A mund ta zhvillojë krimi turizmin?

Tristan Puto 26 Gusht 2026, 15:56

Një turist portugez, vetëm 20 vjeç, u vra me thikë para pak ditësh në Ksamil, ku kishte ardhur për pushime.

Vrasësi është një kriminel i dënuar me pesë vjet burg në Britaninë e Madhe për shpërndarje kokaine dhe kanabisi.

Ai punonte si mikpritës i klientëve në klubin Principote, ku kreu vrasjen pas një përplasjeje fizike me disa klientë.

Vetë kompleksi Principotes është në pronësi të një tjetër personi me të shkuar kriminale, i cili u arratis pas vrasjes dhe është në kërkim.

Ky person, para rreth pesë vjetësh, është akuzuar disa herë nga mediat franceze për trafik kokaine përmes qendrave telefonike në Paris, por nuk është dënuar ndonjëherë në Francë.

Në vitin 2021, ai u ekstradua nga Franca në Shqipëri, me kërkesë të gjykatës së Kukësit e cila kishte urdhëruar arrestimin me burg të tij për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, pasi një tentative vrasje.

Nuk dihet se çfarë ndodhi me hetimin dhe akuzat ndaj tij as në vitin 2021 dhe as në një rast tjetër më 2023 kur ai u arrestua pas rrahjes së një polici dhe vëllait të tj.

Megjithatë, pavarësisht problemeve me drejtësinë, ky person nga Kukësi ja doli të ndërtojë një kompleks shërbimesh në skajin tjetër të vendit, buzë detit në Ksamil, madje në një truall të zaptuar.

Toka ku është ndërtuar lokali pretendohet nga një familje vendase nga Ksamili e cila thotë se i është kthyer që në vitin 1996, por e ka marrë dot për shkak të zaptimit dhe zvarritjes së drejtësisë.

Përveç tokës, i dyshuari ka zaptuar — apo ka siguruar leje shfrytëzimi, kjo është ende e paqartë — edhe pjesën e plazhit para lokalit, të cilën e menaxhon si plazh privat, duke ofruar shezlongë me çmime shumë të larta.

Pra, deri këtu: një person i dyshuar për trafik droge dhe krime të tjera ndërton buzë detit në Ksamil, mbi tokë të zaptuar, një komleks luksoz; shfrytëzon privatisht edhe plazhin përpara lokalit; dhe punëson si mikpritës të klientëve një kriminel tjetër të dënuar, i cili vret një prej klientëve — një turist të huaj.

Por nuk mbaron me kaq.

Hoteli kishte punësuar privatisht si roje sigurie tre punonjës policie: njëri punonjës i Policisë së Shtetit, njëri punonjës i Policisë së Burgjeve dhe tjetri punonjës i Policisë Bashkiake.

Të tre, gjatë ditës, përfaqësonin shtetin; në mbrëmje dhe natën mbronin biznesin e një trafikanti të dyshuar.

Ndërkohë, i gjithë biznesi është regjistruar në pronësi të nënës 70-vjeçare të të dyshuarit, e cila është edhe administratorja e biznesit.

Pra, lejet e ndërtimit, nëse ka, lejet e aktivitetit, nëse ka, dhe çdo marrëdhënie me shtetin, zyrtarisht i ka administruar një 70-vjeçare.

Tani panorama është e plotë.

Një person i dyshuar për trafik droge, nga Kukësi, kthehet në Shqipëri nga Franca, krijon një kompani në emër të nënës së tij të moshuar, zapton një tokë në një nga pjesët më të bukura të bregdetit shqiptar, ndërton me para me origjinë të dyshimtë një kompleks luksoz bar-hotel-plazh mbi tokën e zaptuar dhe plazhin publik, punëson kriminelë për ta administruar, punëson policë për t’i mbrojtur biznesin dhe e zhvillon i qetë aktivitetin, derisa një ditë kriminelët e punësuar i zgjidhin gjërat me thikë në dorë, duke vrarë një turist.

Deri këtu flasin faktet.

Por prej tyre lind pyetja: a është ky një rast i shkëputur? Sepse, nëse do të ishte i tillë, nuk do të kishte rëndësi përtej domethënies së një krimi të rëndë.

E vërteta është se historia e “Principotes” në Ksamil është rregulli dhe jo përjashtimi në historinë e zhvillimit të bregdetit tonë.

E vërteta është se një pjesë e madhe e ndërtimeve në bregdetin shqiptar është ngritur njësoj: mbi toka të grabitura me forcë apo me falsifikime dhe me para kriminale apo me origjinë të dyshimtë.

Në plot raste, investitorët dhe pronarët e bizneseve janë drejtpërdrejt kriminelët; në shumë të tjera, ata qëndrojnë të fshehur pas biznesmenëve në dukje legjitimë, siç kanë treguar hetimet e fundit të SPAK-ut apo rasti i Zvërnecit.

Por sidoqë të jetë, e vërteta është se një pjesë e turizmit në Shqipëri është në duar të njerëzve të krimit.

Dhe ne e kemi quajtur këtë zhvillim, sepse lokalet dhe hotelet që ata ndërtojnë janë luksoze, muzika është e fortë dhe shezlongu i shtrenjtë.

Por turizmi nuk është luks. Turizmi është shërbim. Turizmi është, mbi të gjitha, siguri.

Paratë e krimit mund të ndërtojnë hotele, bare dhe plazhe private. Kriminelët mund të bëhen pronarë, administratorë dhe mikpritës.

Por krimi nuk mund të bëjë turizëm. Krimi mund vetëm të zaptojë, të korruptojë, të dhunojë dhe, herët a vonë, të vrasë.

Ndaj, lënia e bregdetit shqiptar dhe e vetë turizmit në duart e krimit është marrëzi!

 

 

Dokumenta bashkëngjitur

Shpërndaje te miqtë