
Prej disa javësh po dëgjoj një akuzë interesante se Revolucioni i Flamingos qenka një lëvizje kundër investimeve të huaja, kundër zhvillimit, madje edhe kundër kapitalizmit.
Disa miq të mi, të cilët më njohin prej vitesh si mbrojtës të ekonomisë së tregut, ma kanë quajtur mbështetjen për protestat si një lloj devijimi ideologjik. Me pak fjalë, ata më akuzojnë se kam kaluar nga Adam Smithi te flamingot e kuqërremtë.
Problemi është se siç e shtrojnë ata (me ose pa qëllim) debati është mbrapsht. Idetë e vërteta të kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut mbështesin Revolucionin e Flamingove që është në thelb revoltë kundër shtrembërimit dhe përçudnimit të kapitalizmit.
Në Shqipëri duket se është krijuar një “përkufizim” origjinal për ekonominë e tregut. Në Shqipëri majfton të regjsitrosh një shpk dhe je kapitalist. Edhe nëse vjedh, grabit, shantazhon, apo komploton kundër konsumatorëve je kapitalist.
Sipas po këtij “përkufizimi”, sa herë që një investitor merr tokë publike me korrupsion, merr favore fiskale, ndikon ligje me porosi, të gjitha me anë të lidhjeve politike, quhesh "investitor strategjik".
Kushdo që pyet nëse këto privilegje janë të drejta, shpallet armik i zhvillimit. Dhe sa herë që proteston, etiketohet si antikapitalist.
Në teori, ekonomia e tregut funksiono përmes asaj që Adam Smith e quante "dora e fshehtë" e tregut, ku fituesi përcaktohet nga gara e ndershme me rregulla loje të barabarta për të gjithë.
Në ketë ekonomi të lrië, bizneset konkurrojnë me njëra-tjetrën, marrin rreziqe, ofrojnë produkte dhe shërbime dhe më pas tregu vendos kush ka sukses.
Në shqipëri tregu funksionon nëpërmjet 'dorës së dukshme" të kudo-ndodhur të qeverisë dhe kryeministrit Rama. Në Shqipëri, tregu është një sport tjetër, ku arbitri zbret në fushë, vesh fanellën e njërës skuadër dhe fillon t'i japë asaj penallti pa fund.
Në Shqipëri nuk ka më shumë konkurrencë sesa në një ndeshje futbolli ku rezultati është shkruar në tabelë para vërshëllimës së parë dhe gara organizohet për formalitet.
Ligjet bëhen elastike, procedurat marrin ashensorin, burokracia zhduket si me magji dhe pengesat administrative treten me një shpejtësi që qytetari i zakonshëm nuk e ka përjetuar as në ëndrrat e tij më optimiste.
Kemi atë që populli e ka përkufizuar prej kohësh më urtësi praktike: sundimin e Maliqit dhe jo të ligjit.
Pikërisht këtë fenomen e përshkruante Milton Friedman kur paralajmëronte se kërcënimi më i madh për ekonominë e tregut nuk vjen domosdoshmërisht nga socialistët apo kundërshtarët e kapitalizmit. Shpesh vjen nga vetë bizneset që kërkojnë privilegje, mbrojtje, monopole dhe favore nga shteti.
Prandaj duhet sqaruar se një nga keqkuptimet më të përhapura në Shqipëri është ideja se kapitalizmi fillon dhe mbaron me pronën private. Prona private është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm.
Prona private ka ekzistuar për mijëra vjet në Egjiptin e lashtë, në Perandorinë Romake, në Mesjetë dhe madje edhe në shoqëri thellësisht feudale. Por askush nuk do t'i quante ato ekonomi kapitaliste në kuptimin modern të fjalës.
Kapitalizmi i vërtetë kërkon liri ekonomike, konkurrencë të hapur, sundim të ligjit dhe barazi para tij. Kërkon zbatim të kontratave dhe siguri juridike; mbrojtje të pronës; mundësi të barabarta hyrjeje në treg dhe institucione gjithpërfshirëse që shpërblejnë inovacionin, produktivitetin dhe marrjen e riskut.
Kur këto elemente mungojnë dhe suksesi varet nga privilegji, monopoli, lidhjet politike apo favorizimi shtetëror, mund të kemi kapital privat, por nuk kemi kapitalizëm në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Një nga arritjet më të mëdha të liberalizmit ishte pikërisht shkatërrimi i rendit feudal. Në Europën feudale ligji nuk ishte i njëjtë për të gjithë. Një sistem rregullash vlente për aristokratët, një tjetër për klerin dhe një tjetër për popullin e zakonshëm. Privilegji nuk fitohej në treg dhe as përmes meritës; ai buronte nga lindja, titulli dhe afërsia me oborrin.
Në teori, moderniteti dhe shteti ligjor duhej t'i jepnin fund kësaj logjike. Por sa herë që shohim ligje që përkulen për familje presidenciale, për pushtetarë, për oligarkë apo për biznesmenë të oborrit, ndërsa qytetari i zakonshëm përballet me një shtet krejt tjetër, lind pyetja nëse kemi lënë pas feudalizmin apo thjesht kemi ndërruar kostumet. Titujt fisnikë janë zhdukur, por privilegji vazhdon të jetojë.
Baronët janë zëvendësuar nga oligarkët, oborri mbretëror nga oborri politik dhe favoret feudale nga ligjet e dedikuara.
Kjo është arsyeja pse debati për Zvërnecin nuk është vetëm debat për një investim por është mbi të gjitha një debat për natyrën e rendit tonë politik dhe ekonomik.
A jetojmë në një republikë qytetarësh të barabartë para ligjit apo në një neo-feudalizëm ku rregullat ndryshojnë sipas mbiemrit dhe afërsisë me pushtetin?
