60 të vdekur nga sulmet terroriste në Kabul, 12 shtetas amerikanë

exit.al 26 Gusht 2021, 21:01

Të paktën 60 persona humbën jetën dhe 140 të tjerë u plagosën nga sulmet terroriste në aeroportin e Kabulit, raporton BBC.

Mes viktimave janë edhe 12 shtetas amerikanë, 11 marinsa dhe një mjek sipas mediave amerikane.

Ata shënojnë viktimat e para të ushtrisë amerikane në Afganistan që nga shkurti i vitit 2020.

Dy sulme vetëvrasëse me bomba kanë goditur popullsinë civile në Kabul teksa ata përpiqen të largohen nga Afganistani përmes aeroportit.

Sulmet shënjestruan një nga portat e aeroportit ku trupat amerikane janë të vendosur duke ndihmuar në evakuuimin e qytetarëve të huaj dhe afganë.

Shpërthimet erdhën disa orë pas paralajmërimeve se një sulm nga një grup islamik mund të jetë i pashmangshëm.

Grupi që akuzohet përgjegjës për sulmet është ISIS-K, një degë e ISIS i cili është në konflikt edhe me talebanët.