Meta për raportin e Europol:  Droga dhe trafiqet po ja nxijnë faqen Shqipërisë dhe po e rrënojnë

exit.al 12 Prill 2021, 18:32

Presidenti Ilir Meta reagoi të hënën pas publikimit të raportit të Europol, sipas të cilit Shqipëria mbetet një burim kryesor i kanabisit të trafikuar në BE.

Meta tha se “droga de trafiqet po ja nxijnë faqen Shqipërisë dhe po e rrënojnë”.

Ai tha se këtë e thekson qartë drejtuesja e Europolit, e cila bën përgjegjëse “Rilindjen”.

“Prandaj 25 Prilli është referendum popullor, që droga dhe trafiqet t’i përkasin të shkuarës”, tha Meta.

Shqipëria vazhdon të mbetet burimi kryesor i trafikimit të bimës së kanabisit në BE. Ky është përfundimi i raportit të Europolit për trafikun e lëndëve narkotike në BE, të hënën.

Rrjeti kriminal i përfshirë në trafikun e kanabisit janë shumë të organizuar. Ata funksionojnë me hierarki dhe me role e nivele të mirëndara rreth udhëheqësit. Këto rrjete mund të jenë edhe të pastrukturuar por të rrethuara nga një grup njerëzit të përfshirë në aktivitet kriminal.

Pjesa më e madhe e rasteve të raportuara tek Europol karakterizohen nga dhuna vdekjeprurëse, e lidhur me trafikun e kanabisit.

Raporti tregon se si faturat e energjisë elektrike me vlerë rreth 1,5 milionë euro kanë ndihmuar policinë në gjetjen e disa banesave të kthyera në magazina të kultivimit të kanabisit nga shqiptarët në Spanjë.