“Sot, nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë fituar qytetarët e Kosovës. […] Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme. Sot mbaron rruga e vjetër e klientelizmit dhe e pabarazisë. Nga sot ka një lidership te ri që do të kujdeset për shtetin. Sot fillon edhe një kapitull i ri për politiken e jashtme”
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, uroi formimin e qeverisë përmes një postimi në Twitter duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet do të vazhdojë.“[Pres] të bashkëpunojmë me të gjitha instititucionet e Kosovës, palët tjera, shoqërinë civile, për të forcuar drejtësinë dhe prosperitetin si dhe për të ndihmuar ndërtimin e një marrëdhënie paqësore me fqinjët”.
Qeveria Kurti do të ketë 15 ministri, 6 prej tyre i drejton Vetëvendosja, 6 LDK-ja dhe 3 minoritetet. Gjithashtu ajo do të ketë dhe 2 zv/kryeministra si dhe 33 zv/ministra. Kurti premtoi se buxheti do të arrijë 3 miliardë euro. Premtoi mbrojtje të punëtorëve me synimin e respektimit të 8 orarëshit gjë për të cilen tha se do te angazhonte numër më të lartë inspektorësh të punës. Kurti u shpreh se qeveria nën drejtimin e tij do të luftojë korrupsionin, do të nisë proces vetting-u të përgjithshëm dhe u zotua që shërbimi ushtarak në Kosovë do të jetë i detyrueshëm, për një kohëzgjatje prej 3 muajsh. Në aspektin politik, Kurti tha se është i gatshëm të drejtojë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës. Opozita e re, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e kritikuan programin e Kryeministrit Kurti dhe bojkotuan votimin. LDK mori postin e Kreut të Kuvendit, i cili do të drejtohet nga Vjosa Osmani dhe në negociata u ra dakord që për Presidentin të bisedohet në kohën kur t’i përfundojë mandati Hashim Thaçit.
