Anti-mitingu i partisë si përgjigje ndaj revolucionit të flamingos

Adri Nurellari 4 Qershor 2026, 22:52

Anti-mitingu i partisë si përgjigje ndaj revolucionit të
Kryeministri Rama e hapi manualin ballkanik te mbajtjes se pushtetit dhe ka shpallur se në 5 qershoe do të zbresë në Sheshin e Flamurit në Vlorë për të kremtuar 35-vjetorin e Partisë Socialiste. Në fakt, 35-vjetori duket më shumë sebep sesa shkak. Rama nuk ka qenë kurrë veçanërisht entuziast për datën kur PPSH-ja ndërroi emrin në Parti Socialiste, ndaj është e vështirë të besohet se papritur e ka pushtuar nostalgjia historike. Rrjedhimisht, kjo ngjarje e paketuar zyrtarisht si festë madhështore jubilare, në realitet përbën një përgjigje të pastër operative ndaj "Revolucionit të Flamingos".

Ky aktivitet i PS-së shpërfaq një strategji të mirëfilltë politike per ta përdorur festën partiake dhe demonstrimin e patronazhistëve, si mburojë për të rikuperuar kontrollin mbi narrativën publike. Kur regjimet humbasin monopolin e rrugës, refleksi i tyre i parë nuk është dialogu institucional, por atë që studiuesit e quajnë kundër-mobilizim (counter-mobilization). Bëhet fjalë për një përpjekje operacionale për të konkurruar me imazhin e pakënaqësisë përmes një spektakli më të madh.

Kjo taktikë mbijetese u rikthye së fundmi në skenën e rajonit tonë vjet nga Aleksandar Vuçiçi në Serbi. Kur protestat studentore mbushën rrugët e Beogradit më 15 mars 2025 me qindra mijëra qytetarë, Vuçiç iu përgjigj kësaj tronditje me një kundër-miting. Më 12 prill 2025, lëvizja e tij "Lëvizja për Popullin dhe Shtetin" organizoi manifestimin "Ne damo Srbiju" ("Nuk e dorëzojmë Serbinë").

Historikisht, kjo ngjan me taktikën e përdorur nga ish-shefi i Vuçiçit, Millosheviçi në vitet 1996-2000 kur sa herë opozita mbushte sheshet, pushteti organizonte një tubim paralel për të krijuar perceptimin e "dy Serbive" që përballeshin me njëra-tjetrën. Duke organizuar një tubim paralel, regjimi përpiqej të zhbënte imazhin e një proteste kombëtare dhe ta paraqiste krizën si përplasje mes dy kampeve. Në praktikë, krijohej një realitet paralel ku fokusi nuk ishte më pse protestonin qytetarët, por cili nga dy kampet kishte mbledhur më shumë njerëz në shesh.

Pra teknika synonte që fokusi largohej nga kërkesat, problemet dhe përgjegjësitë e pushtetit dhe kthehej në një garë simbolike numrash dhe imazhesh. Në thelb, ishte një përpjekje për të relativizuar krizën e legjitimitetit duke e paraqitur atë si thjesht një përplasje mes dy Serbive që nuk bien dakord me njëra-tjetrën.

Gjatë revolucionit ukrainas të Euromaidanit, pasi qindra mijëra ukrainas mbushën Sheshin e Pavarësisë në Kiev duke kërkuar largimin e Viktor Janukoviçit, pushteti organizoi tubimet e njohura si "Anti-Maidan" në dhjetor 2013 dhe janar 2014, duke transportuar mbështetës nga rajone të ndryshme të vendit për të krijuar perceptimin se ekzistonte një Ukrainë tjetër po aq e madhe që mbështeste regjimin. Në mënyrë të ngjashme, në Egjipt, pas shpërthimit të protestave të 25 janarit 2011 në Sheshin Tahrir kundër Hosni Mubarakut, regjimi organizoi kundër-demonstrata që kulmuan më 2 shkurt 2011 me të ashtuquajturën "Beteja e Deveve", kur mbështetësit e pushtetit madje sulmuan protestuesit.

Mirëpo, për t'u kthyer nê rastin tonë, ndryshe nga "Revolucioni i Flamingos", i cili buron si një lëvizje organike spontane e laramane nga poshtë-lart (bottom-up) me fokus te abuzimi, arroganca dhe llogaridhënia e munguar e qeverisjes; manifestimi i Partisë Socialiste është një aksion i dirigjuar tërësisht nga lart-poshtë (top-down) me qëllim dominimin vizual ku pjesëmarrja, mesazhi, simbolika dhe koreografia përcaktohen paraprakisht nga qendra e pushtetit.

Nëse kjo do të ishte thjesht një festë për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, ajo mund të organizohej kudo. Por fakti që po organizohet pikërisht në Vlorë, në qytetin që është bërë simbol i debatit për Sazanin, Nartën dhe Vjosën, e bën të vështirë të besohet se kemi të bëjmë vetëm me një përvjetor. Por ekziston një paradoks që pushtetet nuk e kuptojnë kurrë në kohë që sa më shumë energji harxhojnë për të mbuluar apo eklipsuar një protestë, aq më shumë dëshmojnë rëndësinë e saj.

Prandaj, nevoja e Ramës për të zbritur vetë në Vlorë me të gjithë makinerinë e tij propagandistike nuk demonstron forcë por dëshmon dobësinë apo cenueshmërinë. Ky reaktivitet dëshmon se "Revolucioni i Flamingos" ka arritur tashmë suksesin e tij të parë të madh politik, pra ka thyer hegjemoninë e narrativës zyrtare. Ai e ka detyruar pushtetin të nxjerrë nga sirtari manualin e vjetër autoritar të mbijetesës dhe të harxhojë logjistikë e energji vetëm për të fshehur, përmes një spektakli të dirigjuar, imazhin e një pakënaqësie qytetare të cilën nuk e kontrollon dot më.

Dhe fakti që anti-mitingu i 35-vjetorit të partisë po kthehet në një operacion plastik politik pikërisht aty ku lindi "Revolucioni i Flamingos", është ndoshta prova më e qartë se flamingot kanë filluar t'i shqetësojnë më shumë sesa e pranojnë publikisht.