A do të nxisë Zvërneci diversifikimin dhe rritjen e produktivitetit në ekonominë shqiptare apo do të thellojë varësitë ekzistuese?

Klajdi Bregu 21 Qershor 2026, 20:30

Një nga çështjet që duhet diskutuar në lidhje me zhvillimin e propozuar në Zvërnec është ndikimi i tij në strukturën ekonomike të vendit: a do ta shtojë ai diversifikimin dhe produktivitetin e ekonomisë sonë apo rrezikon të thellojë varësinë e saj nga sektorë që tashmë dominojnë rritjen ekonomike.

A do të nxisë Zvërneci diversifikimin dhe rritjen e

Debati publik rreth zhvillimit të propozuar në Zvërnec është përqendruar kryesisht te rëndësia e investimit të raportuar prej 4 miliardë eurosh—mbështetësit argumentojnë se ai do të transformojë ekonominë shqiptare, ndërsa kritikët ngrenë shqetësimin se do të shkatërrojë një pasuri të rrallë të vendit.

Ata që theksojnë leverdinë ekonomike, përqendrohen kryesisht te përfitimet e menjëhershme të projektit: aktivitetin ndërtimor, vendet e punës dhe investimet e huaja.

Këto efekte kanë rëndësi. Megjithatë, ato lënë pa përgjigje një pyetje më themelore: çfarë ndodh pasi është kryer investimi fillestar?

Shpenzimet për ndërtimin e objekteve për turizëm krijojnë aktivitet ekonomik. Gjatë ndërtimit punësohen punonjës, blihen volume të mëdha materialesh dhe pajtohen kontraktorë në fusha të ndryshme. Ky aktivitet natyrisht sjell rritje të ekonomisë.

Megjithatë, jo të gjitha shpenzimet e investimit mbeten në Shqipëri.

Zhvillimet luksoze shpesh përdorin materiale të importuara, pajisje të specializuara, sisteme teknologjike të avancuara që vijnë të gjitha nga importi dhe përdorin konsulentë dhe specialistë të huaj.

Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve rrjedh jashtë vendit dhe nuk qarkullon në ekonominë vendase.

Por më e rëndësishmja, është fakti se faza e ndërtimit është e përkohshme. Prova e vërtetë e vlerës ekonomike të një projekti fillon pasi përfundon ndërtimi, pra pasi është realizuar investimi fillestar.

Mali i Zi ofron një pikë të dobishme krahasimi. Gjatë dy dekadave të fundit, projekte si Porto Montenegro, Luštica Bay dhe Portonovi tërhoqën miliarda euro investime.

Pavarësisht këtyre kapitaleve të futura në ekonominë e vendit, rritja afatmesme e Malit të Zi, sipas FMN-së, vërtitet rreth 3 për qind — një nivel relativisht i ulët për një vend në zhvillim.

Ndërkohë ekonomia malazeze ka krijuar varësi nga turizmi, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe importet. Ajo vuan nga produktiviteti i ulët dhe mungesa e diversifikimit ekonomik që kufizojnë rritjen ekonomike.

Rasti i Malit të Zi sugjeron se investime të mëdha në turizëm dhe pasuri të paluajtshme mund të gjenerojnë aktivitet ekonomik dhe të transformojnë zona të caktuara, pa krijuar domosdoshmërisht sektorë të rinj që rrisin produktivitetin ose diversifikojnë ekonominë.

Kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, sepse turizmi dhe pasuritë e paluajtshme janë bërë dy nga burimet kryesore të rritjes ekonomike.

Turizmi përbën një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik, ndërsa ndërtimi dhe zhvillimi i pronave kanë luajtur një rol gjithnjë e më të madh në investime dhe rritjen e prodhimit të brendshëm të vendit.

Nëse raportimet janë të sakta dhe projekti i Zvërnecit mbështetet kryesisht në zhvillim të pasurive të paluajtshme, atëherë debati nuk ka të bëjë thjesht me turizmin. Ai ngre një çështje më të gjerë për modelin e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Një strategji që drejton edhe më shumë investime në turizëm dhe pasuri të paluajtshme e ngushton edhe më tej ekonominë dhe nuk rrit potencialin e saj ekonomik.

Përqendrimi i mëtejshëm i investimeve në këta dy sektorë ka pak gjasa të kontribuojë në rritjen e produktivitetit dhe për rrjedhojë do të kufizojë rritjen ekonomike.

Prandaj, vlerësimi i projektit duhet të mbështetet në aftësinë e tij për të kontribuar në rritjen e produktivitetit dhe për të mbështetur normat e larta të rritjes ekonomike që kërkohen për zhvillim afatgjatë.

Rritja e qëndrueshme e standardit të jetesës varet nga rritja e produktivitetit, ose nga aftësia për të gjeneruar më shumë vlerë me të njëjtën sasi pune dhe kapitali.

Turizmi mund të krijojë vende pune, të ardhura në valutë të huaj, ndërsa pasuritë e paluajtshme mund të tërheqin investime dhe të nxisin ndërtimin.

Megjithatë, të dy sektorët kanë kufizime të mëdha si motorë të rritjes afatgjatë të produktivitetit.

Zgjerimi i tyre zakonisht kërkon më shumë tokë, infrastrukturë dhe fuqi punëtore sesa përmirësime të vazhdueshme të prodhimit për punëtor. Kjo i bën ata sektorë të rëndësishëm, por kandidatë të vështirë për të qenë shtytësit kryesorë të zhvillimit ekonomik afatgjatë.

Kjo nuk do të thotë se turizmi apo pasuritë e paluajtshme nuk kanë rol në ekonomi. Pyetja është nëse këta sektorë duhet të trajtohen si qëllimi përfundimtar i zhvillimit ekonomik apo si mjete për të mbështetur një rritje më të gjerë ekonomike.

Për një projekt si Zvërneci, përgjigjja varet kryesisht nga fakti nëse ai mund të bëjë më shumë sesa të zgjerojë turizmin dhe pasuritë e paluajtshme.

Nëse raportimet janë të sakta dhe projekti i Zvërnecit mbështetet kryesisht në zhvillimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, kontributi ekonomik i tij do të vijë kryesisht nga ndërtimi, dhe jo nga aktivitete ekonomike të përsëritura në kohë, pra shërbimet që kjo infrastrukturë do të ofrojë (shërbimet hoteliere, argëtuese, etj.).

Ky zhvillim do të zgjerojë në afatshkurtër sektorë me produktivitet të ulët të cilët zënë një vend qendror në modelin e tanishëm ekonomik të vendit.

Ndërsa vlera afatgjatë e projektit varet nga ndikimi i tij në rritjen e produktivitetit, diversifikimin ekonomik dhe rritjen afatgjatë ekonomike.

Në këtë aspekt, teorikisht, projekti mund të kontribuojë në zhvillimin e industrive vendase, aftësive të fuqisë punëtore dhe aktiviteteve me vlerë të shtuar më të lartë.

Kjo arrihet nëse aktiviteti i turizmit krijon lidhje të forta me pjesën tjetër të ekonomisë, duke i shtrirë përfitimet përtej turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Megjithatë, kjo nuk është e garantuar për të mos thënë që është shumë e vështirë.

Nëse zhvillime si Zvërneci përqendrojnë edhe më shumë kapitalin, fuqinë punëtore dhe aktivitetin ekonomik në turizëm dhe pasuri të paluajtshme, ato jo vetëm që kufizojnë diversifikimin ekonomik, por gjithashtu e bëjnë më të vështirë zhvendosjen e burimeve drejt sektorëve me potencial më të lartë produktiviteti.

Sfida, pra, nuk është thjesht se sa vlerë mbetet në Shqipëri, por nëse projekti kontribuon në krijimin e një strukture ekonomike më produktive dhe më elastike me kalimin e kohës.

Nëse kjo analizë është e saktë, atëherë debati nuk ka të bëjë me një zhvillim të vetëm, por me strategjinë më të gjerë të rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Në vend që të përqendrohen te zgjerimi i investimeve në sektorë me produktivitet të ulët, si turizmi dhe pasuritë e paluajtshme që tashmë dominojnë rritjen ekonomike, politikëbërësit duhet të përqendrohen në krijimin e një mjedisi ekonomik dhe institucional që nxit investimet drejt sektorëve me vlerë të lartë të shtuar në ekonomi.

Derisa këto themele të jenë vendosur, Shqipëria nuk ka gjasa të arrijë rritjen e qëndrueshme të produktivitetit që nevojitet për të ngushtuar hendekun me vendet e Bashkimit Evropian, të cilit synon t'i bashkohet.