Algoritmi i Demokleut

Andrea Cama 30 Qershor 2026, 16:24

Algoritmi i Demokleut

“Shpata e Demokleut” është një anekdotë e antikitetit grek në të cilën Demokleu, një ushtar në oborrin e Mbretit Dionis, po i shprehte këtij të fundit mahnitjen për luksin në të cilin jetonte.

Mbreti e lejon Demokleun që t’i shijonte për një ditë privilegjet e të qenit mbret.

Gëzimi i Demokleut nga kjo ofertë përfundoi kur vuri re se sipër fronit ku ai do të ulej në vend të mbretit, ishte varur një shpatë në një fije të hollë.

Mbreti i shpjegon Demokleut se shpata qëndron aty si simbol i rrezikut ndaj pushtetit të tij, i cili ishte fituar nga shpata, por mund të përfundojë në çdo moment nëse këputet fija.

Në dallim nga anekdota, Kryeministri Rama nuk e ka marrë pushtetin nga shpata dhe tjetër "shpatë" varet sipër kokës së tij.

***

Mënyrën se si ka qeverisur Zoti Rama në 13 vitet në krye të qeverisë e kemi mësuar më së shumti nga ish-zyrtarë të tij.

Është fakt i njohur se Kryeministri merr pjesë rrallë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, dhe se pjesa më e madhe e vendimeve të qeverisë nënshkruhen me delegim nga zëvendëskryeministri i radhës.

Nga rrëfimi i një ish-ministri kuptohet se mbledhjet e qeverisë janë fiktive dhe pa asnjë debat.

Vetë kryeministri, në deklarimet publike pohon se dhe në ato raste kur ai merr pjesë në mbledhje, projekt-aktet nënshkruhen prej tij pa i verifikuar, duke i besuar tërësisht punës së stafit të tij.

Por dëshmia e një ish-zëvendësministri zbulon një aspekt të veçantë të mënyrës së qeverisjes.

Ai tregon se në një mbledhje të kabinetit, e gjithë vëmendja e Kryeministrit ishte në rezultatet e vartësve të tij në rrjete sociale.

Sipas tij, në mbledhje paraqiteshin dhe diskutoheshin raporte dhe analiza rigoroze për numrin e pëlqimeve që anëtarët e kabinetit merrnin në platformat sociale.

Kritikat më të ashpra për ministrat nuk vinin për mungesën e rezultateve në fushën përkatëse, por nga paaftësia për të marrë pëlqime dhe shpërndarje në rrjetet sociale të postimeve për punët e qeverisë.

Është ky obsesion për dominimin e narrativës dhe informacionit që shpjegon panikun që ka shfaqur Kryeministri se "algoritmi" po manipulohet klundër tij.

Frika e Kryeministrit se imazhi i tij po thyhet nga një ushtri e armatosur me “algoritma” për t’i marrë karrigen, mund të jetë më serioze se ne mund të pandehim.

Lufta hibride, nuk është luftë kundër imazhit të Shqipërisë.

Raportet për rezultate në rrjetet sociale gjatë mbledhjeve të kabinetit, nuk ishin për të mbrojtur Shqipërinë nga armiku i huaj.

Algoritmi është thjesht “fija e hollë” e Kryeministrit.