderi.
Kolektivi aktivist Arkitektët Shqiptarë, i cili ka bërë shumë një punë të madhe për të vënë në në pah ndikimin shkatërrues të kompleksit arkitektë–mafia në Shqipëri, vuri gjithashtu në dukje se anëtari i jurisë Ilir Bejleri, nga SON Architects, figuronte në Dosjet Shqiptare si “arkitekt zbatues” për BIG-un.
Anëtarët e jurisë Valerio Olgiati, José Selgas dhe Andrea Caputo janë të gjithë të përfshirë në projekte arkitekturore në Shqipëri, ndërsa anëtari i jurisë Eelco Hooftman frekuenton universitetin ETH Zurich, ku arkitekti i oborrit të Ramës, Freek Persyn i 51N4E, ka një projekt të tijin.
Ndërkaq, anëtarja e jurisë Elena Tsolakis është pjesë e bordit të RIBA Trust, institucioni që, mes polemikash, e emëroi Ramën anëtar.
E gjitha juri vërtet shumë e pavarur!
e zyrtarëve shqiptarë. Nga faqja në Instagram e Arkitektëve Shqiptarë.
Por nuk është kjo pika ime kryesore këtu.
Të gjithë e dimë se këto konkurse janë të kurdisura. Të gjithë e dimë se këto juri janë sa për sy e faqe. Të gjithë e dimë selegjislacioni ekzistues për mjedisin dhe planifikimin urban nuk ka asnjë peshë përballë “dëshirës për gjëra të bukura” të Ramës.
Sikurse e dimë gjithashtu se ai po nxiton të shtyjë para sa më shumë projekte ndërtimi, përpara afateve të anëtarësimit në BE dhe përpara rënies së tij të pashmangshme nga pushteti.
Ata xhepa duheshin mbushur që dje!
Ajo që dua të theksoj është se sa e pabesueshme është mungesa e origjinalitetit dhe sa patetike është puna e Bjarke Ingelsit.
Që te projekti i Teatrit Kombëtar në Tiranë, i zhytur edhe ai në skandal, Ingels kishte kopjuar fund e krye një projekt të paraqitur nga Forma Architects në konkursin për Operën e Busanit.
Në rastin e “Cumulus”-it të Ingelsit, situata është edhe më qesharake.
Mund te mendohej se, kur projektohet një ndërtesë brenda një prej parqeve më të dashura të Tiranës, i cili është monument kulture dhe ndër hapësirat e fundit të gjelbra në një ferr urban që po përkeqësohet me shpejtësi, do të ishte me vend të merrej sadopak parasysh konteksti dhe njerëzit që do të duhet të jetojnë me atë ndërtesë.
Por, në vend të kësaj, duket se Ingels ka hedhur me përtesë një vështrim drejt Galerisë së Arteve, përballë Parku Rinia, ku ka dalluar mbetjet e trishtuara të “Resë” së Sou Fujimotos, ka marë emrin e saj dhe thjesht i vendosi këmbëza një versioni të zmadhuar të saj.
Fillimisht, Instalacioni i Fujimotos u vendos aty, në vitin 2016, si një instalacion “i përkohshëm” trevjeçar, me nismën e Hans Ulrich Obristit të Galerisë Serpentine.
Baza e tij prej betoni, po aq “e përkohshme”, mbështetej mbi rrënjët e një rrapi madhështor që dikur ndodhej aty, por që u pre me pretekstin se ishte “rrezik për sigurinë” e festimeve të 4 korrikut që Ambasada Amerikane donte të organizonte pikërisht në atë vend.
Natyrisht, tashmë të gjithë e kanë harruar karakterin e përkohshëm të instalacionit të Fujimotos, i cili është degraduar ndjeshëm ndër vite, veçanërisht nga punimet e rinovimit të përjetshëm të Galerisë Kombëtare në sfond.
Por elementet e tij kryesorë strukturorë — një rrjetë e bardhë tredimensionale dhe disqe të sheshta që mbivendosen — përbëjnë qartazi skeletin morfologjik të projektit të Ingelsit.
Mund ta duroj faktin që Ingels ka zgjedhur ta fusë thellë kokën në prapanicën e Ramës, aq sa kryeministri të mund të këndojë në danisht; mund ta duroj edhe faktin që po i mbush xhepat me para mafije të lara në gjakun e trafikantëve anonimë të torturuar deri në vdekje në xhunglën e Ekuadorit, apo të të rinjve që shkatërrojnë qelizat e trurit në një klub nate në Berlin.
Por faktin që e bën këtë “projektim” në mënyrën më dembele, pa asnjë frymëzim dhe shkel e shko, thjesht duke kthyer një vepër të lënë pas dore të arkitekturës moderniste japoneze në një kullë për këdo oligark shqiptar dhe duke e quajtur punë të mbaruar, e konsideroj një fyerje të padurueshme ndaj shijes estetike.
Shpërndaje te miqtë
