A po e ngatërrojmë zhvillimin me aktivitetin ekonomik?

Klajdi Bregu 1 Korrik 2026, 11:58

A po e ngatërrojmë zhvillimin me aktivitetin ekonomik?

Një nga pyetjet që duhet bërë në debatin për investimet në Zvërnec, Sazan dhe modelin aktual të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë është nëse rritja e aktivitetit ekonomik është e njëjtë me zhvillimin.

Pyetja nuk është pa rëndësi.

Sot, pothuajse çdo projekt i madh justifikohet me të njëjtin argument: do të sjellë zhvillim. Më shumë turistë, më shumë ndërtime, më shumë investime dhe, si rrjedhojë, një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) më të lartë.

Por a mjafton kjo për të thënë se një vend po zhvillohet?

Jo domosdoshmërisht.

Jo çdo aktivitet ekonomik krijon të njëjtën vlerë për shoqërinë. Pikërisht këtë e tregon historia ekonomike.

Gjatë regjimit komunist, Shqipëria ndërtoi qindra mijëra bunkerë. Për t'i ndërtuar u përdor beton, çelik, punëtorë, inxhinierë, transport dhe kapital. Të gjitha këto gjeneruan aktivitet ekonomik dhe kontribuan në prodhim.

Megjithatë, askush nuk do të argumentonte sot se bunkerët ishin zhvillim.

Madje, nëse nesër do të ndërtonim edhe një mijë bunkerë të tjerë, PBB-ja do të rritej përsëri. Por pak njerëz do të thoshin se Shqipëria është bërë më e zhvilluar.

Dy investime mund të rrisin njësoj PBB-në, por vetëm njëri mund të sjellë më shumë zhvillim.

Pikërisht për këtë arsye, rritja e PBB-së nuk duhet ngatërruar me zhvillimin.

Ky dallim nuk është vetëm teorik. Ai shihet edhe në jetën e përditshme.

Në Shqipëri, turizmi dhe ndërtimi janë zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, një zhvillim që është mbështetur edhe nga orientimi i politikave publike drejt këtyre sektorëve. Kjo ka kontribuar në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe të PBB-së.

Por në të njëjtën kohë, shumë të rinj e kanë më të vështirë të blejnë një banesë sesa disa vite më parë. Në shumë zona bregdetare, pushimet janë bërë më të shtrenjta dhe shpesh të paarritshme për vetë shqiptarët. Ndërkohë, forcimi i lekut, i ndikuar pjesërisht nga hyrjet e mëdha të valutës nga turizmi, e ka bërë më të vështirë konkurrencën për eksportuesit shqiptarë.

Një PBB më e lartë nuk na tregon automatikisht nëse shqiptarët jetojnë më mirë.

Kjo na çon te pyetja më e rëndësishme.

Si e dimë nëse burimet e vendit po përdoren në mënyrën që sjell më shumë zhvillim?

Askush nuk mund ta dijë sot nëse pasuria e Shqipërisë pas njëzet vitesh do të vijë nga turizmi, teknologjia, prodhimi, energjia, logjistika apo nga një industri që sot nuk ekziston.

Pikërisht për këtë arsye, në një ekonomi tregu nuk është qeveria që vendos nëse Shqipërisë i duhen më shumë hotele, fabrika, sera, kompani softueri apo kantina vere.

Miliona njerëz marrin çdo ditë vendime për të blerë, investuar, prodhuar apo kursyer. Nga këto miliona vendime zbulohet se ku krijohet më shumë zhvillim. Ky proces pasqyrohet në çmime dhe orienton burimet drejt përdorimeve që shoqëria vlerëson më shumë.

Prandaj, kur shteti fillon të favorizojë vazhdimisht sektorë të caktuar, pyetja nuk është nëse turizmi apo ndërtimi janë sektorë të mirë.

Pyetja është nëse shteti mund ta dijë paraprakisht se këta janë sektorët që do ta zhvillojnë më shumë Shqipërinë dhe, po aq e rëndësishme, sa duhet të jetë pesha e tyre në ekonomi.

Nëse politika publike orienton gjithnjë e më shumë kapitalin, punën dhe investimet drejt turizmit dhe pasurive të paluajtshme, atëherë ekonomia nuk po ndjek domosdoshmërisht zgjedhjet e shoqërisë të shprehura në treg. Ajo po ndjek zgjedhjet e politikës.

Kjo nuk do të thotë se turizmi dhe ndërtimi janë sektorë të këqij.

Përkundrazi, nëse ata rriten sepse konsumatorët, sipërmarrësit dhe investitorët i zgjedhin lirisht, atëherë kjo është një shenjë se ata po krijojnë zhvillim sipas preferencave të shoqërisë.

Por nëse ata zgjerohen sepse politika ka vendosur që aty duhet të përqendrohen gjithnjë e më shumë burime, atëherë nuk kemi më një mënyrë për të ditur nëse ky është përdorimi më i mirë i kapitalit të vendit.

Askush nuk mund ta dijë paraprakisht.

Kjo është arsyeja pse debati për Zvërnecin dhe Sazanin nuk është thjesht debat për dy projekte.

Është debat për mënyrën se si zhvillohet një vend.

Nëse zhvillimi kuptohet thjesht si më shumë aktivitet ekonomik, atëherë pothuajse çdo investim mund të quhet zhvillim.

Por nëse zhvillimi kuptohet si përdorimi i burimeve në mënyrën që përmirëson më shumë jetën e qytetarëve, atëherë pyetja bëhet shumë më e vështirë.

Pyetja, pra, nuk është nëse jemi pro apo kundër zhvillimit.

Pyetja është nëse zhvillimi duhet të zbulohet nga miliona zgjedhje të lira në treg apo të përcaktohet paraprakisht nga politika.

Kur politika ekonomike vendos paraprakisht se cilët sektorë duhet të dominojnë ekonominë, ajo nuk po zbulon zhvillimin. Ajo po përpiqet ta planifikojë atë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, një ekonomi mund të ketë më shumë aktivitet ekonomik pa qenë domosdoshmërisht më e zhvilluar.

Të sugjeruara

Shfaq më shumë artikuj të sugjeruar