9 të arrestuarit për ndërtesat e rrëzuara në Durrës, emrat dhe akuzat

exit.al 14 Dhjetor 2019, 19:22

Prokuroria e Durrësit arrestoi sot 9 persona dhe shpalli 9 të tjerë në kërkim si pjesë e hetimit në lidhje me shembjen e ndërtesave nga tërmeti i 26 nëntorit. Prokuroria pretendon se ndërtesat janë rrëzuar nga cilësia e dobët e punimeve. Personat e arrestuar janë: Arben Isaku — ish drejtor i ALUIZNI-t me akuzën shpërdorim detyre. Për shembjen e pallatit 6 katësh, ku humbën jetën dy persona u arrestuan Klajdi Lame inspektori i INU, Albrend Qetka specialist i verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, dhe Defrim Celami specialisti që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik. Për shembjen e Kavaleshencës, ku humbi jetën oficeri Besim Hajdarmataj u arrestuan Kujtim Hasa shef i shërbimeve me akuzën vrasje me dashje; dhe Ahmet Doda, drejtor i shtëpisë së pushimit, për shpërdorim detyre. Për shembjen e hotel ‘Mira Mare’ ku humbën jetën dy persona dhe shpëtoi një tjetër u arrestua pronari dhe ndërtuesi Rruzhdi Xheka. Për shembjen e Hotel ‘Tropikal’, ku humbën jetën dy vellëzërit nga Kosova u arrestua pronari dhe ndërtuesi Avdulla Osmani. Gjithashtu, u arrestua edhe Nevjana Isufi, e cila sipas policisë me studion e saj private hartonte projekte fiktive. Persona e shpallur në kërkim janë: Arben Qato— Pronar i hotel ‘Vila Palma’; Dëshira Qato — Shefe e urbanistikës në Bashkinë Kavajë, pronar e hotel ‘Vila Palma’; Aldo Dakovelli — Shef sektori në Hipotekën e Durrësit; Artemis Malko — Inspektor në Hipotekën e Durrësit; Artur Cela — ish-drejtori i INUV; Flamur Gjuzi — ish-drejtori i ALUIZNIT, Durrës; Artur Terziu — pronari i 'Bar Barons' në Durrës, i ndërtuar në katin e parë të pallatit 6-katësh; Si dhe dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në zonën e ish- Kënetës në Durrës; Pas arrestimeve, Partia Demokratike akuzoi prokurorinë se po mbron Vangjush Dakon, përgjegjësin e vërtet të masakrës urbane. Edi Paloka, nënkryetari i PD-së tha se:

“Fajtorët rezultokan disa inspektorë lagjesh, ndonjë “ndërtues informal” e me siguri do dalin dhe bojaxhinjtë e pallateve!

Vangjush Dako është kryepërgjegjës për këtë situate, jo vetëm se ka mbi dhjetë vjet që drejton si kryetar bashkie, por edhe sepse privatisht ka qënë i implikuar direkt, me firmen e tij “3D”, në ndërtimin e shumicës së pallateve të dëmtuara.

Këtë fakt e kanë denoncuar dhe këto ditë me dhjetra qytetarë durrsak. Gjushi jepte lejet, Gjushi supervizonte, Gjushi jepte betonin e firmës së tij, Gjushi edhe ndërtonte me firmën e tij”.

Pas Edi Paloka reagoi edhe kryetari i PD-së së Durrësit, Ferdinant Xhaferaj, i cili tha se përgjegjësi i vetëm i “masakrës urbane në Durrës ka qenë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako”, dhe prokuroria me urdhër të Edi Ramës nuk po e heton.