A po i fut Edi Rama shqiptarët në një spirale urrejtjeje dhe përçarjeje?

Bledar M. Kurti 25 Qershor 2026, 08:50

A po i fut Edi Rama shqiptarët në një spirale urrejtjeje dhe

Ditët e fundit po ndodh diçka që tejkalon protestën, dorëheqjen, ndasitë politike e ideologjike.

Pasi u ankua për algoritmin, Edi Rama ka nisur kundërofensivën për të marrë iniciativën në rrjetet online, me qëllim përmbysjen e algoritmit në favor të tij. Me çdo kusht, me çdo mënyrë.

Nëse deri dje në qendrat e mëdha urbane të Shqipërisë protesta dominonte me mbi 65 për qind, krahasuar me pak më shumë se 30 për qind të postimeve të vetë Ramës, ky i fundit po kërkon të rikthejë veten në qendër të vëmendjes, duke përdorur pikërisht atë për të cilën sulmoi protestuesit.

Duhet diçka tronditëse, nuk ka rëndësi nëse është e vërtetë.

Duhet një njeri apo grup njerëzish mbi të cilin të ndërtohet narrativa e sulmit dhe e urrejtjes, dhe ajo të shpërndahet sa më shumë që të kthehet në bindje.

Nevojitet baltë dhe negativitet mbi kundërshtarin, shoqëruar veçanërisht me disa mesazhe me narrativë pozitive për turmën.

Duhet krijuar një fabul sa më negative që të tërheqë klikime. Duhet një histori e rreme që të bëhet e vërtetë.

Fabula numër 1: Albin Kurti po kërkon rrëzimin e qeverisë dhe po dërgon taborët e tij nga Prishtina dhe Tetova.

Strategjia nuk doli rastësisht, por ishte e përgatitur më parë. Pasi iu hakërrye të vetëve se e kishin lënë vetëm – pavarësisht se në publik mbajti tjetër qëndrim – në mbledhjen e grupit me dyer të mbyllura, Edi Rama shfryu kundër Albin Kurtit si bashkëorganizator dhe mbështetës i protestës.

Mesazhi, përveçse nga Rama, iu përcoll ministrave dhe deputetëve edhe nga zyra e propagandës së Ramës. Pas autokritikës se nuk kishte bërë sa duhet për të mbrojtur Kryeministrin, deputeti Ulsi Manja iu turr i pari shqiptarëve të Kosovës me fjalët se: “Nuk ka hajvanllëk më të madh se të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë”.

Pasi denoncoi ditët e kaluara qëndrimet reaksionare të qarqeve greke dhe lidhjet iraniane, deputeti Ardit Bido i është kthyer qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga Albin Kurti të shpjegojë se ç’punë kanë aktivistët e Vetëvendosjes në Tiranë.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ka kërkuar shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës që, përpara se të protestojnë, të kujtojnë se çfarë bëri Edi Rama në Beograd në vitin 2014, kur deklaroi se Kosova është shtet i pavarur.

E kështu me radhë, nga e diela e në vazhdim, narrativa e ministrave dhe deputetëve është të demaskojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë të shqiptarëve të Albin Kurtit.

Nuk ka rëndësi sa e vërtetë është kjo, narrativa negative mbeti, dhe shumë njerëz besojnë që shqiptarët e Kosovës kanë ardhur të organizuar nga Vetëvendosja për të rrëzuar Ramën nga pushteti.

Fabula numër 2: Delegjitimimi i protestës dhe linçimi i protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës.

Kushdo që kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe vë në dyshim figurën e tij duhet të sulmohet, të linçohet e t’i gjenden njolla e dritëhije në të shkuarën. Edhe nëse nuk ka, duhet të gjendet një dyshim që të krijohet një narrativë negative.

Fati i keq i rastisi Dritan Goxhajt.

Atij iu mor një fjali e nxjerrë ndoshta nga konteksti dhe iu ndërtua për dy ditë një fabul me agjentura iraniane e qëndrime antisemite.

U arrit deri aty sa, me dëshmitarë e dëshmi të dyshimta, t’i mohohej edhe kontributi që ka dhënë në luftën e Kosovës.

Paçka se e gjithë qeveria dhe buxheti i shtetit janë mobilizuar për t’ia bërë sa më të lehtë koncertin në Tiranë një antisemiti të njohur botërisht si Kanje Uest.

Çështja nuk janë as hebrenjtë dhe as ndalimi i urrejtjes etnike.

Çështja është shfrytëzimi, është shfrytëzimi i tyre për të ngjallur urrejtje ndaj atyre që janë ngritur kundër tij.

Prandaj ajo që pretendon Rama duhet të sundojë mbi çdo të vërtetë.

Pavarësisht se shumë figura publike e të tjerë dëshmitarë realë u shprehën publikisht për këto gënjeshtra, derisa e vërteta të vishte këpucët, gënjeshtrat e qeverisë kishin marrë dhenë.

Mesazhi që duhet të përcillet përmes linçimit publik të një personi – i cili as ka pasur dhe as ka ambicie politike, por thjesht mendon ndryshe nga elita politike dhe mendon se po bën detyrën si qytetar – duhet të shërbente si shembull për këdo tjetër.

Përmes shembullit publik të dikujt që për më tepër as ka vjedhur me tendera, as ka grabitur pasuri publike në bregdet dhe as ka bërë trafik droge, duhet të frikësohet masa dhe kushdo që guxon të ngrejë zërin.

Për qeverinë kjo është një tjetër lojë: ju hidhni baltë mbi ne, ne hedhim baltë mbi ju. Jemi njësoj pis.