
Asnjë regjim autoritar, asnjë sistem i korruptuar dhe asnjë rend i padrejtë nuk mbështetet vetëm te forca e ligjit, privilegjet apo shantazhi i pushtetit.
Qëndrueshmëria e tyre varet po aq nga një proces shumë më pak i dukshëm: aftësia për ta shndërruar të jashtëzakonshmen në të zakonshme; shkeljen në pjesë të normalitetit të përditshëm.
Shoqëritë nuk bëhen më të padrejta brenda natës. Ato mësohen pak nga pak me padrejtësinë, derisa vjen një ditë dhe nuk e shohin më si të tillë.
Me kalimin e kohës, qytetarët nuk e krahasojnë më realitetin me parimet, por me atë që janë mësuar të shohin çdo ditë.
Kështu, ajo që në fillim tolerohet si përjashtim, përfundon duke u pranuar si rregull.
Ky proces njihet si desensibilizim: zbehje graduale e reagimit emocional ndaj një stimuli që përsëritet vazhdimisht.
Mjeku që punon çdo ditë në urgjencë nuk reagon më si ditën e parë ndaj një aksidenti. Banori pranë shinave të trenit, pas disa muajsh, pothuajse nuk e dëgjon më zhurmën. Stimuli nuk ka ndryshuar; ka ndryshuar truri.
E njëjta gjë ndodh edhe me shoqëritë.
Ideja është e thjeshtë: kur një shkelje përsëritet vazhdimisht pa u ndëshkuar ose pa shkaktuar reagim, ajo pushon së perceptuari si përjashtim dhe fillon të trajtohet si pjesë normale e funksionimit të një organizate ose e jetës së një shoqërie.
Jo sepse këto dukuri janë bërë më pak të rënda, por sepse janë bërë të zakonshme. Shoqëria nuk humbet vetëm aftësinë për të reaguar, por humbet aftësinë për t’u habitur.
Kur qytetarët ekspozohen vazhdimisht ndaj korrupsionit, klientelizmit, pandëshkueshmërisë apo arbitraritetit, reagimi i tyre zbehet.
Ajo që dikur do të kishte shkaktuar indinjatë, me kalimin e kohës pritet me indiferencë, justifikohet ose relativizohet.
Standardet nuk rrëzohen nga një ngjarje e vetme, por gërryhen ngadalë, derisa vetë kuptimi i asaj që është e pranueshme fillon të zhvendoset.
Kështu funksionon edhe degradimi moral i një shoqërie. Busulla nuk prishet brenda natës. Ajo devijon pak nga pak.
Një kompromis sot, një justifikim nesër, një skandal pa pasoja pasnesër.
Çdo devijim i vogël duket i parëndësishëm, derisa një ditë njerëzit nuk orientohen më sipas parimeve, por sipas zakonit.
Në atë moment, problemi nuk është më se busulla nuk tregon Perëndimin, por se shumica nuk e mban më mend ku ishte Perëndimi.
Kjo është arsyeja pse, në shoqëri ku anormalja është bërë rutinë, reagimet më të forta nuk shkaktohen nga vetë devijimi, por nga ai që refuzon ta pranojë atë si normal.
Njerëzit nuk habiten më nga korrupsioni; habiten nga ai që e denoncon.
Nuk habiten nga konflikti i interesit; habiten që dikush kërkon dorëheqje për konfliktin e interesit.
Nuk habiten nga kandidatë me të kaluar kriminale në politikë; habiten që dikush mendon se kjo duhet të jetë vijë e kuqe.
Nuk habiten nga pastrimi i parave, nga kapja e institucioneve apo nga shkatërrimi i mjedisit; habiten që dikush ende beson se këto duhet të kenë pasoja politike ose se duhen luftuar.
Prandaj, në debatin publik për protestat e Flamingove dëgjohen shpesh pyetje që, në vetvete, janë simptomë e normalizimit të problemit.
– Pse u kujtuat tani?
– Pse e bëni kaq të madhe?
– A nuk ka probleme më të rëndësishme?
Vëmendja largohet nga problemi dhe zhvendoset tek ai që e ngre problemin.
Në vend që të diskutohet nëse një veprim është i pranueshëm, diskutohet nëse denoncimi është bërë në momentin “e duhur”.
Në vend që të gjykohet shkelja, gjykohet ndjeshmëria ndaj saj.
Është një përmbysje e plotë e busullës morale.
Kjo është arsyeja pse demokracitë nuk dallohen nga fakti se nuk kanë skandale.
Skandale ka kudo ku ka njerëz dhe qeveri.
Ato dallohen nga mënyra se si reagojnë ndaj tyre.
Në Gjermani, ministri i Mbrojtjes Karl-Guttenberg dhe më pas ministrja e Arsimit Schavan dhanë dorëheqjen pasi u zbulua se kishin plagjiuar në doktoraturat e tyre.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2022, kur u zbulua se në zyrën e tij ishin zhvilluar festa gjatë periudhës së izolimit nga COVID-19.
Në Islandë, kryeministri Gunnlaugsson dha dorëheqjen pas zbulimeve të Panama Papers dhe protestave masive qytetare.
Në të gjitha këto raste, problemi nuk ishte se këto shoqëri ishin pa gabime apo pa skandale.
Dallimi ishte se në kulturën demokratike perëndimore pragu i tolerancës ndaj devijimeve është shumë i ulët, prandaj edhe skandalet e vogla kanë pasoja politike.
Ndërsa në Shqipëri, evropianizimi shpesh keqkuptohet si çështje stili jetese, mode, markash, muzike apo gjeografie.
Këto nuk e bëjnë një shoqëri evropiane.
Evropianizimi është, para së gjithash, një kulturë e kufijve moralë dhe institucionalë.
Ai matet me aftësinë për të thënë “jo” në momentin kur pushteti kalon vijën, pavarësisht se kush është në pushtet.
Nuk është rastësi që shtetet me institucionet më të forta janë edhe ato ku qytetarët reagojnë më shpejt ndaj devijimeve të vogla.
Ata e dinë se standardet nuk shemben nga një akt i vetëm, por nga tolerimi i vazhdueshëm i përjashtimeve.
Kjo është arsyeja pse shpesh ndryshimi fillon me një akt të vetëm sfidimi.
Më 1 dhjetor 1955, një rrobaqepëse 42-vjeçare me ngjyrë u ngjit në një autobus të zakonshëm në Montgomery të Alabamës në SHBA. Ajo u ul në një vend që, sipas ligjeve të kohës, mund t'i kërkohej ta lironte nëse një pasagjer i bardhë mbetej në këmbë. Por kur shoferi i kërkoi të ngrihej, ajo refuzoi. Për këtë, ajo u arrestua dhe u dënua më gjobë. Vazhdimi është histori: akti i saj u bë shkëndija që ndezi lëvizjen për të drejtat civile e cila transformoi Amerikën.
Rosa Park nuk ndryshoi botën sepse bëri diçka spektakolare por sepse refuzoi të pranonte si normale atë që shumica e kishte gëlltitur prej kohësh si të tillë.
Çdo përparim moral në histori ka filluar në të njëjtën mënyrë: me dikë që ka guxuar të thotë se normalja nuk është domosdoshmërisht e drejtë.
Ndoshta kjo shpjegon edhe një pjesë të reagimeve ndaj Revolucionit të Flamingove.
Habia nuk erdhi sepse u denoncua korrupsioni, kapja e shtetit, pastrimi i parave, shkatërrimi i mjedisit apo lidhjet e politikës me elementë kriminalë.
Për një pjesë të shoqërisë, këto tema ishin bërë prej kohësh pjesë e normalitetit politik. Habia erdhi sepse dikush refuzoi të mësohej me to.
U habitën që dikush e konsideronte ende të papranueshme atë që të tjerët e kishin relativizuar.
U habitën që një grup të rinjsh nuk zgjodhën emigrimin si rrugën më të lehtë, por qëndruan për të protestuar.
U habitën që nuk kërkuan të rreshtoheshin pas një partie për të siguruar një vend pune, një kandidim apo një favor.
U habitën që refuzuan dhunën edhe kur provokoheshin, sepse në një kulturë politike të mësuar me përplasjen, mosdhuna fillon të duket më e pazakontë se vetë dhuna.
U habitën që kërkuan standarde evropiane të llogaridhënies në një mjedis ku relativizimi i shkeljeve ishte bërë pothuajse refleks.
Në këtë kuptim, reagimet e forta ndaj Revolucionit të Flamingove nuk duhen lexuar vetëm si kundërshtim ndaj një lëvizjeje qytetare.
Ato janë edhe pasqyrë e një shoqërie që për vite me radhë ka jetuar mbi një busull morale të zhvendosur.
Për këtë arsye, beteja më e rëndësishme e çdo demokracie nuk zhvillohet vetëm nëpër parlamente, gjykata apo institucione, por edhe në ndërgjegjen e qytetarëve.
Demokracia fillon të forcohet në momentin kur ata refuzojnë të pranojnë si normale atë që bie ndesh me parimet e saj, pavarësisht se sa e zakonshme apo e përhapur mund të jetë bërë.
